Në një reagim në rrjetin social facebook, nënkryetarja e PD-së, Orjola Pampuri, shprehet se dalja e Ahmetaj i shërbeu Ramës për të treguar se SPAK-u nuk po punon siç duhet.
Sipas deputetes së PD-së, “i penduari referon në heshtje përballë drejtësisë, të tjerat janë lojëra me tetë porta”.
Më poshtë reagimi i plotë:
Nëse nuk do të flitej me kode mafioze, e nëse nuk do të shantazhonin njëri-tjetrin me gjuhën e mesazhet që vetëm ata dinë t’i transkriptojnë, ky vend do t’i kishte zgjidhur hallet me kohë.
Por nga momenti që funksionojnë si banda mafioze, të cilët me ndihmën e “kundërshtarit” politik, i çojnë fjalë bashkëpunëtorit politik, duke krijuar sitata groteske, që nuk të çojnë askërkund, vetëm SPAK, mund ta zgjidhë këtë puzzle, që mban peng Shqipërinë e shqiptarët.
I penduari referon në heshtje përballë drejtësisë, të tjerat janë lojëra me tetë porta.
Gjithsesi, Ramës i shërbeu për një gjë; SPAK sipas Ahmetaj, nuk po punon siç duhet.
Në fund të fundit ky ishte misioni i tij, përpos goditjes me kode të kundërshtarëve të tij brenda PS, çka i tregoi moralistëve të medhenj të mazhorancës, që kur ke kaq shumë halle në “familjen tënde”, mirë bën të mos merresh me “fqinjin”.
P.s Dhe diçka tjetër për ta përmbyllur; të gjitha këto janë të lidhura drejtpërdrejtë me arsyen përse shqiptarët largohen, përse plani për reformat për në Bashkimin Europian ecin me hapa të ngadaltë, përse komisionet hetimore nuk pranohen nga qeveria, përse çmimet e shportës janë rritur dhe janë bërë të papërballueshme krahasuar me të ardhurat etj.
Ndaj shqiptarët hallet e tyre i dinë mirë, por duan që ata politikanë që prej 30 viteve u qajnë vetëm hallet shqiptarëve, të paktën kur të flasin, kur të akuzojnë, të vendosin dhe ndonjë emër apo fakt, se harrojnë që janë në politikë e jo anëtarë bandash mafioze, ku shantazhojnë me kode.