Inceneratorit i humbasin sërish pronarët/ Icare Holding: Nuk jemi aksionerë tek Geogenix

Zhvillime të bujshme në aferën e inceneratorit. Kompania zviceriane Icare Holding mohon zyrtarisht që të ketë aksione në koncesionin e inceneratorit të Tiranës. Përmes një dokumenti të siguruar ekskluzivisht nga Kapitali.al, Icare deklaron se është kontaktuar se para dy vjetësh është kontaktuar nga kompania Geogenix për të gjetur paratë e financimit të projektit, gjë që dështoi ashtu siç dështoi dhe marrëveshja për të qenë aksionere.

“Në maj 2022, lcare Holding SA u mandatua nga GeoGenix BV me qëllim ndërtimin e një inceneratori në Tiranë me kushtin që Icare Holding SA të sigurojë financimin e veprës. Financimi i impiantit nuk pati sukses dhe për këtë arsye Icare Holding SA doli nga projekti në nëntor 2023,” thuhet në deklaratën zyrtare të Icare Group.

Lëmsh pronarësh

Koncesioni i inceneratorit të Tiranës zotërohet nga kompania Integrated Energy BV SPV, e cila është e regjistruar në Shqipëri në formën e shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar. Pronari i Integrated Energy me 100 për qind të aksioneve është një shoqëri e quajtur Geogenix BV, e cila është e regjistruar në Hollandë.

Sipas dokumentave zyrtare të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Geogenix BV është në pronësi të tre aksionerëve. 40 për qind të aksioneve të saj zotërohen nga shoqëria italiane Bruno Presezzi SPA, 40 për qind të tjera nga Icare Holding SA dhe 20 për qind nuk dihet. Rrjedhimisht në letra zyrtare, kjo është dhe struktura e pronësisë së koncesionit të inceneratorit të Tiranës.

icare

Por Icare Holding thotë se ajo nuk zotëron asnjë aksion tek kompania Geogenix në Hollandë duke sqaruar dhe pozicionin e Blerim Hoxhës. “BIerim Hoxha nuk është punëtor dhe as aksioner në Icare Holding SA. Blerim Hoxha nuk ka luajtur asnjë rol në këtë projekt të braktisur. Vini re se Icare Holding SA ka një kompani në Shqipëri, të quajtur Icare Energji S.h.a. Kjo kompani nuk ka rreptësisht asnjë lidhje me projektin e inceneratorit,” thuhet në deklaratën zyrtare të Icare Holding.

Paralajmërim për padi

Emri i Icare Holding si një nga aksionerët e inceneratorit të Tiranës doli për herë të parë në prill të vitit të kaluar, kur në Qendrën Kombëtare të Biznesit u lajmërua ndryshimi i përfituesve fundorë të kompanisë Integrated Energy BV SPV. Sipas dokumentave rezultonte se Icare Holding s.a  kishte hyrë si aksionere me 40 për qind.

Pronari i Icare Holding është një biznesmen zvicerian i quajtur Max Abitbol, i cili ka aktivitet kryesisht në fushën e energjisë. Në tetor të vitit 2022, Icare Holding rezulton të ketë themeluar në Shqipëri kompaninë Icare Energji sha, administrator i të cilës rezulton Blerim Hoxha. Edhe pse emri i kompanisë Icare dhe ai i zotit Hoxha u përmendën gjerësisht në median shqiptare gjatë asaj kohe, kompania zviceriane nuk kishte reaguar asnjëherë deri më sot ndaj këtyre lajmeve.

Por emri i Blerim Hoxhës ridoli sërish në publik, kur u përmend edhe nga Arben Ahmetaj gjatë intervistës së tij me Çim Pekën. Kjo me sa duket ka shkaktuar reagimin e kompanisë zviceriane, e cila tani paralajmëron dhe veprime ligjore.

blerim

“Zbulojmë me habi të madhe informacione të rreme për Icare Group dhe zotin Blerim Hoxha në disa lajme shqiptare. Ne rezervojmë të gjitha të drejtat tona në gjykatat civile dhe penale kundër informacioneve të rreme që cenojnë reputacionin e lcare Group dhe z. Blerim Hoxha. Ne posaçërisht rezervojmë të drejtat tona ndaj z. Arben Ahmetaj, shtetas shqiptar me banim në Zvicër, para gjykatave zvicerane,” përfundon deklarata e firmosur nga presidenti i Icare Group, Max Abitbol.

Koncesioni i inceneratorit të Tiranës faktohet çdo ditë e më shumë si një lëmsh i madh korruptiv dhe mashtrimi. Deklarata zyrtare e Icare Holding se ajo nuk është aksionere tek kompania Geogenix do të thotë se struktura e pronësisë së inceneratorit të Tiranës, që paraqitet zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit është e rreme. Inceneratorit i kanë humbur sërish pronarët. Edhe pse opozita, por jo vetëm ajo e kanë të qartë përgjigjen.

Pronarët e vërtetë të inceneratorit të Tiranës gjenden në Tiranë, në bulevardin nga Kryeministria tek bashkia e Tiranës. Ose tek dy qendrat e Tiranës siç tha Arben Ahmetaj në intervistë me Çim Pekën./ kapitali.al

Artikulli paraprakArthur Schopenhauer, “Arti i të qenit i lumtur”, që vjen nga domosdoshmëria për të qenë të rrethuar nga gëzimi
Artikulli tjetërA nuk vriten kështu edhe kriminelët, mes vedi?