Shqipëria bëhet përsëri pritëse e një turneu “UEFA Development U-16” për djem. FSHF ka shprehur edhe një herë gatishmërinë që të presë një aktivitet të tillë, që u mundëson kombëtareve të vendeve vogla që të përgatitin futbollistët e të ardhmes.
FSHF ka konfirmuar se këtë vit, miniturneu do të zhvillohet në datat 1-7 mars, me ndeshjet që do të luhen në “Shtëpinë e Futbollit”. Ajo që bie në sy është fakti se për këtë edicion, kundërshtarët e Shqipërisë U16 janë Kosova, San Marino dhe një skuadër nga Ishujt Karaibe, më saktësisht Belize, e cila do të paraqitet në këtë turne me ekipin e saj të kësaj grupmoshe.
Kjo do të jetë një mundësi tjetër që trajneri Ardi Behari të provojë disa elementë që mund të jenë të vlefshëm për përfaqësuesen U17 në të ardhmen, ndonëse duhet theksuar se përveç Kosovës, pritet të ketë pak rivalitet në dy ndeshjet e tjera të turneut për kuqezinjtë.
KALENDARI
San Marino-Kosovë 02.03.2024, ora 11:30
Shqipëri-Belize 02.03.2024, ora 14:30
Belize-San Marino 04.03.2024, ora 11:30
Shqipëri-Kosovë 04.03.2024, ora 14:30
Kosovë-Belize 07.03.2024, ora 11:30
Shqipëri-San Marino 07.03.2024, ora 14:30