Policia italiane ka kapur në Bari një gomone me 1650 kg marijuanë dhe ka arrestuar tre skafistët, dy prej të tyre nga Vlora. Rreth orës 3:00 të mëngjesit të djeshëm, Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola. “BrindisiOggi” raporton se, pasi roja bregdetare italiane nisi ta ndjekë gomonen arriti ta bllokojë atë dhe në bordin e saj sekuestroi 1650 kg marijuanë dhe një pistoletë me 5 plumba.
Sasia e marijuanës së sekuestruar ishte e ndarë në pako. Megjithatë shqiptarët kur vunë re ndjekjen nga policia, disa pako i hodhën në det. Nga hetimet e para të policisë rezultoi se, gomonia e tre skafistëve shqiptarë ishte e vjedhur.
Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë, tre shqiptarët u përpoqën të largohen duke u hedhur në det, por u arrestuan. Droga e nisur nga Shqipëria kishte si destinacion, Lombardinë. Vlera e saj në treg është 16 milionë euro. Gomonia e kapur ishte 10 m e gjatë me 4 motora.
Ndërkohë, policia shqiptare reagoi menjëherë pas publikimit të lajmit nga mediat italiane për kapjen e 1.6 ton droge. Policia shqiptare bëri të ditur se, “operacioni është bërë nga ana e Guardia di Finanza dhe policisë shqiptare”. Ndërkohë, mediat italiane raportojnë se gomonia shqiptare u pikas nga roja bregdetare italiane dhe Guardia di Finanza nis ta ndjekë atë, duke bërë të mundur bllokimin e gomones dhe arrestimin e shqiptarëve. Lind pyetja pse mashtron policia shqiptare për bashkëpunim në operacion? Si u fut policia shqiptare në ujërat territoriale italiane pa leje dhe pse policia shqiptare nuk e bllokoi gomonen me drogë që në nisje? Pse mediat italiane nuk përmendin policinë shqiptare, por deklarojnë se gomonia u kap nga Guarda di Finanza italiane. Nëse operacioni do të ishte bërë në bashkëpunim me policinë italiane, atëherë sigurisht që mediat italiane do të shkruanin për këtë fakt.
Duket qartë se policia shqiptare mashtron opinionin, se gjoja po e lufton trafikun e drogës. Në fakt, në të gjitha rastet droga shqiptare është kapur në Itali nga policia italiane, ndërsa policia shqiptare nxiton të deklarojë se ka bashkëpunuar me policinë italiane, duke ndjekur në det gomonet me drogë.
Gjatë ditëve të fundit është rritur trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Para pak ditësh, Guardia di Finanza e Brindisit sekuestroi 400 kilogram kanabis sativa në qytezën San Pietro Vernotico. Policia italiane tha se, droga është “Made in Albania” dhe ishte futur në Itali nga kanali i Otrantos. Sipas hetimeve, droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet kanaleve të trafikut nëpërmjet kanalit të Otrantos. Sulmi “blic” i Guardia di Finanza u bë në një banesë, ku u gjet një pjesë e drogës, ndërsa pjesa tjetër ishte në kamionin e shqiptarit të arrestuar.