Migjen Basha është shndërruar në një prej elementëve më të rëndësishëm të Barit në Serinë B italiane. Mesfushori kuqezi, që mbetet një prej zërave më autoritarë brenda skuadrës, u shfaq i zhgënjyer pas disfatës 1-0 në fushën e Verona-s, përballje që u vendos nga Giampaolo Pazzini. Pas sfidës mesfushori shqiptar u shpreh i keqardhur për humbjen, duke thënë se “kushdo që e pa ndeshjen, është i bindur se nuk duhej të kishte përfunduar në këtë mënyrë”.
“Na vjen vërtet keq, por në disa raste futbolli është i padrejtë”, tha Migjen Basha. Sipas tij “Bari krijoi të paktën katër raste të pastra për gol në Verona dhe pas paraqitjes së bërë nuk duhej të ishte larguar nga fusha pa marrë asnjë pikë”. Me Colantuono-n në stol, 29-vjeçari duket i rilindur, ndërsa meritë të padiskutueshme ka trajneri, i cili i ka besuar mesfushorit ekspert çelësat e mesit të fushës.
“Me trajnerin po punojmë trefish më tepër, sepse më përpara na mungonte intensiteti në fushë”, deklaroi Basha, i cili theksoi se tashmë ka rigjetur formën më të mirë, pas problemeve në fillim të sezonit, prej lodhjes fizike dhe përgatitjes së pjesshme gjatë verës, që lidhej me pjesëmarrjen e kombëtares shqiptare në finalet e Kampionatit Europian.
Në fund, mesfushori i kërkoi skuadrës që të mos demoralizohet nga humbja me Veronën, por të shfaqet e bindur në potencialin që zotëron, duke nisur prej transfertës së radhës në fushën e Salernitanës, ku Bari do të kërkojë fitoren, për t’iu afruar zonës “play off” në garën për skuadrat që sezonin e ardhshëm do të ngjiten në elitën e futbollit italian.