Ndeshje e vështirë

“Këtë verë isha shumë pranë stolit të Italisë. Për një italian drejtimi i kombëtares është diçka e jashtëzakonshme. Sot Italia është në duar të sigurta. Ventura me siguri që do të bëjë një punë shumë të mirë. Sinjalet e para i ka dhënë, është në rrugën e duhur”. Këto janë fjalët që trajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi i përsëriti për mediat përtej Adriatikut, gjatë marrjes së një çmimi në qytetin e Potencës.
I pyetur për përballjen e 24 marsit mes Italisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet në Palermo, 60-vjeçari u shpreh se për të mbetet një ndeshje e veçantë, pasi një italian është kundër përfaqësueses së vendit të tij. Aq më tepër që është në diskutim kualifikimi për në Botërorin “Rusi 2018″. De Biasi shtoi se kuqezinjtë do të japin gjithçka, në një ndeshje që do të jetë si gjithë të tjerat, që në fund mund të vendosë shumë për objektivat në këto eliminatore”.
“Italianët, vijoi më tej De Biasi, kur katapultohen në vende të tjera, gjithmonë arrijnë të bëjnë gjëra të mira. Ne kemi diçka më shumë se të tjerët, ndoshta në vëmendjen që u kushtojmë edhe detajeve më të vogla. Kjo mund të vijë për faktin se jetojmë ditë pas dite me lëvizjen futbollistike”.
Në fund De Biasi u shpreh se ndoshta ka arritur të ketë sukses në krye të Shqipërisë pasi disa gjëra janë bërë bashkë, mbi të gjitha duke vënë zemrën në fushë. Profesionalizmi i trajnerëve italianë spikat sidomos jashtë kufijve të Italisë. Ndoshta ky është momenti për të reflektuar dhe për të patur më shumë durim në vlerësimin e trajnerëve italinë, që në nivel ndërkombëtar arrijnë të kenë sukses.
Ashtu siç ishte paralajmëruar pak javë më parë, sfida e 24 marsit të 2017 mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet në stadiumin “Renzo Barbera”, ku zhvillon ndeshjet e saj skuadra e Palermos. Federata italiane e Futbollit ka vendosur që këtë sfidë, e pesta në radhë sa i përket eliminatoreve të Botërorit, Rusi 2018 ta luajë në Siçili. Për këtë vendim mendohet se ka ndikuar dhe miqësorja e 18 nëntorit të vitit 2014, ku në ndeshjen miqësore të luajtur në “Luigi Ferraris” të Xhenovës ishin të pranishëm më shumë tifozë kuqezi sesa italianë dhe Federata vendase kërkon të minimizojë në maksimum praninë e tifozerisë shqiptare në impiant, duke qenë se shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj janë të shumtë.
Kjo do të jetë ndeshja e 13 që Italia do të luajë në këtë impiant teksa ka një bilanc pozitiv me 11 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje me Kroacinë në nëntor të vitit 1994. E vetmja sfidë mes Shqipërisë dhe Italisë është miqësorja e 18 nëntorit të 2 viteve më parë, me Italinë që triumfoi 1-0 në atë sfidë falë golit të shënuar nga Stefano Okaka. Aktualisht, Italia është bashkëkryesuese e Grupit G bashkë me Spanjën me 10 pikë, ndërsa Shqipëria renditet e katërta me 6 pikë në total.

Artikulli paraprak“Hirushja” Leipzig shkatërron Freiburgun
Artikulli tjetërGjyqtari i kërkon ndjesë trajnerit