“Epidemi” dëmtimesh për kuqezinjtë

Lodhja e Europianit ka nisur të lerë shenjë në radhët e futbollistëve shqiptarë, që militojnë në Serinë A italiane. Ngarkesa e madhe fizike dhe mungesa e një pushimi për të rikuperuar forcat, ka sjellë tri dëmtime të njëpasnjëshme të kuqezinjve. Elseid Hysaj vuan nga shqetësimi në muskujt aduktorë dhe u detyrua t’i lerë vendin në formacionin titullar te Napoli veteranit Maggio, për sfidën e kësaj të hëne ndaj Sassuolos. Pushim i detyruar dhe disa ditë për t’u rikuperuar për mbrojtësin kuqezi pas problemeve në muskujt e brendshëm të kofshës, ndërsa pritet edhe një diagnozë e saktë nga stafi mjekësor i “të kaltërve”, për të mësuar më tepër rreth periudhës së rikuperimit.
Prej një lëndimi muskulor vuan edhe Frederik Veseli. Mbrojtësi, i cili është kthyer në titullar absolut te Empoli u detyrua të largohej përpara kohe, në sfidën e së shtunës ndaj Milanit. Gjendja e 24-vjeçarit mbetet për t’u vlerësuar, ndërsa stafi teknik pritet të mos e rrezikojë në ndeshjen e Kupës së Italisë përballë Cesena-s, me shpresën se Veseli do të rikuperohet në kohë për duelin e të dielës së ardhshme ndaj Sassuolo-s.
Disi më shqetësuese gjendja e portierit Etrit Berisha, që prej disa ditësh është stërvitur i diferencuar te Atalanta, prej shqetësimeve në gjurin e djathtë. Gardiani kuqezi nuk ishte pjesë e skuadrës, në fitoren 2-0 në fushën e Bologna-s. Në suksesin e pestë radhazi në Serinë A, Berisha u detyrua t’i linte vendin e titullarit Sportiello-s, me portierin shqiptar që shpreson të rikuperohet në kohë, për duelin e radhës, në fushën e Juventusit kryesues. Për fat të mirë, dëmtimet e Hysajt, Veselit dhe Berishës nuk ndikojnë te kombëtarja shqiptare, me kuqezinjtë që do të rikthehen në aksion në ndeshjen kualifikueset të Botërorit, më 24 mars ndaj Italisë në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos.

Artikulli paraprakHistoria e Nexhmijes me prostituta e fashistë
Artikulli tjetërMigjen Basha: Humbje e padrejtë në Verona