Blinken, i pari Sekretar Shteti në Shqipëri të cilin “e pret” edhe një front antiamerikanë!

Nga Poli Hoxha

Vizita e Sekretarit të Shtetit Blinken në Shqipëri, ndryshe nga ato të 5 parardhësve të tij në këto 33 vite pluralizëm, zhvillohet me një specifikë alarmuese për SHBA-të dhe turpëruese për Shqipërinë.

Për herë të parë që nga viti 1922 kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike, (Përjashto vitet e diktaturës, kur armik konsideroheshin gjithë demokracitë perëndimore), në vendin tonë tashmë kemi zyrtarisht një front antiamerikanë.

Nuk bëhet fjalë për antiamerikanë tipik ideologjikë e antimperialistë, siç ka rëndom nëpër botë e madje edhe në SHBA, por për “proamerikanë” të transformuar në antiamerikanë.

Njësoj si komunistët e egër të transformuar në “demokratë” e antikomunistë të egër pas rënies së Murit të Berlinit në gjithë Europën Lindore, e veçanërisht në Shqipëri.

Ky front antiamerikanë në vendin tonë, ka lidhje vetëm me një merak: Reformën në Drejtësi, SPAK dhe luftën për të shmangur ndëshkimin penal dhe për të shpëtuar miliardat e vjedhura nga shqiptarët prej korrupsionit 33 vjeçarë.

Meqenëse u pa shpejt se edhe SHBA e ka merak strategjik luftën kundër korrupsionit, veçanërisht te vendet aleate dhe anëtare të NATO, atëherë të korruptuarit ish-proamerikanë, u shndërruan urgjentisht në antiamerikanë. Por jo direkt.

Fillimisht e kishin luftën e hapur vetëm me Reformën në Drejtësi, pastaj me SPAK dhe Gjykatën e Posaçme. Kur kuptuan përfundimisht se SHBA është SPAK dhe SPAK është SHBA, filluan të sulmojnë origjinalin. Sa më përpara ecte SPAK me procese ndaj korrupsionit politik elitar të paprekshëm, aq më hapur dhe më shumë nisi të investohet fronti antiamerikanë në Shqipëri.

Kështu me relator kryesor Sali Berishën, në Shqipëri që nga shpallja e tij “nongrata”, ka nisur një aksion dhe një fushatë e hapur, (“sovraniste”), kundër shtyllës kryesore të perëndimit dhe armikut kryesorë të Rusisë, SHBA-ve.

Gjithashtu edhe Edi Rama, herë pas here, shfaqet si sovranist, godet influencën amerikane në drejtësinë e re dhe provokon dhe kërcënon me “aktorë të tretë”, (Rusia, Kina), të cilëve mund tu bashkohet nëse i goditet nga perëndimi, pushteti absolut që ka.

Kurse Ilir Metaj dihet që ishte gati të përfundonte si Salvador Allende, apo të priste me gjoksin para, raketat amerikane në Malin me Gropa!

Rrënjët e këtij shpërthimi antiamerikan aktual, janë më të hershme, (Arvizu foli pas ngjarjeve të 21 dhjetorit 2011 për një celulë antiamerikane në Shqipëri), se koha e ndërhyrjes radikale të SHBA për nisjen në vitin 2016 të Reformën në Drejtësi dhe ngritjen e SPAK, apo më vonë në kohë, me nisjen e valës së “nonogratave” djathtas, (Berisha), si dhe majtas, Tom Doshi, Vangjush Dako dhe Aqif Rakipi.

Pra shpërthimi dhe organizimi i vërtetë antiamerikanë nisi rreth dy vite më parë, kur filluan sanksionet ndaj të gjithë atyre që nëpërmjet korrupsionit dhe minimit të demokracisë në vendet e tyre, u shpallën edhe si kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA.

Paralelisht me vendosmërinë e Prokurorisë së Posaçme dhe veçanërisht në erën Dumani, antiamerikanizmi si luftë ndaj asaj që përfaqëson SHBA për demokracinë dhe shtetin ligjor kudo në botë, ka konsoliduar frontin e vetë politik dhe jo vetëm, pikërisht në vendin më proamerikanë, me gjasa në gjithë botën.

Pikërisht pas nisjes së Reformës në Drejtësi me amerikanët si kumbarë, ky front nisi konstruktimin. Sali Berisha dhe Ilir Metaj i dolën për zot publikisht, kurse Edi Rama prapa skene duke sabotuar, por edhe hapur, herë pas here.

Pas shpalljes “nongrata” nga SHBA dhe përjashtimit nga grupi parlamentarë të PD-së që i bëri Lulzim Basha, Sali Berisha, nisi një aksion për të deligjitimuar institucionet e këtij vendi. Paralelisht me lajmet që i vinin nga spin-ët që kanë në SPAK të cilët e njoftuan se motivacioni “korrupsion madhorë” në shpalljen non grata do të hetohej, ai doli hapur dhe akuzoi si të blerë nga Soros dhe Edi Rama, vetë Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Blinken.

Prej dy vitesh ka ngritur perceptimin, se institucionet amerikane janë të korruptuara. Në mënyrë të paprecedentë akuzonte përfaqësuesen direkte të presidentit të SHBA në Tiranë, ambasadoren Yuri Kim, për korrupsion, (madje edhe erotik), për prona të marra në Shqipëri nëpërmjet korrupsionit, e të tjera damkosje të lemerishme.

Njësoj bën edhe me ambasadorin e vendit tjetër të madh perëndimorë, Britaninë e Madhe. Nuk jep asnjë provë por televizione, portale, gazetarë e analistë të shumtë, u japin jehonë akuzave dhe këtij deligjimiteti që Berisha i bën SHBA dhe institucioneve të tij. Aktualisht i mëshon rastit McGonigal. Jo si një shembull se institucionet ligjzbatuese në SHBA funksionojnë perfekt dhe kapin e dënojnë edhe shefat e tyre, por si një demaskim; se sa lehtë korruptohen dhe kapen institucionet amerikane!

Tashmë është bërë “rutinë” që shumë njerëz, medie dhe analistët që mbështesin Berishën dhe Metajn, shkruajnë me përbuzje dhe me tone kriminalizuese për SHBA. Edhe kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë. Shpesh Rusia paraqitet si “viktimë”, kurse SHBA si vend pragmatik që mendon vetëm për interesat e veta dhe nuk pyet për demokraci dhe drejtësi në vendet e tjera.

Berishistët në rrjetet sociale kalonin hapur në ekstrem me sharje vulgare, racizëm, bullizime, akuza, shpifje monstruoze ndaj ambasadores Kim, Sekretarit të Shtetit Blinken dhe vetë presidentit Biden. Si lukuni, guxojnë që të njëjtën gjë ta bëjnë, edhe në faqen e ambasadës amerikane në Tiranë. Po aq të egër, në mos më shumë, janë edhe ndjekësit që ka Ilir Metaj në rrjet dhe medie. Më saktë janë bashkë dhe në një linjë, e cila ngjan si e telekomanduar.

Më të frikshëm janë analistët e Berisha-Metajt me antiamerikanizmin e tyre, gjithmonë të maskuar si “liri shprehje” dhe sovranizëm shqiptarë. Kohët e fundit edhe analistët “e majtë” heqin të njëjtën valle, edhe pse në mënyrë më të kamufluar. Të gjendur në çdo televizion dhe me portale në posedim, të ftuar përnatë në emisionet “prime time”, helmi i tyre “i sofistikuar” antiamerikan, tashmë e ka bërë punën edhe në opinionin publik. Prej tyre por edhe prej eksponentëve të Rithemelimit thirrjet që bëjnë herë pas here për të rrethuar ambasadën amerikane, nuk çudisin më askënd.

Kujtoni kush e frymëzonte dhe e firmoste peticionin, për të përzënë ish- ambasadoren Kim nga Shqipëria. Thirrje për të shpallur përfaqësuesin e SHBA “nongrata” nuk i dëgjon as në Beograd, Pekin e madje as në Moskë kaq të zëshme dhe të organizuara. Por në Tiranë nga berishistët, janë normale.

Edhe “luftën hibride”, baltën, bullizimin, shpifjet monstruoze që bëjnë 24 orë rresht në medie dhe rrjet ndaj PD dhe Lulzim Bashës, (Të deklaruar qartë proamerikanë dhe pro-SPAK), i bëjnë vetëm e vetëm për të sulmuar indirekt SHBA-në.

Disa ish-proamerikanë “të mëdhenj” tani janë bërë antiamerikanë të helmët, vetëm për faktin se përse SHBA i konsideron aleatë ata që mbështesin pa kushte drejtësinë, “organizatën kriminale SPAK”, kurse berishizmin me gjithë korrupsionin aktual ramist, i kanë shpallur një rrezik për demokracinë shqiptare dhe për vetë sigurinë e tyre kombëtare.

Shkatërrimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, si i vetmi investim politik-strategjik që kanë bërë amerikanët në Shqipëri që kur u krijua Zëri i Amerikës, pastaj me finalizim- krijimin e saj pas rënies së diktaturës, ka qenë edhe një synim për tu hakmarrë ndaj SHBA për nongratën dhe hetimet e SPAK. Dhe për këtë, edhe Edi Rama ka qenë investitorë i dorës së parë!

Nëse hapet një dosje dhe mbushet vetëm me veprimtarinë publike të tyre gjatë dy viteve të fundit, atëherë do të shohim se “celula” e Arvizut është shndërruar në një organizatë politiko-financiare-kriminale, me vektor të qartë antiamerikanë.

Pra në një Front që nuk fshihet më dhe që ushqehet jo vetëm nga korrupsioni i shkuar dhe i tanishëm por edhe nga pushteti, biznesmenët më të mëdhenj dhe krimi i organizuar brenda dhe jashtë vendit. Ndaj këtë të mërkurë Blinken në Tiranë mjafton vetëm që të thotë fjalinë, “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do shkojë deri në fund, SPAK të vazhdojë edhe më fortë se na ka krah e mburojë ne”.

Kaq të thotë dhe keni për ta parë si do të shpërthejë antiamerikanizmi, (korrupsioni), shqiptarë, pavarësisht nga “diversiteti” i ngjyrave, blu, kuq apo pink!/Alfapress.al

Artikulli paraprakKulluri: Berisha po i përdor Nokën dhe Bardhin, ja për çfarë
Artikulli tjetërA do ndihmonte mbyllja e Tik Tokut në kapitullimin e krimit kibernetik? Sociologët thonë…