Retorika e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump gjatë fushatës presidenciale ngriti shqetësime se nëse do të fitonte, ai do të anonte drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë në kurriz të Ukrainës dhe do të “rishqyrtonte” angazhimin e vendit në aleancën e NATO-s. Megjithatë, në bisedat e fundit telefonike me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, zoti Trump ka shprehur interes dhe mbështetje për të dyja.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko tha dje se presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump ngriti “çështjen e agresionit rus dhe aneksimin e paligjshëm të Krimesë”, në një bisedë telefonike mes tyre.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi në Bruksel me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, zoti Poroshenko tha se ai pati “mundësinë t’i jepte zotit Trump informacion shumë të detajuar” për situatën në lindje të Ukrainës dhe në Krime.
“Gjatë dy ditëve të fundit, unë dhe Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk patëm mundësi të flisnim me Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump. Ne kemi folur edhe para këtyre bisedave telefonike, dhe unë mund të konfirmoj se çështja e agresionit rus dhe aneksimi i paligjshëm i Krimesë, u ngritën nga presidenti i zgjedhur Trump gjatë bisedës sonë. Pata mundësisnë t’i jepja atij informacion shumë të detajuar për gjendjen në lindje të vendit tim dhe në Krime”.
Presidenti i Ukrainës tha gjithashtu se vendi i tij ka “mbështetje të fortë nga të dyja partitë në Kongresin amerikan, republikanët dhe demokratët. Ai tha se nuk pret ndonjë ndryshim të rëndësishëm përsa i përket kësaj mbështetjeje dypartiake”.
Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në një fjalim në Universitetin e Oksfordit në Angli se zoti Trump ka shprehur “mbështetjen e fortë” për aleancën ushtarake perëndimore gjatë një bisede telefonike që ata patën javën e kaluar.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara me NATO-n, jo vetëm për shkak se presidenti i zgjedhur Donald Trump ka deklaruar në mënyrë të qartë se ai mbështet NATO-n dhe detyrimet tona si anëtarë të aleancës, por edhe për shkak se, një NATO e fortë nuk është e mirë vetëm për Evropën, si themel i sigurisë sonë, por edhe për Shtetet e Bashkuara”.
Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump kishte thënë se Shtetet e Bashkuara, paguajnë “shumë më tepër” për shpenzimet e aleancës dhe se NATO-ja “mund të ishte e vjetëruar”.