Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton publikun se për shkak të një sulmi kibernetik që preku disa nga sistemet e tij më 31 janar 2024 do të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë.
Sulmi kibernetik i cili synoi të dëmtojë të dhënat e INSTAT ka bërë që shërbimet e internetit të faqes zyrtare dhe emailit të jenë ndërprerë.
Në një njoftim për shtyp, INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi.
Ekipi teknik i INSTAT menjëherë aktivizoi protokollet e emergjencës për të mbrojtur të dhënat dhe parandaluar dëmtime të mëtejshme.
INSTAT do të vazhdojë aktivitetin e tij statistikor dhe do të përdorë mjete alternative komunikimi si adresa e email-it [email protected] dhe kanalet zyrtare të rrjeteve sociale, Instagram dhe Facebook.
INSTAT thotë se i kërkon ndjesë publikut për këtë pamundësi ofrimi shërbimesh momental që shkaktoi ky incident dhe siguron publikun se po punon intensivisht për të rikthyer shërbimet e tij sa më shpejt të jetë e mundur.
INSTAT do të njoftojë datat e reja të publikimit dhe falënderon përdoruesit, partnerët dhe veçanërisht ekspertët e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) për ndihmën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe deri në funksionimin e plotë të gjithë sistemeve të Teknologjisë së Informacionit të INSTAT.
INSTAT mbetet i angazhuar për të siguruar statistika zyrtare me cilësi të lartë dhe të besueshme për përdoruesit.