Ajeti debuton në kupë me Torinon

Debutimi i Arlind Ajetit me Torinon në një ndeshje zyrtare mund të vijë në raundin e 1/16-ave të Kupës së Italisë. Këtë të martë skuadra “Granata” sfidon në stadiumin “Olimpico”, Pisën, me trajnerin Sinisa Mihajloviç që në këtë takim pritet t’u japë mundësi aktivizimi lojtarëve që kanë luajtur më pak deri në këtë fazë të sezonit. Në këtë mënyrë mbrojtësi i kombëtares kuqezi mund të bëjë debutimin e tij me Torinon në një derbi shqiptarësh sepse në krahun  tjetër aktivizohen sulmuesi Edgar Cani dhe portieri i përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani. Ajeti edhe pse shkëlqeu në miqësoret e verës me skuadrën “Granata” për shkak të një dëmtimi humbi fillimin e sezonit me Torinon. Prej më shumë se 1 muaji, 23-vjeçari shqiptar është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi, por duke qenë se skuadra po ecën me një ritëm shumë të mirë Ajeti nuk ka arritur të luajë qoftë edhe 1 minutë të vetme në këtë sezon të Serisë A.
Në ndeshjen ndaj Pisës së Genaro Gattusos, ish-lojtari i Baselit ka shanse të mira të marrë vendin e Rossettinit në qendër të prapavijës së skuadrës “Granata”. Pavarësisht problemeve të shumta financiare, Pisa këtë fundjavë arriti të rikthehej te fitorja në Serinë B, pas 9 takimesh dhe 5 ndeshjeve që nuk gjente rrugën e rrjetës. Skuadra e Genaro Gattusës për meritë edhe të dyshes Cani-Ujkani mposhti 1-0 Trapanin në shtëpi, duke iu larguar fundit të klasifikimit. Sulmuesi i kombëtares kuqezi ishte njeriu asist në golin e fitores të realizuar nga Eusepi. Megjithatë në prag të ndeshjes ndaj Torinos, takim të cilin Ujkani dhe Cani pritet ta nisin si titullarë problemet janë të shumta për skuadrën zikaltër. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Pisa nuk ka para për grumbullimin në qytetin verior, por ndeshja ndaj skuadrës “Granata” nuk është dyshim sepse skuadra e Genaro Gattusos do të zbresë rregullisht në fushë.

Artikulli paraprakMigjen Basha: Humbje e padrejtë në Verona
Artikulli tjetërUnited ngec sërish