United ngec sërish

Manchester United nuk di më të fitojë në “Old Trafford”. “Djajtë e Kuq” regjistruan barazimin e 4-t radhazi në shtëpi në Premier League pasi nuk shkuan më shumë se rezultati 1-1 në sfidën përballë West Ham United. Mungesa e qetësisë përpara portës e lojtarëve vendas, por edhe ndërhyrjet fantastike të portierit irlandez Darren Randolph ishin dy faktorët kryesorë që i mohuan fitoren skuadrës së Jose Mourinhos. “Special One” e ndoqi nga tribuna pjesën më të madhe të kësaj sfide pasi u përjashtua nga fusha nga gjyqtari Moss në minutën e 27-të për faktin se goditi një shishe, i nervozuar nga një karton i verdhë i dhënë nga arbitri për Paul Pogba. I njëjti gjyqtar e kishte nxjerrë nga fusha Mourinhon në një ndeshje ndaj West Ham-it edhe kur ishte pjesë e Chelsea-it. Sfida e “Old Trafford” nisi në malore për Manchester-in. “Djajtë e Kuq” u ndëshkuan që në minutën e 2-t nga Sakho.
Sulmuesi nga Senegali shfrytëzoi një harkim të Dimitri Payet duke i shpëtuar mbulimit të Ibrahimoviç për avantazhin e West Hamit. Megjithatë shtatlarti suedez e shleu shumë shpejt gabimin në rastin e golit të parë të skuadrës së Slaven Bilic duke vendosur baraspeshën në minutën e 21-të.
Ibra i shërbyer nga Pogba goditi saktë me kokë duke realizuar golin e tij të 7-të në këtë sezon të Premier League. United bëri gjithçka për ta fituar këtë sfidë, por as hyrja në fushë e Rooney dhe Mkihtarayn në fraksionin e dytë nuk e ndihmoi Manchesterin të gjente golin e fitores, pasi Randolph me pritjet e tij të shkëlqyera, por edhe fati nuk ishin në krahun e “Djajve të Kuq”. Mesfushori armen madje goditi shtyllën në minutën e 77-të, me Lindgard që arriti ta shtynte topin drejt rrjetës, por ishte në pozicion jashtë loje në momentin e gjuajtjes së Mkhitaryan. Në fund United rrezikoi ta humbiste ndeshjen pasi West Hami iu afrua disa herë golit. Me këtë barazim skuadra e Jose Mourinhos vazhdon të mbetet në vendin e 6-t tashmë në kuotën e 20 pikëve.
Fjalët e Herrerës në përfundim të ndeshjes tregojnë me të vërtetë shumë. “Një tjetër ndeshje që përfundon si të tjerat. E kontrollojmë tërësisht takimin që nga vërshëllima e parë. Ata shënojnë një gol me fat dhe pas tij, ne kemi kontrollin dhe krijojmë raste. Portieri i tyre ishte më i miri edhe një herë tjetër. Kështu ndodhi ndaj Stokut, Bërnlejt dhe Arsenalit.
Nuk e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të fituar një ndeshje”, tha i dorëzuar mesfushori spanjoll. “Kemi më shumë zotërim topi se kundërshtarët. Sinqerisht, nuk e di çfarë po ndodh. Unë kam pasur një seri të tillë rezultatesh, por kur nuk kemi luajtur mirë. Në futboll vlejnë golat dhe ne nuk po i bëjmë”, tha Herrera.

Artikulli paraprakAjeti debuton në kupë me Torinon
Artikulli tjetërSi u persekutuan firmëtarët e Pavarësisë