Xhamia e Et’hem Beut është ndërtesa më ikonike e Tiranës.
Ndërtimi i saj mendohet se ka filluar në vitin 1793 nga Mulla Beu, i cili vdiq në vitin 1808.
Djali i tij, Haxhi Ethem Beu, e përfundoi ndërtimin e xhamisë në vitin 1823, siç shkruhet në hyrje të saj.
Xhamia ka formë katërkëndore me përmasa 17.50 x 15.00 metra dhe sipërfaqe të përgjithshme 260 metra katrorë.
Ka tre hapësira kryesore faljeje, 2 për meshkuj dhe 1 për femra. Zona e meshkujve gjendet në katin përdhes dhe në pjesën e hyrjes, ndërsa zona e femrave gjendet në katin e sipërm.
Sipër zonës kryesore të faljes gjendet një mbajtëse në formë tetëkëndëshe dhe sipër një kupolë me diametër 8 metër, e mbuluar me material plumbi.
Nga ana e brendshme, kupola dhe tavani janë të pikturuara në mënyrë harmonike.
E gjithë fasada e xhamisë është e përbërë nga 15 harqe, e përforcuar nga kolona të larta guri 2.90 metër secila dhe me diametër po aq.
Minarja e xhamisë është e ndërtuar me gur gëlqeror dhe e gdhendur në pjesën e brendshme dhe të jashtme. Lartësia e saj është gati 33,44 metra dhe diametri 140 centimetra.
Në hyrje të xhamisë janë edhe varret e Ethem Beu dhe gruas së tij. Të dy varret ishin ruajtur mjaft mirë deri në vitin 1967.
Në fillim të viteve ‘70 gurët me mbishkrimet e varrit të Et’hem beut u hoqën.
Pas mbylljes në vitet e diktaturës xhamia u hap për besimtarët më 18 janar 1991. (Adi Darsi)