Kavani bën heroin

Edinson Kavani nderon Paris Saint Germain-in. Falë një dygolëshi të sulmuesit uruguaian, skuadra e Unai Emery triumfoi në klasiken e futbollit francez pasi mposhti me shifrat 2-1 Olympique Lyonin. Një fitore shumë e rëndësishme kjo për kampionët e Francës, që përfituan edhe nga hapi fals i Nicës për të barazuar Monacon në kuotën e 32 pikëve në vendin e dytë të klasfikimit dhe për ta çuar në vetëm 1 pikë disavantazhin ndaj skuadrës së Lucien Favre që kryeson Ligue 1.
Në Lyon, Edinson Kavani arriti të zhbllokonte shifrat në minutën e 30-të teksa kthehu në gol një 11-metërsh. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me gol për vendasit. Lyoni barazoi shifrat me Mathew Valbuenan duke ia vështirësuar shumë gjërat Parisit. Por atëherë kur dukej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, të besuarit e Unai Emery gjetën golin e fitores. Në minutën e 81-të El Matador vrau përfundimisht shpresat e Lyonit për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo sfidë, duke realizuar golin e fitores për miqtë me një goditje me kokë pas një krosimi perfekt të belgut Meunier. Goli i 13-të në Ligue 1 për Kavanin që kryeson i vetëm listën e golashënuesve.

Artikulli paraprakGriezman preferon Barçën ose Premier League
Artikulli tjetërBerisha rikthehet në 2017-ën