Nga Ardit Gjinali
Integrimi Europian përfshin përmbushjen e hapave, kushteve, kritereve dhe detyrimeve që nuk përfundojnë me anëtarësimin e vendeve përkatëse në Bashkimin Europian, proçesi përfshin dimensionin teknik dhe politik ku i tilli teknik është në koherencë me dimensionin meritor ku secili vend formëson shumësinë e standarteve të realizuara.
“Marrëveshja e Shengenit” dhe “Euro-Zona” përbëjnë shprehjen më të qartë të dimensionit meritor që formëson përmbushjen e plotë të të gjithë hapave të proçesit të Integrimit Europian.
Të gjitha vendet anëtare në Bashkimin Europian nuk janë pjesë e “Marrëveshjes Shengen” përkatësisht Rumania, Bullgaria, Irlanda dhe Qipro dhe nga ana tjetër, të gjitha vendet pjesëmarrëse në “Marrëveshjen Shengen” nuk janë anëtarë në Bashkimin Europian, përkatësisht Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Lihtenshtajni, të njëjtët kanë nënshkruar traktatin për lirinë e udhëtimit dhe bashkëpunimin me vendet e BE-së në fusha të tilla si drejtësia dhe punët e brendshme.
Qëllimi i “Marrëveshjes së Shengenit” është inkurajimi i bashkëpunimit mes shteteve në fushën e sigurisë, luftës ndaj krimit të organizuar, çështjeve të drejtësisë ku garantimi i lëvizjes së lirë, pa kontrolle ndërmjet vendeve të Bashkimit Europian dhe pjesë e “Marrëveshjes Shengen” përmes përsosjes së instrumentave teknikë kontrollues dhe verifikues të kufijve mbetet thelbi i origjinës së konsolidimit të bashkëpunimit ndër-shtetëror si pjesë e “Marrëveshjes Shengen”.
Pjesëmarrja e një shteti në “Marrëveshjen Shengen” realizohet përmes një konsensusi unanim të të gjitha shteteve pjesëmarrëse, ku miratimi realizohet nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare, ku mungesa e miratimit nga parlamenti i një prej vendeve anëtare pengon përfshirjen e vendit përkatës në “Marrëveshjen e Shengenit”.
Të dy vendet, Rumania dhe Bullgaria, do të jenë pjesërisht pjesë e “Marrëveshjes Shengen” dhe nga muaji Mars 2024 parashikohen negociata të reja për përfshirjen e plotë të dy vendeve përkatëse në të njëjtën, ndryshe nga momenti i tanishëm përmes ajrit dhe detit, por në mungesën e lëvizjes së lirë tokësore. Përfshirja në “Marrëveshjen Shengen” ka qenë një synim i deklaruar nga dy vendet pjesëmarrëse në koherencë me deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian, përkatësisht komisionerja VON DER LEYEN dhe kërkesat e grupeve kryesore politike në Parlamentin Europian veçanërisht spikat angazhimi i Grupit të Partive Popullore Europiane (PPE) përmes rezolutave dhe deklaratave publike të Kryetarit të Partive Popullore Europiane dhe njëkohësisht Kryetarit të Grupit Parlamentar të PPE, Manfred WEBER për përfshirjen e të dy vendeve përkatëse në të njëjtën.
Komisionerja Europiane, Ursula VON DER LEYEN shprehu qartësisht qëndrimin në një seancë parlamentare të Parlamentit Europian, më Shtator 2023 në Strasburg , fjalim i çdo vitshëm mbi arritjet dhe sfidat e BE, përshëndeti hapat pozitivë bashkëpunues të autoriteteve Rumune dhe Bullgare mbi çështjet e azilkërkimit apo të riatdhesimit ku theksoi si vijon-“ Bullgaria dhe Rumania kanë dëshmuar se janë pjesë e zonës Shengen. Le t’i lëmë të hyjnë në të pa vonesë të mëtejshme”.
Kjo deklaratë e rëndësishme mbetet e tilla më e zëshme politikisht dhe hierarkikisht duke pasuar të njëjtat e përfaqësuesve të ndryshëm, europarlamentarë, grupe politike parlamentare ku spikat zëri i vazhdueshëm politikisht kërkues i Manfred WEBER, kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane dhe Kryetar i Partive Popullore Europiane, vijueshmërisht nga viti 2018 duke apeluar mbi mesazhin politik dhe arritjet e dy vendeve për të realizuar anëtarësimin në “Marrëveshjen Shengen”. Manfred Weber do të theksonte në një nga deklaratat e tij, me kontekst dhe frymë të njëjtë në mesazh, përtej tekstit, si vijon; “ Me Rumaninë dhe Bullgarinë, ne mund të mbrojmë më mirë kufijtë tanë të jashtëm dhe të fuqizojmë të gjithë hapësirën Shengen. Le të vijohet me historinë e suksesit “Shengen” dhe le të anëtarësojmë Rumaninë dhe Bullgarinë që i kanë përmbushur kushtet për të qenë pjesë e saj”.
Në të njëjtën kohë, grupi më i madh politik parlamentar në Parlamentin Europian, EPP ( Partitë Popullore Europiane) miratuan një rezolutë në mbështetje të pranimit të të dy vendeve, Rumani dhe Bullgari, në Shengen, një rezolutë politike apeluese që thërret shpirtin Europian përfshirës në koherencë me kushtet e përmbushura. Rezoluta e Partive Popullore Europiane, e tilla politikisht shteruese në thirrje dhe mesazh, ku si vijon po citojmë njërin prej paragrafëve në përputhje me idenë e këtij shkrimi mbi mesazhin e konsolidimit dhe stabilitetit, i tilli i dobishëm për tu përcjellë nga Bashkimi Europian.
Paragrafi i rezolutës shteruese është si vijon ; -“Rezoluta konfirmon mbështetjen e fuqishme për përfshirjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në hapësirën Shengen si një element triumfues i Integrimit Europian; rezoluta sjell në vëmendje thirrjet e Parlamentit Europian në këtë kontekst; konsiderojmë si thelbësore përfshirjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në hapësirën Shengen sepse një hapësirë e zgjeruar Shengen do të fuqizonte Bashkimin Europian”.
Përtej një qasjeje pozitive pro-aktive, e tilla politikisht vepruese dhe publikisht deklaruese mbi miratimin e pjesëmarrjes së Rumanisë dhe Bullgarisë në “Marrëveshjen Shengen”, konteksti ndërkombëtar që ekspozon Bashkimin Europian posaçërisht mbi lëvizjet emigruese ka shpërfaqur hezitimin dhe jo-aprovimin Austriak dhe Hollandez, hezitimi i së parës në koherencë me pozicionin gjeografik si “e para portë” drejt Shengenit dhe i së dytës përkatësisht me ekspozimin mbi çështje të krimit të organizuar dhe të drejtësisë të subjekteve që mund të jenë pjesë e valëve migruese- pra, skepticizmi i të dy vendeve të përmendura më lartë, Austri dhe Hollandë ndaj dy vendeve aspiruese, Rumani dhe Bullgari mbetej tek aftësia institucionale e të njëjtave mbi identifikimin, ndalimin dhe parandalimin e depërtimit të flukseve të caktuara drejtë “kufijve të Shengenit”.
Apeli i vazhdueshëm nga aktorët politikë Europianë dhe përfaqësues të lartë të hierarkisë institucionale Europiane, kryesisht gjatë viteve 2022-2023, ndikuan në ndryshimin e qasjes hezituese së Hollandës, ku parlamenti i këtij vendi votoi në shumicë për përfshirjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në “Marrëveshjen Shengen” duke lehtësuar pozitën negociuese përkatëse të të dy vendeve me Austrinë, shteti i fundit i hapësirës që nuk ka dhënë miratimin përfundimtar për përfshirjen e të dy vendeve në të njëjtën.
Në fundvitin 2023, në epilogun politik të Presidencës Spanjolle të Bashkimit Europian, u njoftua vendimi i Komisionit Europian mbi pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në Shengen ku presidentja e Komisionit VON DER LEYEN theksoi; “ Urime Bullgarisë dhe Rumanisë. Kjo arritje e madhe është e mundur falë punës së palodhur, angazhimit dhe këmbënguljes tuaj”. Në të njëjtën kohë, Presidenca Spanjolle e Bashkimit Europian ( Qershor-Dhjetor 2023) përcolli mesazhin si vijon; “ Kontrollet e kufirit të brendshëm ajror dhe detar midis dy vendeve të BE-së dhe anëtarëve të tjerë të Schengenit do të hiqen në mars 2024, ndërsa një vendim për heqjen e kontrolleve të tokës do të merret më vonë”.
Pas vendimit të Komisionit dhe miratimit nga Austria për përfshirjen e pjesshme të të dy vendeve në hapësirën Shengen, të dy Kryeministrat , të Rumanisë dhe Bullgarisë shprehën optimizmin mbi vendimin e fundvitit 2023 dhe dinamikën e re të vitit 2024 mbi përfshirjen e plotë të të dy vendeve ku Kryeministri Rumun Marcel CIOLAC do të deklaronte ; “ Prej marsit, rumunët do të përfitojnë prej Schengenit nga udhëtimet prej ajrit dhe detit. Jam i bindur që më 2024 do t’i finalizojmë negociatat edhe për kufijtë tokësorë”. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Bullgar Nikolay Denkov, theksoi “Pas negociatave të gjata dhe të komplikuara, ne kemi arritur marrëveshje në parim me Austrinë për pranim të Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Schengen, fillimisht përmes kufijve ajrorë dhe detarë”.
Ky vendim është i rëndësishëm, një vendim politik dhe meritor i bazuar në hapat pozitivë të të dy vendeve ku qeveritë përkatëse kanë dëshmuar vullnet pro-aktiv pozitiv Euro-Integrues ku shpirti politik Europian ka mbizotëruar mbi hezitimet apo vonesat, të tilla objektive si shkak i paqëndrueshmërisë politike veçanërisht në Bullgari apo dhe në dinamikat e brendshme kombëtare të vendeve hezituese ku rezultatet e diskutueshme zgjedhore si në Hollandë mbeten dëshmi e këtij fakti.
Vendimi mbi pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në hapësirën Shengen, varësisht dimensionit pjesor përkatësisht ajror dhe detar, është në një moment thelbësor politik përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian të vitit 2024 ku sfida kryesore politike mbetet ruajtja e qëndrueshmërisë politike të Bashkimit Europian dhe inkurajimi i përfshirjes si një përgjigje ndaj secilës tendencë jo-konstruktive të aktorëve të tretë të cilët rreken të depërtojnë duke shfrytëzuar secilën hapësirë pezullie që kultivon pakënaqësi publike apo shkurajim politik në lidershipet politike përkatëse.
Mesazhet politike të konsolidimit të mëtejshëm të stabilitetit mbeten të mirëpritura në periudha ku dinamika tërësore gjeopolitike si shkak i veprimeve të aktorëve të caktuar rreket të vendosë në diskutim rendin e së drejtës në nivel ndërkombëtar; realitetet politike kombëtare sfidohen nga flukse që formësojnë lëvizje populiste me retorikë politike përmbysëse ndaj shumëçkaje të përmbushur duke shfrytëzuar zbrazëtinë që buron nga arritjet jo të plota apo të munguara kombëtare; kur emocioni mbizotërues kombëtar i segmenteve të ndryshme shoqërore të vendeve në hartën politike të Bashkimit Europian përcakton dhe dikton agjendat politike si pasojë e rezultateve zgjedhore dhe konfigurimeve komplekse qeverisëse si shkak i të tillave rezultate.
Pranimi i dy vendeve, Rumanisë dhe Bullgarisë, është mesazh i vazhdueshmërisë, konsolidimit, stabilitetit, përfshirjes dhe një ogur i mirë politik në formën e një mesazhi elektoral për një Parlament Europian të nesërm me një shumicë të qëndrueshme pro-Europiane ku spikat lidershipi i Partive Popullore Europiane, të tillat kanë qenë një zë politik ndikues mbi ndryshimin e pozicionit të të dy vendeve dhe inkurajimin e proçesit të Integrimit përkatësisht me hapjen e negociatave për Moldavinë, Ukrainën apo dhe statusin e vendit kandidat për Gjeorgjinë.
Viti 2024 është thelbësor për politikën Europiane, për jetën politike të disa prej vendeve anëtarë të Unionit , për pozicionin e Bashkimit Europian në marrëdhëniet ndërkontinentale, një vit sfidues ku sfidat e parashikuara dhe të tillat jo të parashikuara si shkak i veprimeve të aktorëve të tjerë mund të përballohen me kohezion politik dhe përfshirje.
Janar-Qershor 2024, gjashtëmujori i Presidencës Belge të Bashkimit Europian është i rëndësishëm dhe negociatat mbi përfshirjen e plotë të të dy vendeve nuk do të jenë të thjeshta, por dimensioni politik që buron prej vitit politik mund të tejkalohet për shkak të kritereve teknike që mbart në tërësi përfshirja në “ Marrëveshjen Shengen”.
Ministrja e Jashtme e Bullgarisë Maria GABRIEL , përkatësi e djathtë politike , pjesë e familjes politike të Partive Popullore Europiane do të evokonte mesazhin në frymën dhe vizionin e Partive Popullore Europiane mbi proçeset vendimmarrëse, të tillat efektive dhe tregues lidershipi ku theksoi si vijon; “ proceset vendimmarrëse në nivel evropian, të cilat duhet të sigurojnë një qasje gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e tyre dhe t’u sjellin përfitime, qytetarëve, vendeve anëtare të BE-së dhe marrëdhënieve me partnerët strategjikë përmes unitetit , veprimet konkrete dhe dobinë për qytetarët. Le t’i vendosim idetë e të rinjve në qendër të kërkimit dhe gjetjes së përgjigjeve për sfidat, në mënyrë që BE-ja të jetë lider në vendimmarrje”.