“Mbreti shqiptar i TIK TOK. Personazhi i famshëm në TIK TOK”, pseudonime që u vendosen individëve të cilët kanë miliona shikime në këtë aplikacion, i cili rezulton të jetë më i shkarkuari sidomos nga adoleshentët.
Pavarësisht se gjuha e përdorur prej tyre është jo rrallë herë bullizuese, fyese, e ashpër, e deri në veprime në kufijtë e absurdit; fëmijët përballen me to e sipas ekspertëve tërhiqen për t’i kopjuar këto shembuj të shëmtuar që shiten online. Madje edhe gjatë procesit mësimor.
“Që marrin pjesë në live apo bëjnë këto videot nga jeta e tyre është mosha që unë e quaj më dramatike, nga 9 deri në 13 vjeç. Unë shikoj nxënës që shkojnë në shkollë pa çanta por nuk harrojnë asnjëherë celularin me vete. Kanë kontroll këta fëmijë? Kanë ndonjë filtër para se të hyjnë në shkollë? Pavarësisht se duket shumë absurde për ne të rriturit dhe prindërit që e përdor internetin e bën edhe live në orën e mësimit. Sigurisht që do bëjë këtë, e do bëjë akoma më shumë nëse i lejohet. Çdo gjë ka të bëjë me lejimin, komunikimin e udhëzimin e fëmijëve”, tha sociologia Marsi Simo.
Publikimi pa filtra i çdo gjëje në botën e internetit krijon për sociologët një jetë të gënjeshtërt në realitet. Më të dëmtuarit sipas tyre janë fëmijët, të cilët shpeshherë qëndrojnë me orë të gjata në rrjete sociale pa kontrollin e prindërve.
“Prezenca në takimet me prindër është shumë e ulët. Prindërit duhet të jenë aty për fëmijët e tyre, duhet të pyesin jo vetëm për notat por edhe nëse kanë ndonjë ndryshim në sjellje. Neglizhenca e prindërve mund të lidhet edhe me kushtet ekonomike, apo me emigrimin nuk mund të përdoret si justifikim sepse për sa kohë ke lindur një fëmijë ke përgjegjësi për të”, këshillon sociologia.
Platformat virtuale kanë kufizim moshe, por kjo manipulohet lehtësisht nga të vegjlit duke gënjyer për moshën e me krijimin e profileve të rremë. Por ekspertët nuk shohin zgjidhje ndalimin e përdorimit të tyre.
“Nuk është censura që na ndihmon; duhet të niset nga edukimi, mbushja e kohës me aktivitete cilësore. Nëse fëmija rritet duke mos ditur modelin e duhur në të vërtetë, duke ngatërruar vlerat me antivlerat; më pas do të bjerë pre e dëshirës për të qenë dhe ai si ai model i suksesit, i parasë së shpejtë, i vipit, bullistit të tik tok-ut”, sipas Simos./ Top Channel