Rruga e PD-së nuk është e lehtë, por, në dallim nga ata që janë përballë, nuk është e pamundur

Nga Namir Lapardhaja

Sot situata në PD është shumë herë më e qartë se dje.

Nga një anë, është Sali Berisha, non grata, i izoluar dhe i mbyllur nga komunikimi me çdo kancelari evropiane, me një pjesë të militantëve që e ndjekin nga pas, kryesisht njerëz anakronik që jetojnë me një të shkuar të lavdishme, që ose s’ka qenë kurrë e tillë, ose e jetojnë si të tillë, për shkak të zhgënjimeve të shumta dhe për shkak të pamundësisë së ardhjes në pushtet deri më tani.

Përveç këtyre, ata që janë “bashkuar” sot, nuk janë realitete elektorale, por realitete pazaresh dhe karrigesh.

Shumica e tyre kanë vajt atje si armiq për vdekje të Berishës, që shpresojnë të përfitojnë ç’të mundin nga ajo që do ngelet pas perëndimit të zenitit të tij politik. Koha do ta tregoj se sa të pavlerë kanë qenë dhe do jenë.

Realiteti tjetër, është ai i PD zyrtare, që ka probleme dhe vështirësitë e saj, por rrugën e ka të hapur për t’u shndërruar në alternativë dhe në shumicë, sepse nuk ka as ferra nëpër këmbë as frikëra me të cilat do të mbulojë dukjen e saj.

Sigurisht që nuk e ka të lehtë, por, në dallim nga Berisha, nuk e ka të pamundur.

Rruga do jetë e vështirë, por nëse do dihet për të vajtur te zemrat e njerëzve dhe për t’i shkundur nga plogështia dhe angështia, do jetë e realizueshme.

Nëse grupi i Berishës, i flet një pjese të vogël të shoqërisë, pjesa e PD zyrtare mund të bëhet zëri i qytetarëve shqiptar dhe i interesave të tyre.

Nëse grupi i Berishës, është një klan dhe sekt i mbyllur, që luftojnë sot me njëri-tjetrin, por do ta shtojnë edhe më shumë luftën dhe përplasjen në një kohë të dytë, PD zyrtare mund të bëhet dhe i ka të gjitha mundësitë për t’u hapur dhe për të bërë një koalicion të gjerë, jo vetëm me partitë dhe protagonistët e rinj të politikës, por edhe me ata të vjetrit, që mbartin mbi supet eksperiencën e këtyre viteve.

Ravijëzimi i dy grupeve të qarta dhe hedhja tej e hipokrizisë, është në të mirën e PD dhe të opozitës, që ndarjen me Berishën e ka esenciale. Tashmë mund ta shndërrojë edhe si kauzë, duke mbledhur rreth vetes të gjithë shoqërinë që e ka abandonuar PD pikërisht për shkakun e Berishës.

Artikulli paraprak“Je me SPAK apo mendon se është SKAP dhe organizatë kriminale”/ Gentian Gaba: 9 shtatori, e vetmja gjë që ka ndodhur përgjatë dy viteve në politikë
Artikulli tjetërPas 16 mijë vdekjeve shtesë nga pandemia, bien ndjeshëm fatalitetet në 2023, niveli më i ulët në 12 vjet