Komisoni për zgjedhoren, Foltorja bllokon punimet/ Jupi: Teatri i radhës, kaosi i shkaktuar për interesa personale

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Taulanda Jupi thotë se bllokimi që deputetët e Foltores i bënë këtë të martë, punimeve në komisionin e reformës zgjedhore, ishte thjesht teatri i radhës, që në thelb u zhvillua për interesat e tyre personale.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Jupi u shpreh se në komisionin e reformës zgjedhore janë të gjitha flukset opozitare të përfaqësuara dhe kërkesa e deputetëve të Foltores për zëvendësimin e bashkëkryetarit, është thjesht një artificë.

Sipas Jupit, me reformën aktuale zgjedhore, nuk mund të shkohet në zgjedhje.

“Mazhoranca është komode në këtë konflikt, që në thelb nuk ka ngritjen e një komisioni të ri për reformën zgjedhore. Ajo që pamë sot, ishte vazhdimi i asaj që kemi parë të gjithë këto kohë. Një pjesë deputetësh, në vend të interesit të përgjithshëm, bëjnë të kundërtën, i shërbejnë asaj agjende që Edi Rama kërkon. Po t’i shikosh, qoftë Gjiknuri, qoftë deptuetët e Rithemelimit, kanë qenë në sinkron. Ai që shikojmë aty, është teatri i radhës. Ajo që po ndodh nuk i shërben betejës opozitare për një ligj të ri zgjedhor. Po shikojmë një teatër për interesa personale. Arsyeja pse bëhet kjo shfaqja teatrale, ka vetëm në thelb agjenda personale. Kemi deputetë që nuk duan ndryshimin e sistemit dhe janë kundër hapjes së listave, flas për pjesën më të madhe. E gjithë kjo betejë nuk ka në thelb nevojën për të çuar në komision këtë nevojë të tyre.

Zëvendësimi i bashkëkryetarit është artificë. Qytetarët shqiptarë po e kuptojnë dita ditës, që ajo që e ka dëmtuar më shumë Partinë Demokratike dhe opozitën, ka qenë mungesa e koherencës në veprimet politike. Ajo për të cilën Partia Demokratike qëndron fort, është një platformë me listat e hapura, votat e Diasporës, Shqipëria një zonë zgjedhore. Në këtë situatë, nuk zhvillojmë dot zgjedhje.

Aty në komisionin e reformës zgjedhore janë të gjitha flukset opozitare të përfaqësuara. Nuk është e gjithë beteja që ata të përfaqësohen, sepse askush nuk e ka penguar. Sot e gjithë kjo betejë nuk është çështje parimore, por ka në thelb agjendën personale. Thonë që janë deputetë të Partisë Demokratike, por sot në atë parlament nuk po përfaqësojnë interesin e tyre. Të votojnë qytetarët se kë duan të çojnë në parlament”, theksoi ajo.

Artikulli paraprak“Kemi lindur si parti euroatlantike dhe do të qëndrojmë të tillë”/ Basha: PD është oferta e duhur për Shqipërinë
Artikulli tjetërVOA/ Sondazh amerikanë: Shumica dërmuese e shqiptarëve kanë besim të lartë te SPAK!