Promovimet e Shqipërisë turistike në rrjetet sociale Instagram dhe TikTok nga blogerë të huaj, për shkak të kostove të lira dhe bukurive natyrore shtuan ndjeshëm gjatë vitit 2023 numrin e turistëve të huaj që vizituan vendin.
Të joshur prej çmimeve të lira dhe disponueshmërisë më të lartë krahasuar me hotelet, shumë të huaj zgjidhnin të qëndronin në Shqipëri në apartamente apo shtëpitë e pushimit të rezervuara online, nëpërmjet platformave ndërkombëtare.
Për këto arsye, tashmë jo vetëm Tirana, por e gjithë Shqipëria, ofron një numër të lartë të strukturave rezidenciale me qira ditore, të cilat kanë pakësuar stokun e apartamenteve për qira afatgjatë dhe kanë ndikuar te rritja e çmimeve të qirave, sipas Stela Dhamit, nga agjencia ndërkombëtare e pasurive të paluajtshme “Collier International Albania”.
“Fenomeni ka ndikuar negativisht në zona qendrore të qyteteve, kryesisht të kryeqytetit, sepse patjetër që ka hequr nga stoku i qirasë afatgjatë shumë apartamente të cilat përdoreshin për këtë qëllim më parë.
Një stok më i kufizuar rrit presionin ndaj qirasë, e cila sidomos në zona qendrore ka shënuar rritje”.
Sipas të dhënave të AirDNA, e cila analizon statistikat për strukturat e akomodimit me qira ditore nga platforma Airbnb, të vëna në dispozicion për “Monitor”, numri i apartamenteve dhe shtëpive të listuara për dhënie me qira ditore arriti në 167 mijë në vitin 2023.
Në raport me një vit më parë numri i tyre u rrit me 36%. Ndërsa krahasuar me vitin 2019, numri i shtëpive dhe apartamenteve të listuara në AirBnb u rrit me 1,3 herë.
Por zhvillimi i sektorit të qirasë afatshkurtër, i nxitur nga lulëzimi i turizmit, po dëmton sektorin e strehimit vendas në apartamentet me qira afatgjatë. Agjentët imobiliarë ngrenë shqetësimin se edhe çmimet vijojnë të mbeten të larta.
Deri në muajin shtator 2023, sipas të dhënave të agjencive imobiliare, çmimet e qirave afatgjatë të apartamenteve u shtrenjtuan me 35% krahasuar me 2022.
Çmimet e qirave për apartamentet 1+1 varionin nga 350 euro për zonat periferike deri në 750 euro në muaj për zonën e ish-Bllokut. Për apartamentet 2+1, çmimet nisnin nga 450 euro zona e Freskut deri në 1,200 euro për zonën pranë stadiumit “Air Albania”.
Rritja e çmimeve të qirave ka vijuar edhe pas muajit shtator të vitit të kaluar. M. B. është pronare e një apartamenti të dhënë me qira afatgjatë për tre studente me çmim 250 euro në muaj. Apartamenti 1+1 ndodhet në zonën e Dajtit.
Ajo pohon se nga muaji shtator i vitit të kaluar, e rriti çmimin e qirasë me 50 euro për shkak të kërkesës së lartë. Ajo tregon se gjatë periudhës së publikimit online, prona e saj është vizituar nga shumë individë në kërkim të një shtëpie me qira.
“Qiramarrësit aktualë nuk kishin kërkesa specifike, përveç kërkesës për të banuar në një pronë me qira që ndodhej në zonën pranë universitetit privat ku studionin. Shtëpitë e shumta që kishin vizituar ofronin çmime shumë të larta apo ishin pjesërisht të mobiluara ose kërkohej për shumë muaj parapagim”.
Ndërsa çmimet e qirave në zonat afër qendrës së Tiranës janë mbi 300 euro, sipas agjentes imobiliare Lorina Rada, nga agjencia “Century 21 CPM”.
Më të prekurit nga shtrenjtimi i çmimeve mbeten vendasit, pasi niveli i tyre është pothuajse i papërballueshëm, për këtë arsye, sipas Radës, shumë qiramarrës preferojnë të mos ndryshojnë apartamentin e banimit me qira për një periudhë afatgjatë.
“Brenda Unazës së Vogël të Tiranës, çmimet e qirave për apartamentet 1+1 janë mbi 300 euro, ndërsa për pronat 2+1 çmimet janë mbi 400 euro në muaj.
Krahasuar me vjet, këtë fillimviti nuk ka rritje të çmimeve, por kemi konstatuar se apartamentet e marra me qira nga 2021 deri në vitin 2022 nuk lirohen, sepse janë marrë me tarifa më të lira sesa aktualisht”.
Ajo pohon se tendenca e rritjes së çmimeve ndër vite është ndikuar nga një sërë faktorësh, si rritja e mirëqenies së shqiptarëve, shtimi i investimeve te pronat me qira, me qëllim rritjen e tarifës së qirasë, si dhe nga shtimi i kërkesës së të huajave.
“Të huajt që vijnë të jetojnë në Tiranë kanë rritur kërkesën për qira. Në Tiranë, numri i tyre është i lartë, kryesisht në zonat periferike. Ndër qytetet e tjera, më të parapëlqyerat mbeten Vlora, Saranda dhe Shkodra”.
Ndërsa Dritan Leka, nga “Century 21 CPM”, gjithashtumë herët pohoi për “Monitor” se kërkesa e lartë për apartamente me qira ditore ka ndikuar shumë në rritjen e çmimit të apartamenteve me qira afatgjatë, si dhe në krijimin e një boshllëku të pronave të lira.
“Vëmë re se sot nuk është më ai fluks apo ofertë në pronat me qira afatgjata. Zotëruesit e tyre fitojnë shumë më shumë, duke punuar me qira ditore, apo duke ua dhënë për menaxhim kompanive apo individëve që merren me këtë lloj aktiviteti”, u shpreh ai.
Rritja e kërkesës nga të huajt për apartamente me qira ditore në Airbnb apo Booking është nxitur nga çmimet më të lira se strukturat e tjera të akomodimit, sipas Stela Dhamit, nga “Colliers International Albania”.
“Ato janë më të prekshme nga konsumatorët dhe turistët të cilët kryesisht kanë ardhur në Shqipëri të orientuar prej çmimeve më të lira në krahasim me tregje të tjera më të zhvilluara të turizmit, si ato që kemi përreth.
Këto struktura akomodojnë shumë mirë familjet dhe udhëtarët në grup, të cilët kanë dëshirë të jenë në të njëjtin ambient. Mendoj se këto struktura tani që do të jenë pjesë e deklarimit dhe pagesës së tatimit mbi burim mund të kenë presion për të rritur çmimet për të mbuluar këtë shpenzim të shtuar, por mendoj të detyruar”. /Monitor.al