Asnjë lajm nga Asambleja e PS, vetëm nga SPAK mund të ketë

Nga Ervis Iljazaj

Mediat në këto ditë janë munduar të nxjerrin ndonjë lajm domethënës nga Asambleja e PS-së. Në fakt ishte një sforcim, pasi asnjë lajm nuk prodhoi Partia Socialiste nga Asambleja e saj. Të vetmet lajme që rrodhën ishin disa kritika të hapura që Edi Rama bëri kundrejt disa deputetëve, sepse, sipas tij nuk kishin punuar siç duhet, dhe batuta që bëri ai kundrejt Erion Veliaj.

Shumë pak për ta konsideruar një mbledhje domethënëse politike. Ndoshta dikush priste ndonjë përçarje të mundshme, apo përplasjen e grupeve të ndryshme brenda saj. Por as kjo nuk ndodhi. Ajo parti tashmë nuk prodhon më asnjë lajm. E gjithë partia është nën pushtetin absolut të Edi Ramës dhe asgjë nuk lëviz pa miratimin e tij. Madje, brenda Partisë Socialiste nuk ka më as garë për numrin dy. Nëse përpara disa vitesh flitej për pasardhës të Edi Ramës dhe media projektonte emra të caktuar, tanimë as ky diskutim nuk bëhet më. Sot, në Partinë Socialiste nuk kuptohet se cili do të jetë pasardhësi I tij. Vetë Edii Rama i ka balancuar pushtet brenda partisë, pikërisht për mos të dalluar asnjë individ i pushtetshëm.

Në këtë kuptim, të vetmet lajme që prodhoi ajo mbledhje ishte një nisje fushate e parakohshme, edhe pse Partia Socialiste duket në pozita komode për zgjedhjet e ardhshme. Shumë shpejt për të nisur fushatën për një parti kaq të fortë. Ndoshta politika na rezervon ndonjë surprizë në këtë drejtim.

Kështu që përpjeka e medias për të nxjerrë ndonjë lajm domethënës u reduktua në një show personal të Edi Ramës, të cilin sigurisht e përdori për të dhënë mesazhet që ai dëshironte. Në këto kushte është e kotë të presësh ndonjë zhvillimi të rëndësishëm brenda asaj partie përveç faktit se është ‘’dhjamosur’’ në rehatinë e pushtetit. Dhe ndoshta Rama pikërisht për t’i tundur nga kjo rehati ka bërë dhe ato pak kritika që bëri.

Te vetmet lajmë që mund të vijnë për PS-në, janë lajmë që priten nga SPAK. I vetmi institucion që ka në dorë ndoshta të vërë në lëvizje Partinë Socialiste me hetimet kundër korrupsionit. Dhe të vetmin problem që ka kjo parti sot, është pikërisht ky aktor i ri në skenën e pushtetit në Shqipëri. Vetëm hetimet dhe lufta e ndaj korrupsionit ndaj pushteti mund të prodhojë ngjarje, nëse vazhdon me ritmet që ka ecur deri më sot. Nëse jo, asgjë e re nuk ndodh të ndodh.

Madje, jo vetëm për Partinë Socialiste, por për të gjithë politikën shqiptare. Fatkeqësisht, siç është kristalizuar politika , me Partinë Socialiste super të fortë dhe me opozitën në vështirësi, i vetmi institucion që mund të prish rendin është SPAK me hetimet e tij.

Këtë gjë e di shumë Partia Socialiste dhe politika në Shqipëri. Jo më kot, sot nuk ka më një ndarje politike, por një ndarje pro ose kundër SPAK. Drejtësia është kthyer në të vetmen shpresë për shoqërinë shqiptare, për të reformuar politikën. Normalisht nuk duhet të ishte kështu, por ekstremet sjellin ekstreme. Ndaj përpjekja e klasës politike për të luftuar SPAK është e plotë dhe ka filluar. Sepse e ndjejnë si armikun e tyre të vetëm. Nëse dhe ky armik bie, atëherë apatia politike do të përfshijë gjithë të ardhmen e politikës dhe shoqërisë shqiptare.

/Liberale.al/

Artikulli paraprakPas 16 mijë vdekjeve shtesë nga pandemia, bien ndjeshëm fatalitetet në 2023, niveli më i ulët në 12 vjet
Artikulli tjetërFruti ‘magjik’ i Mesdheut! Njihuni me përfitimet e jashtëzakonshme në shëndet të ullirit