Merkel-Ramës: Ke problem me krimin, korrupsionin e zgjedhjet

Kancelarja Merkel deklaroi përpara takimit me Ramën se cili ishte qëndrimi i Gjermanisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ajo nënvizoi pesë prioritetet e Brukselit dhe iu përmbajt shtatë kushteve të lexuara në Tiranë nga Kryetari i grupit parlamentar CDUI-CSU, Krichbaun. “Lufta kundër krimit dhe korrupsionit janë hapa që duhen kryer në mënyrë të përhershme. Kam parasysh edhe zgjedhjet që do të ketë Shqipëria”, tha Merkel.
Ajo që Rama nuk do të kishte dashur ta dëgjojë nga goja e Merkel ishte pikërisht kushti për zgjedhjet dhe deklarata për krimin e korrupsionin. Merkel nuk ka pritur fundin e takimit për të bërë deklaratën para mediave. Ajo ka nxituar që në fillim të bëjë qëndrimin e Gjermanisë. Në asnjë rresht të deklaratës së shkurtër të saj para mediave, ajo nuk tha se Berlini do të votojë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Në komentet e saj, Kancelarja Merkel ka folur për pesë prioritete: luftës kundër krimit, luftën kundër korrupsionit, për reformën në drejtësi sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, me qëllim që Shqipëria të integrohet në BE.
Edhe pse ajo nuk i ka përmendur me emër shtatë kushtet e Bundestagut të njoftuara nga Kryetari i Komitetit të Bundestagut për Çështjet e BE-së, Gunther Krichbaum para pak ditësh në Tiranë, praktikisht ajo i ka konfirmuar ato pikë për pikë.
Një burim pranë zyrës së deputetit Krichbaum konfirmoi se në takim Kancelarja Merkel ka ngritur edhe problemin e drogës dhe të dekriminalizimit të politikës, duke i bërë ato kusht për çeljen e negociatave.
Edhe pse Kancelarja foli për krimin, korrupsionin dhe zgjedhjet e lira, Kryeministri Rama, zgjodhi të flasë vetëm për reformën në drejtësi dhe ligjin e vetingut. Merkel tha se KE-ja ka përmendur 5 prioritete në total, duke përmendur aty edhe zgjedhjet.
Kjo lë të kuptohet se çelja e negociatave nuk do të ndodhë në mes të dhjetorit në mbledhjen e Këshillit të BE (tubimi i shefave të shteteve anëtare) që duhet të miratojë ose jo rekomanimin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
“Është e rëndësishme që rruga e reformave të vazhdojë. KE-ja ka vendosur 5 prioritete dhe ndër to është reforma në drejtësi. Zbatimi i qëndrueshëm i kësaj reforme është kusht për integrimin. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit janë hapa që duhen kryer në mënyrë të përhershme. Kam parasysh edhe zgjedhjet që do të ketë Shqipëria. Unë besoj që janë arritur gjëra të rëndësishme. I uroj mirëseardhjen kryeministrit shqiptar dhe më detajisht do të diskutojmë më vonë”, tha Merkel.

Basha: Mirënjohje Merkelit për mbështetjen

Kryetari i opozitës ka reaguar pas deklaratave në Berlin të Kancelares gjermane për luftën ndaj krimit, korrupsionit dhe zgjedhjeve. “Partia Demokratike dhe unë do të marrim përgjegjësinë tonë në gjendjen ku ndodhet vendi”, tha Basha duke dhënë siguri për reformën në drejtësi dhe zgjedhjet. Kryetari i opozitës i ka shprehur mirënjohje kancelares gjermane për mirëkuptimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në rrugën e integrimit të Shqipërisë.
“Shqipëria është me fat që ka mbështetjen e Gjermanisë në përpjekjet e saj për përparim dhe integrim europian. Ne i jemi veçanërisht mirënjohës Kancelares Merkel për mirëkuptimin dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj Shqipërisë.
Dua ta siguroj Kancelaren dhe popullin gjerman, se shqiptarët janë të vendosur të përqafojnë të gjitha vlerat europiane dhe të ndërtojnë një shoqëri të denjë për të gjithë, duke luftuar krimin, drogën, korrupsionin dhe duke e çliruar politikën prej tyre.
Partia Demokratike dhe unë do të marrim përgjegjësinë tonë në gjendjen ku ndodhet vendi, veçanërisht për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatimin sa më parë të reformës në drejtësi”, tha Basha.

Krichbaum fundos Ramën

Gjatë ditës së sotme, kur Kryeministri Edi Rama ndodhej në një takim në Berlin me Kancelaren Angela Merkel, deputeti i Bundestagut gjerman, Gunther Krichbaum ka publikuar në faqen e tij zyrtare në internet një shënim për “shuplakën” që i dha qeverisë shqiptare për negociatat.
Ai ka publikuar konferencën e plotë të shtypit që dha në Tiranë javën e kaluar, pas pretendimeve për spekulime që pati nga eksponentë të mazhorancës.
“Para se të fillojnë negociatat e Shqipërisë me BE-në për anëtarësim, duhet të zbatohen kushtet e vendosura nga Komisioni Europian. Grupi parlamentar CDU-CSU në Bundestagun gjerman e ka rikonfirmuar këtë përmes një letre me 7 pika. Më poshtë janë videot e konferencës për shtyp, e cila është në gjuhën shqipe. Për shkak të shumë pyetjeve dhe raportimit të rremë do të doja ta publikoja”, thotë deputeti Krichbaum.

Kush mashtroi?

U bënë më shumë se 6 muaj, çdo ditë, 24 në 24 orë, që denoncojmë dhe paralajmërojmë kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij “rilindase”, se me shndërrimin e Shqipërisë në një plantacion gjigant të drogës dhe trafikut në mes të Europës dhe me korrupsionin nëpërmjet koncesioneve dhe klientëve personal, do bënte që Europa të na përplaste dyert në fytyrë tani që na erdhi radha, për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Dhe jo vetëm ne, por edhe ato pak media të tjera që nuk ka arritur t’i kapë.
Mirë zërat brenda vendit që nuk i dëgjon dhe nuk ka ndërmend, sa të vuajë nga paranoja e njeriut të rilindur për të ndryshuar Shqipërinë në themel, po “Washington Post”-in, “Zërin e Amerikës”, “New Jork Times”, “DW” e “ARD”-ja gjermane, “Corriere della Sera” e dhjetëta media të mëdha të tjera italiane e greke?
Të gjithë i thoshim me fakte, foto, reportazhe dhe dëshmi se po e shndërron Shqipërinë, jo vetëm në një rrezik për të ardhmen e popullit të saj, por edhe si të padëshirueshme për Europën.
Por nuk dëgjonte dhe me sa duket, nuk ka ndërmend ta bëjë në të ardhmen, për të zezën e tij, që në fakt pakkujt i hyn në punë dhe për fatkeqësinë e shqiptarëve që kanë 25 vjet që kërkojnë të bëhen si gjithë popujt e tjerë në këtë kontinent, ku kanë mijëra vjet që jetojnë.
“Republika Federale e Gjermanisë është përpjekur ta mbështesë Shqipërinë. Tani është e rëndësishme që kjo rrugë e nisur të vazhdojë. Këshilli i Europës ka përmendur 5 prioritete, dhe këtu bën pjesë zbatimi i reformës në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke pasur parasysh edhe zgjedhjet që ka Shqipëria. Ajo do të vihet në kontakt me OSBE-në”.
Këto janë fjalitë e shkurtra dhe të qarta që artikuloi në konferencën për shtyp Kancelarja gjermane Angela Merkel, duke e parë në sy herë pas here kryeministrin Edi Rama, i cili nuk e fshihte rrënimin nga shuplaka e fortë e paralajmëruar gjermane.
Të gjithë e dinim atë që do të ndodhte sot në mesditë në Berlin, vetëm kryeministri ynë nuk e pranonte me një kokëfortësi që kalon përtej të logjikshmes. Madje vuri në lëvizje një makineri gjigante informacioni, për të krijuar një realitet virtual mashtrues.
Shkoj edhe më tej ditët e fundit; shpiku një konspiracion ndërkombëtar me deputetë gjermanë, austriakë, holandezë e grekë, dhe natyrisht futi brenda edhe opozitën dhe mediat që nuk i nënshtrohen. Të gjithë këta armiq u “bënë bashkë” kundër liderit historik, që më në fund i erdhi Shqipërisë për ta rilindur!!.
Vetëm një ditë përpara takimit me Merkel, Rama sulmoi deputetin e rëndësishëm të partisë së saj, Gunther Krichbaum, duke e quajtur një zë të parëndësishëm, kurse më herët e kishte akuzuar si politikan skutash që përdoret nga opozita shqiptare.
Por tashmë të gjithë e mësuan se vizita e shpejtë e Krichbaun në Tiranë vetëm 4 ditë përpara takimit të Berlinit, ishte thjesht një paradhënie në detaje, për atë që do të dëgjonte Rama vetë nga goja e Merkel dhe që ne e kishim paralajmëruar prej kohësh.
Alibia e tij, se i vetmi shkak që BE-ja mund të refuzojë hapjen e negociatave është pezullimi nga Gjykata Kushtetuese i Vettingut, u shkërmoq së bashku me mashtrimet e mëdha (së fundmi po tingëllonin aq idiote sa që as vetë nuk i besonte më) se vendi ynë nuk ka drogë, korrupsion dhe krim të organizuar.
Por me atë që u pa gjatë takimit të sotëm në Berlin që ka gjasa të jetë edhe i fundi për atë si kryeministër, duket se Rama nuk ka ndërmend të reflektojë edhe pse “konspiracionit” kombëtar e ndërkombëtar kundër qeverisjes së tij të “shkëlqyer”, ju bashkua edhe vetë kancelarja Gjermane, të cilën e ka shitur deri më tani në opinionin shqiptar, si mbrojtësen dhe kumbarën e tij të madhe.
Në vend që të premtonte me artikulim të qartë se pavarësisht shtyrjes së negociatave, ai do të distancohej hapur kundër mafies së narkotrafikut, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përdori sërish gjuhën e drunjtë të shantazhit dhe fodullëkut sikur të ishte në video-selfiet që shpërndan çdo të diel.
Dhe çfarë bëri “lideri botëror” që në fakt është thjesht një kryeministër i një vendi ku të ardhurat e drogës sipas Këshillit të Europës ja kalojnë buxhetit që qeveria e tij vë në dispozicion për një sektor si arsimi?
I la për të nënkuptuar njeriut më të fuqishëm të Europës, se nëse Shqipëria vazhdon të lihet prej tyre jashtë BE-së, rrezikohet destabiliteti rajonal.
“Dua t’ju shpreh bindjen time, se për aq sa ka nevojë BE-ja, për Shqipërinë e Rajonin po aq dhe Rajoni e Shqipëria kanë nevojë për BE-në”, i tha Rama tekstualisht Kancelares gjermane.
Por pikërisht për këtë destabilitet po flasim dhe duket se është e shqetësuar Merkel; kapja dhe vënia e një shteti në mes të Europës, aspirant për anëtar, nga narkotrafiku dhe krimi i organizuar.
Destabilitetin në vendin e tyre dhe më tej, e sjellin kryeministra dhe qeveri që jo vetëm janë të korruptuara, por edhe më zi; janë të kapura nga krimi i organizuar dhe narkotrafiku, të cilin vetë Rama e ka futur në politikë, në parlament, i ka bërë kryetar bashkish apo biznesmenë-klientë, të punëve publike.
Të gjitha këto ja kemi thënë, por vetëm na ka fyer e mallkuar. Sot ja tha edhe Merkel; je mashtrues!

Artikulli paraprakBasha, nderime pranë shtatores së Ismail Qemalit
Artikulli tjetërMe bisht ndër shalë nga Berlini në Tiranë