Nuk mjafton vetëm një ditë dashuri

Nga Patrik Sadikaj

Sot, si çdo 14 shkurt, Tirana do cicërojë nga dashuria e rrugët do mbushen me lule e dhurata për ditën e dashurisë.

Një pamje e bukur, një melodi e ëmbël që në pamje të parë flet për një vend ku dashuria lumturon familjet shqiptare.

Po, padyshim që në këtë ansambël lulesh e dhuratash, ka shumë dashuri. Ani pse ka veç një ditë. Dashuria nuk është një ditë, është një përjetësi.
Por nuk dua të merrem me këtë pjesë sepse nuk e kanë gjetur zgjidhjen as shkencëtarët e as filozofët.

Dua të flas për atë që realisht ndodh në shoqërinë tonë pas perdes së bukur të 14 shkurtit.

Shumë prej atyre që sot, të kapur për dore, të mbushur me lule e dhurata, pas kësaj velloje fshehin krizën.

Atë krizë që gjatë një viti përveç një dite, e përjetojmë me drama e tragjedi.

Janë me mijëra gra e vajza që 364 ditë (minus 14 shkurtin), përjetojnë dhunë, kërcënime, bullizëm, e për pasojë mungesën e dashurisë që shumë prej burrave mendojnë se e kryejnë si detyrë vetëm në një ditë.

Pra, punë e madhe se gruaja është keq 364 ditë, mjafton një ditë që të gëzojë.

Jam i bindur se asnjë prej tyre nuk e gëzon këtë ditë.

Sytë e tyre të trishtuar fshihen pas tisit të shkëlqimit të rremë të kësaj dite.

Sot, pikërisht në ditën e dashurisë, shoqëria, institucionet, të gjithë së bashku duhet të grisim këtë perde e të kthejmë dashurinë reale të familjes, të zanafillës së saj, që është gruaja, nëna, motra, vajza.

Duhet të mendojmë se si të shpëtojmë mijëra gra që sot e çdo ditë të vitit, janë të dhunuara, të bullizuara, të shantazhuara e shumë me keq, të vrara.

Sot, pasi të ketë mbaruar histeria e drekave bajate, luleve pa aromë, dhuratave pa shkëlqim, netëve të harbuara pa ndjesi, të gjithë duhet të reflektojmë e të mendojmë për gratë, nënat, motrat e vajzat tona, për ti dashuruar e lumturuar në 365 ditë.

Dashuria e mban të fortë familjen, familja e fortë dhe e lumtur, ndërton një shoqëri të lumtur dhe me shpresë.

Artikulli paraprakVizita e Sekretarit Blinken në Shqipëri/ Yuri Kim: E përqendruar tek e ardhmja e vendit, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës
Artikulli tjetërI shërben Ramës! Reagon ashpër Pampuri ndaj Bardhit: Lindita e çoi në SHBA me paratë e Kuvendit!