Politologu Ilir Kalemaj duke komentuar në MCN Live vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit Blinken në Shqipëri tha që vendi ynë konsiderohet si i vetmi shtet i stabilizuar në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur fuqi malinje po shtrijnë aktivitetin e tyre.
Kalemaj tha se mund të përdoret ky moment i vizitës së Blinken për të lëshuar urdhër-arreste të reja nga SPAK.
Sipas politologut, kërcënimi më i madh për SPAK-un sot nuk janë deklaratat e opozitës, por është dëshira e mazhorancës për ta kontrolluar.
“Duke iu referuar vizitave të mëparshme të sekretarëve të shtetit ato kanë qenë ose për të paralajmëruar një ndryshim politik rrënjësor, siç ka qenë vizita e Baker në fillim të viteve 90’, ose kanë qenë për arsye të caktuara gjeopolitike, siç ka qenë vizita e John Kerry-t për MEK-un apo afganët e kështu me radhë. Shqipëria ka një axhendë rajonale, dhe kjo u reflektua në takimin Shqipëri-BE që u mbajtën në Tiranë dhe Procesit të Berlinit, kjo pasi Shqipëria është i vetmi shtet i stabilizuar në Ballkanin Perëndimor. Duhet thënë që ka fuqi malinje, destabilizuese, që po shtrijnë aktivitetin e tyre nga Serbia në Malin e Zi, nga Maqedonia e Veriut në Bosnjë, dhe Kosova s’ka si të jetë imune ndaj këtyre kërcënimeve, pasi forca paramilitare janë duke ushtruar aktivitet aty. Shqipëria është një ishull i stabilitetit rajonal, sa i përket të paktën politikës së jashtme, dhe ankorimit 100 për qind me BE-në dhe NATO-n, pavarësisht se cila qeveri ka qenë. Është përfolur këto ditë se do ketë akuza të reja nga SPAK ndaj eksponentëve të lartë politikë.
Mund të përdoret edhe si një moment për të lëshuar pse jo edhe urdhër-arreste të reja, ku do kishim një ritëm tjetër të SPAK-ut sa i takon procedimeve penale.
Natyrisht Yuri Kim rivjen në Shqipëri si shefe e ambasadorëve të Europës. Ajo e njeh mjaft mirë situatën politike të aktorëve në Shqipëri, e ka të qartë retorikën politike. Kërcënimi më i madh që i vjen SPAK-ut nuk janë deklaratat e opozitës, por është nga dëshira për ta kontrolluar për të parandaluar rënien e peshqve të tjerë të mëdhenj që do ta gërryenin legjitimitetin e kësaj qeverie. Nëse në kampin përballë kemi kreun e opozitës që ka marrë një nga non grata-t, nga ana e mazhorancës kemi edhe dënime me formë të prerë të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës. Ata i druhen një lloj kërbaçi të maskuar me karotë. Për Tiranën është Dumani, ky është lajmi. Kam parë nga proqeveritarët kumte se është shfajësim i Ramës për McGonigalin! Ky s’është asnjë lloj shfajësimi! DASH ka rrugën e vet, prokurori ka rrugën e vet”.