Frrok ÇUPI
Nuk kishte ndodhur që një President i Shteteve të Bashkuara të ishte shprehur me fjalët “madmen” (të çmendur) për disa liderë ndërkombëtarë. Ose të paktën ky fjalor nuk kishte ardhur deri në veshët tanë prej gojës së një Presidenti të Amerikës. Barack Obama foli kështu para ndonjë jave a pak më shumë, në Uashington, në Samitin për Sigurinë Nukleare. Amerika, si një shtet thuajse kujdestar për lirinë botërore, ndjehet e shqetësuar. E shqetësuar nga liderë “të çmendur”, ndoshta më shumë se për ekzistencën e armëve bërthamore.
“There is no doubt that if these madmen ever got their hands on a nuclear bomb or nuclear material, they would certainly use it to kill as many innocent people as possible”, he said. “It would change our world”. (Marrë nga “Reuters”)
Janë shtuar të çmendurit në krye të qeverive, në krye të grupimeve politike konkurruese për pushtet, në krye të grupimeve financiare… Sikur këta të kenë mundësinë që të venë gishtin mbi “butonin e kuq”, “sigurisht që do të shkaktonin vrasjen e sa më shumë njerëzve të pafajshëm… Kjo do të ndryshonte botën tonë”, sipas Presidentit të Amerikës.
Secili nga liderët e çmendur të botës ka një “buton të kuq” në dorë. Të paktën butonin që shkatërron jetën e mijëra njerëzve. Jo veç lideri i çmendur i Koresë së Veriut, jo veç ata të ISIS… Një arsyetim mjaft i thjeshtë të çon në përfundimin se Presidenti i Amerikës, me siguri, nuk do të kishte lëshuar alarmin me “liderë të çmendur” sikur të ishte fjala veç për një numër të vogël.
Këta janë shumë. Klima e krijuar në politikat e disa shteteve të mbarë botës, ka rritur mjaft filiza çmendurie. Edhe vetë George Sorros, një nga më të përfolurit në botë se ka kultivuar një kopsht me liderë të korruptuar e madje të çmendur, para pak ditësh u kthye në një atacker ndaj Europës dhe deklaroi se Bashkimi Europian tani ndodhet “on verge of collapse” (në prag të kolapsit).
Sigurisht, edhe kjo për shkak të “liderëve të çmendur” të kultivuar nëpër kurse të vona. Historia me çmendurinë e liderëve vjen prej thellësisë së kohës. Qysh në lashtësi, madje qysh në betejën e palavdishme për Trojën, u shfaqën të çmendurit në pushtet. Sundimtarët atëherë formuluan definicionin e shkurtër “O mbret, o i çmendur!”.
Çmenduria në pushtet, në epokën e re, është thjeshtëzuar në disa kategori:
E para,
Kategoria e atyre që nuk ndodheshin në Uashington, sallën e Samitit me Presidentin amerikan Obama, por që në fakt ndodheshin aty përballë. Presidenti i Amerikës foli për rrezikun nuklear që mund të vijë nga “gishtat mbi butonin e kuq”. (Janë në Kore, në Iran, në ISIS)…
Këta tregohen me gisht. Të tjerët?…
Al Qaeda dhe Shteti Islamik kërkojnë armë bërthamore. Një nga anëtarët e Shtetit Islamik duket se ka siguruar armë kimike për t’i përdorur edhe në Bruksel, armë që u quajt edhe “dirty bomb” (bomba e pistë, një mjet me eksploziv konvencional e paketuar me material radioaktiv).
Sipas kreut të Inteligjencies Nacionale të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, treguar në Senat, “materialet kimike dhe biologjike, lëvizin lehtësisht në ekonominë globale”. Deri edhe në ekonominë e vogël e shpesh të dyshimtë të shtetit shqiptar. Këtu ngarkohen avionë me lënde narkotike, rrëzohen helikopterë të rinj të ushtrisë në rrethana krejt të errëta, lideri heton vetveten dhe fajtori fajtorin… Alarmi i Presidentit të Amerikës ka të “paketuar” gjithë shqetësimin se rreziku ndodhet në duar të liderëve të çmendur.
Kategoria e dytë:
Shtetet autoritariste dhe njëkohësisht liderët autoritaristë. Meqë ndodhemi shumë afër akteve të fundit të liderëve tanë shqiptarë, edhe pse një shtet i vogël e liderë të vegjël, ja ku është akti i tyre: Veç para një jave, Partia Socialiste (ish-komuniste) që qeveris në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, zhvilloi një referendum për përjetësimin e liderit dhe doli me rezultatin 97 për qind. Njësoj si lideri i Koresë së Veriut. Njësoj si parardhësi Hoxha, diktator i Shqipërisë. Një çmenduri!
Bota e teorisë së politikës ka konstatuar prej kohësh se në planetin tonë ekzistojnë shtete dhe qeveri autoritariste thuajse të çmendura. Kina, Rusia, Egjipti, India dhe Turqia sa vijnë e bëhen më autoritare. Edhe në rastin e skandalit të fundit “Panama Papers” këta mbyllën çdo hapësirë për reagim, mbyllën burimet e informacionit dhe akuzuan Perëndimin për veprime konspirative “kundër liderëve të lavdishëm” (lexo të çmendur).
Shtetet autoritariste janë shtete me liderë autoritaristë ose të çmendur, të cilët mbajnë në duar bombën e skllavërimit të njeriut. Liderët e këtyre shteteve janë akuzuar për korrupsion gjigant që prek interesat dhe nivelin e lirisë së çdo individi. Edhe Shqipëria, vendi ynë i skllavëruar nga autoritarizmi dhe korrupsioni i liderëve, ndodhet në listën e atyre vendeve që rrezikojnë demokracinë dhe liritë individuale. Sipas organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracia në Shqipëri ndodhet në faliment; në rritje ndodhet veç arroganca shtetërore.
Kategoria e tretë:
Të vegjëlit, por të shumtë, që i hyjnë njeriut nën lëkurë. Këta më së shumti ndodhen në qeverisjen e vendit tonë. Sa shumë të çmendur ka mes tyre! Dje kryetari i Bashkisë së Lushnjës i tha një gruaje të varfër me shumë fëmijë: “Kush t’i polli fëmijët, lagjja apo vetë? Dhe pas kësaj, kreu gjestin tjetër të çmendurisë.
Një tip kushëriri i Kryeministrit dje zuri një nga rrugët kryesore të kryeqytetit dhe tha se “është prona ime, këtej nuk kalon njeri!”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës iu sul Presidentit të Republikës me fjalorin e një të çmenduri. Mediat online shkruan, pas kësaj, se fjala i ngjante “o një të çmenduri o një rrugaçi”. Vetë çmenduria është akti i dhunimit të parkut të madh të kryeqytetit, pa pyetur qytetarët, pa pyetur ligjin, pa pyetur arsyen.
Kryetari i qeverisë ka shpallur iniciativën e tij private për të futur fenë në shkolla. Bie laicizmi. Por me këtë rast bie edhe ndarja e fesë nga shteti. Rrezikohet edhe harmonia fetare e kultivuar prej shekujsh në vendin tonë. Një lider i çmendur mund të godasë vlerat themelore të kombit brenda pak orësh.
Para se Kryeministri të nisej për një vizitë në Uashington, ku Presidenti mbajti fjalimin me liderë të çmendur, ky atakoi shansin e zgjedhjeve amerikane dhe të ardhmen e marrëdhënieve tona me Amerikën. Shqiptari lider tha se “sikur të fitojë X kandidat, marrëdhëniet tona me Amerikën do të rishikohen”…
… Çmenduri të tilla kishim parë në periudhën e diktaturës komuniste. Lideri i Hoxha, aty nga vitet ‘70, një ditë urdhëroi rojet t’i vinin pas dhe doli në bregoret e Lukovës. Improvizoi një tribunë dhe një rrugicë betoni si qilim të kuq dhe u shfaq mbi det. Lajmet kishin thënë se Flota e Gjashtë amerikane ndodhej në Mesdhe. Lideri i çmendur tha se do të sfidonte Flotën amerikane me daljen në ballkonin e Jonit…
Ja kështu rrezikojnë dhe bëhen qesharakë liderët e çmendur…