Me bisht ndër shalë nga Berlini në Tiranë

Suksese në jetë zoti Rama

Bledi KASMI

Mund të konsiderohet një rast unik në takimet mes krerëve të qeverive kur konferencat e shtypit të zhvillohen përpara bisedimeve dhe jo në fund të tyre. Kjo ndodhi dje në Berlin. Kancelarja Merkel foli përpara se të takohej me Ramën dhe pastaj nisi edhe takimi zyrtar.
Cila ishte domethënia e këtij gjesti të Berlinit? Takimi ishte formal. Përfundimet e bisedimeve u bënë publike nga Merkel pa u biseduar fare me Ramën. Qendrimi vërtetë i Berlinit për negociatat u lexua në Tiranë katër ditë më parë nga Kryetari i shumicës në Parlamentin gjerman, Krichbaun dhe Merkel vetëm sa e konfirmoi atë pa nisur takimin me Ramën.
Nga mediat gjermane është konsideruar si konferenca më e shkurtër e Merkel në prani të një tjetër kryetari qeverie në 12 vitet e  saj si kancelare. Në ato tre minuta që Merkel foli tha ekzaktësisht 8 fjali, katër prej të cilave ishin kortezi dhe katër të tjerat kishin të bënin me pesë kushtet e Brukselit për Hapjen e Negociatave dhe kushtet e vendosura nga Berlini për zgjedhjet, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
Ato pak deklarata, tonet e fjalive, xhestikulacionet e protagonistëve të ndihmojnë të kuptosh se përse herë Rama merrte ngjyrë të verdhë në fytyrë dhe herë nxihej, herë ngërdheshej me një të qeshur të shtirë dhe pastaj emocionet e tradhëtonin duke nxjerrë në pah anën errët të një nevrasteniku psiqik.
Anashkalim dhe poshtërim i liderit global, të cilit i merrej zëri dhe i dridheshin duart deri në atë pikë sa nuk ishte në gjendje të fuste kufjen në vesh. Nervozizmi i Ramës dhe qetësia e Merkel ishin një tjetër tregues i frikës së liderit global të Surrelit dhe kohës së humbur të Merkel.
Gazetarët nuk u lejuan të bëjnë asnjë pyetje për të mos i dhënë aspak rëndësi parapërgatitjes të hartimeve me letër në dorë të Ramës si dhe për të mos lejuar keqpërdorimin politik të konferencës së shtypit me refrenin “I tha më the”. Shkurt dhe prerë, dje Rama ka marrë refuzimin më të fortë të Gjermanisë për të mos e mbështetur atë në projektin e kriminalizimit të vendit. E futën nga dera dhe e nxorrën nga dritarja. Shkoi në Berlin si partizani Meke dhe u kthye i “vrarë” nga e fundit gjermane kancelare.
Nga dita në ditë gjithnjë dhe më shumë po qartësohet qëndrimi politik refuzues i Bashkimit Europian për modelin Rama të politikës më të inkriminuar, të shndërrimit të vendit në një Kolumbi të Europës, vjedhjes së shfrenuar përmes tenderave dhe koncesioneve dhe njehsimit të kupolës mafioze në krye të qeverisë me krimin e organizuar.
Për të kuptuar dëshpërimin e Ramës pas takimit, mjafton të shikoje reagimin e të gjitha mediave të kontrolluara prej tij. Të gjitha kishin të njëjtat paragrafë ku përsëritej në gojën e Merkel, ajo të cilën nuk e tha në asnjë moment mbi Vetingun dhe nga ana tjetër censurohej pjesa thelbësore e tetë fjalive të Kancelares që kishte të bënte me zgjedhjet, luftën ndaj krimit e korrupsionit.
Po si mund të censurohet gruaja e vendit më të fuqishëm në Europë?
Askush nuk ka guxuar të censurojë mesazhet e saj. Kamikazët e shitur në rolin e prostitutave të trafikuara nga Kryeministri tentuan të kashojnë për katër ditë me rradhë kreun e shumicës në Parlamentin gjerman, Krichbaun sepse ai përmendi zgjedhjet dhe dekriminalizimin si kushte për hapjen e negociatave. Psikopati që drejton vendin tha se Krichbaun ishte një hiç. Dhe pas kafshimit të Krichbaun, dje mediat e tij censuruan edhe kancelaren.
Përgjatë gjithë këtyre ditëve Rama do vazhdojë ti bjerë fyellit në të njëjtën vrimë tek Vettingu, duke fshehur gjashtë kushtet e tjera, sepse vetëm përmes kësaj alibie ai kërkon të shfajësohet para shqiparëve për mbajtjen peng të integrimit të vendit.
Shqiptarët humbën dje në Berlin një Kryeministër dhe fituan Gjermaninë.  Sa për Ramën, ai do vazhdojë të sillet si një kufomë e pakallur edhe për pak javë. Suksese në jetë zoti Rama!

Artikulli paraprakMerkel-Ramës: Ke problem me krimin, korrupsionin e zgjedhjet
Artikulli tjetërPresidenti gjerman kërkon pezullimin e integrimit