Interi gjen fitoren

Interi fitoi 4-2 me Fiorentinën në “San Siro” në takimin përmbyllës të javës së 14-të të Serisë A dhe rikuperon plot katër pozicione në renditjen e përgjithshme. Zikaltrit në fakt e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë, duke shënuar 3 gola për 19 minuta lojë. Borozovic goditi saktë nga një pozicion ballor në hyrje të zonës duke zhbllokuar ndeshjen që në minutën e 3-të.
Vetëm 6 minuta më vonë Antonio Candreva, i ndihmuar edhe nga devijimi i portierit shënoi golin e 2-0. Ndërsa pa u mbushur 20 minuta lojë, Mauro Icardi vallëzoi mes mbrojtjes mike, duke i çuar shifrat në 3-0. Një rreshtim i gabuar i mbrojtjes zikaltër i dha mundësinë kroatit Kalinic të shkurtonte diferencën në 3-1 në minutën e 37-të. Në fund të pjesës së parë Fiorentina mbeti me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Rodriguez. Gjatë pjesës së dytë skuadra e Piolit u ndëshkua nga Ilicic që rihapi ndeshjen në minutën e 62- të. Tifozët vendas u qetësuan vetëm minutën e parë shtesë, kur Icardi vulosi rezultatin në 4-2.
Fitorja e parë si trajner i Interit për Stefano Piolin, i cili në konferencën e djeshme për shtyp analizoi suksesin përballë Fiorentinës: “Nuk dua të flas për vendimet e arbitrit, por për ndeshjen. Kemi treguar shumë gjëra pozitive, sidomos në fillimin e ndeshjes. Ky grup është shumë i vlefshëm dhe jam i bindur që me punë do të përmirësohemi shumë”, tha fillimisht italiani.
Më tej ai shtoi: “Ishte një fitore e rëndësishme për moralin e ekipit. Ekipit i kërkova që të ishte konkret dhe jam i lumtur me sinjalet që mora. Rruga është ende shumë e gjatë, sigurisht duhet të përmirësojmë disa aspekte siç është menaxhimi i rezultatit, por jam i bindur se shumë shpejt do të gjejmë një skuadër më konkrete dhe me ide të qarta”.
Zhgënjen Napoli, që nuk arriti të merrte maksimumin e pikëve ndaj Sassuolos. Në “San Paolo” kjo përballje u mbyll në barazim 1-1, me vendasit që shënuan të parët në fund të pjesës së parë me Lorenzo Inignen, që lëshoi një të djathtë të kalibruar nga jashtë zonës. Atëherë kur sfida po i drejtohej fundit Defrel goditi fluturimthi me topin që përshëndeti rrjetën. Hysaj u aktivizua gjatë gjithë ndeshjen në radhët e napolitanëve, por pa mundur t’i paraprijë goditjes së futbollistit të Sassuolos, i cili iu shmang qendërmbrojtësve vendas.

Artikulli paraprakKrizë nga dëmtimet, Juve mendon për Ivanoviç
Artikulli tjetërGriezman preferon Barçën ose Premier League