Inflacioni është ulur në Janar. Të dhënat e INSTAT konfirmojnë se gjatë muajit Janari, inflacioni preku nivelin 3.4 %, më i ulëti që nga nëntori 2021. Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur indeksi i çmimeve shënoi nivelin 7.2% niveli i inflacionit pothuajse është përgjysmuar.
Eksperti për ekonominë, Selami Xhepa theksoi në një intervistë për “Money Report” se deri në fund të vitit parashikohet që inflacioni të ulet në 3 përqind.
“Në Shqipëri faktorët e kostove të brendshme nuk kanë qenë aq të forta. Pagat nuk janë rritur fort që të vazhdojnë presionet e ndikimit të pagave në inflacion. Kështu që efekti i këtij faktori ka qenë i kufizuar, gjë që bën që treguesi i inflacionit të shkojë drejt një normalizimi të plotë. Të paktën deri në fund të vitit të shkojë rreth 3 %.
Jemi akoma në kushtet e pasigurive të larta në Shqipëri. Fenomenet dhe rritjet e konsumit të brendshëm të ardhura nga turizmi do të jenë prezente në veçanti gjatë muajve të verës, gjë që e ka bërë bankën të jetë më prudente në ambiciet e saj për ta shtyrë deri fund të vitit.
Nëse Banka Qendrore mendon se stabiliteti i inflacionit do të shtrihet në fund të këtij viti, do të thotë se nuk do të marrë politika të zbutjes të normave të interesit që të jetë në kahun e sjelljes së kujdesshme. Kështu duhet lexuar qëndrimi i bankës në raport me zhvillimet e brendshme të inflacionit.“, u shpreh eksperti.
Ai thotë se megjithëse inflacioni po shkon drejt një kontrolli të plotë, problematike mbeten çmimet e produkteve, kryesisht atyre të shportës.
“Doja të shtoja se pavarësisht se inflacioni po shkon drejt kontrollit të plotë, shqetësuese mbeten çmimet e një kategorie produktesh për shportën e konsumatorit shqiptar, të cilat për shkak të nivelit të dobët të të ardhurave, për një pjesë të gjerë të popullsisë ka goditje më të forta. Kështu që inflacioni po shkon drejt kontrollit, po në kuptimin social efektet vazhdojnë të jenë të forta sërish.“, shtoi Xhepa.
I pyetur për rrezikun e një tjetër krize duke marrë parasysh zhvillimet në botë, eksperti tha se pasigurtë janë të larta por shtoi se ekonomia e Evropës, me të cilat ka më shumë lidhje vendi ynë, është e fortë dhe e mbrojtur. Eksperti shtoi se për shkak të këtyre sfidave, tregjet globale janë riorientuar.
“Në kuptimin gjeostratetik dhe gjeopolitik, ka forca të reja në veprim që nënkuptojnë një riorientim të ekonomisë globale. Nëse sot kishim rrjedhje të kapitalit me lirshmëri më të madhe, tani kjo ekonomi ka marrë fund. Jemi në mbrojtje të larta tarifore, të riorientimit të kapitalit drejt vendeve miqësore demokratike. Fenomeni i globalizimit ka ndryshuar kahjen dhe do të prodhojë një zinxhir të ri të fokusuar drejt blloqeve tregtare që ndajnë vlerat e demokracisë”, theksoi eksperti.