Rezervuari masiv i hidrogjenit i zbuluar nën një minierë shqiptare po bën xhiron e Botës. Bulqiza nuk po lakohet vetëm si një nga minierat më të mëdha të kromit në Tokë, por edhe si vendi që përmban gjithashtu një rezervuar të madh hidrogjeni, një burim potencial i energjisë së pastër.
Në studimin e ri, shkencëtarët zbuluan rezervuarin falë reve të mëdha të gazit të hidrogjenit që rrjedhin nga pellgjet e ujit brenda minierës së Bulqizës.
Laurent Truche, profesor i Universitetit Grenoble Alpes në Francë u shpreh se ajo që kanë vëzhguar në minierë të lë pa fjalë.
“Ne kemi parë shumë burime hiper alkaline në mbarë botën. Ajo që ne kemi vëzhguar thellë në minierë është një dimension tjetër dhe shndërron një pishinë kulluese brenda një galerie miniere në një xhakuzi 30 metra katrorë që të lë pa frymë, që gufon me hidrogjen pothuajse të pastër”, tha Truche.
Sipas studimit, deri në 55,000 ton hidrogjen mund të fshihen në rezervuarin nën minierë – mjaftueshëm për të mbajtur rrjedhën e lartë për 238 vjet, sipas studimit.
Por hidrogjeni i Bulqizës veçohet nga ai që sot prodhohet kudo në Botë. Biznesi i sotëm i hidrogjenit është shumë ndotës. Rreth 90 milionë tonë hidrogjen prodhohen çdo vit, duke siguruar të ardhura prej mbi 150 miliardë dollarë.
Pse është i rëndësishëm hidrogjeni? Përveç përdorimit për përpunimin e naftës dhe prodhimin e metanolit për përdorim në plastikë, hidrogjeni shfrytëzohet për prodhimin e pothuajse të gjithë amoniakut industrial të botës.
Ky i fundit është përbërësi kryesor në plehrat kimike. Pa praninë e tij, bie prodhimi bujqësor dhe me qindra miliona njerëz do të vuanin nga uria.
Problemi është se hidrogjeni nuk është si energjia elektrike e rinovueshme. Këshilli i Hidrogjenit, një konsorcium industrial, llogarit se rreth 350 projekte të mëdha janë duke u zhvilluar globalisht për prodhimin e hidrogjenit të pastër.
Djegia e një kilogrami hidrogjen, siguron 2.6 herë më shumë energji se djegia e një kilogrami gaz natyror. Deri më sot nuk ka asnjë burim natyror të hidrogjenit. Nuk e dimë ende nëse një i tillë është në Bulqizë.
Kur bëhet fjalë për aviacionin dhe transportin, roli i hidrogjenit është një çështje debati: British Airways përfundoi fluturimin e parë me energji të furnizuar nga qeliza karburanti të hidrogjenit.
Operatorët e trageteve në Norvegji dhe në bregun perëndimor të Amerikës, tani po eksperimentojnë me tragete që furnizohen me qeliza karburanti të hidrogjenit, për kryerjen e distancave të shkurtra.
Airbus, prodhuesi europian i avionëve, po ofron mbështetjen e tij të plotë për hidrogjenin. Ai konfirmoi një plan për të furnizuar avionët duke përdorur hidrogjen, deri në vitin 2035. Parashikohet se hidrogjeni mund të përdoret për të furnizuar trenat deri në vitin 2030.
Ekspertët e krahasojnë ekonominë e hidrogjenit me një volant të rëndë: “Duhet më shumë përpjekje për ta rrotulluar atë, por sapo fiton ritëm, rrotullohet pa problem”.