“Është momenti që institucionet e drejtësisë të marrin me guxim mosndëshkimin dhe të nxisin besimin e publikut”/ Sekretari Blinken u takua me kreun e SPAK, reagon ambasada e SHBA

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka reaguar pas takimit që sekretari Blinken zhvilloi me krerët e drejtësisë së re në Shqipëri. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ambasada thekson se fokusi i takimit ka qenë reforma në drejtësi, për të cilën shprehet se ‘nuk është as e lehtë dhe as e përsosur’.

Sipas ambasadës ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të marrin me guxim mosndëshkimin dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit.

Ambasada thekson mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve, të cilat do të qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve.

“Sekretari Blinken ritheksoi angazhimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri gjatë një takimi me krerët e drejtësisë sot. Megjithëse reforma nuk është as e shpejtë, as e përsosur, as e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të marrin me guxim mosndëshkimin dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit. Këto sfida janë të mëdha, por Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve dhe do të mbeten të palëkundura në mbështetjen tonë”, thuhet ne reagimin e ambasadës.

Reagimi i Blinken

Ndërkohë Blinken pas vizitës në Shqipëri njoftoi se ishte takuar me kreun e SPAK, ku thekson se drejtësia është thelbësore për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për integrimin në BE.

Blinken thekson se ka përgëzuar krerët e drejtësisë shqiptare për progresin dhe avancimin e shtetit të së drejtës.

“Reforma në drejtësi është thelbësore për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për integrim në BE. U takova me drejtuesit e reformës në drejtësi në Tiranë për të përgëzuar progresin e tyre në avancimin e shtetit të së drejtës dhe luftimin e korrupsionit”, shkruan Sekretari Bliniken në platformën X.

Artikulli paraprakMe sytë nga Papafingoja dhe veshët nga Amerika
Artikulli tjetërInceneratorët po “djegin” vetëm fondet publike