Nga Xhodi Hysa
Top Channel u hap dje me një lajm: “Armëpushim” në Kuvend. Ideja ishte për të treguar se edhe opozita duket se kishte çeduar në përpjekjen për të agravuar situatën në Kuvend, meqë kishte ardhur Sekretari Blinken.
Një tjetër arsye mund të jetë edhe Ligji i Lojërave të Fatit, që u votua po dje nga mazhoranca socialiste.
Këtu, mbani sytë hapur dhe lexoni mirë, sepse lidhjet nuk mund jenë dhe aq okulte.
Në vitin 2015 qeveria socialiste e Edi Ramës, ndryshoi ligjin e Lojërave të Fatit. Asokohe opozita në Kuvend nominalisht drejtohej nga Edi Paloka, por kryetari i vërtetë i Grupit Parlamentar ishte Profesor Doktor Berisha (d.m.th. Kryetari i vërtetë i PD-së). Gjatë votimit të ligjit, pakuptueshmërisht Doktori u largua nga salla dhe nuk votoi kundër.
Edhe kur në Kuvend u paraqitën amendamentet për shtyrjen e zbatimit të Ligjit të Lojërave të Fatit, sërishmi lideri i Demokracisë që solli pluralizmin në kombin tonë, (edhe që sot SKAP-i po e dënon), sërishmi nuk votoi.
Për të kuptuar heshtjen dhe abstenimin e votës së Liderit Historik të Partisë Demokratike, duhet të kthehemi në dt. 23 shkurt 2022, kur Edi Rama iu përgjigj njërit prej zëdhënësve të Sali Berishës, (që ai shpesh ia vjedh identitetin). Edi Rama u pyet nëse e njihte Stela Gugalljan dhe Zoton, por ky tha që nuk i njihte. Nga dosja e agjenturave perëndimore partnere doli një foto e Ramës tek inceneratori i Elbasanit, ku në sfond shihej Zoto dhe Gugallja dhe Doktori me një alterego, e pyeti: “Si nuk e njeh ti Edvin? Ja ku je!”. Pastaj Edvini i kujtoi zëdhënësit të Doktorit që në media kishte parë një foto, ku “…sekretari i partisë suaj ishte me disa persona të arrestuar për trafik droge. A mos, vallë, do të thotë që ai i njeh ata dhe ka lidhje me ta?!”. Aty debati u ndërpre.
Meqë Doktorin nuk e bindi kjo përgjigje në replikën e gjatë për çështjen McGonigal, Edi Rama e sfidoi drejtpërdrejt legjendën e demokracisë. “Puna e ndershme e personit Z, e personit Y, e personit M.L dhe disa personave të tjerë të lidhur me ta përmes ruletave që mbikëqyr Europoli”, u shpreh ai në fjalimin për aferën McGonigal. Pas kësaj, legjenda e demokracisë u ngrit dhe, ndryshe nga herët e tjera ku dilte në podium dhe i kujtonte Edvin Kristaq Ramës se është biri i etërve të tij biologjikë, politikë dhe që kishte mohuar djalin e tij…., ai i ktheu shpinën zonjës Nikolla për t’u larguar së bashku me sekretarin e tij të përgjithshëm, i cili më herët doli në histori.
Këto prova janë dëshmitare të asaj lidhjeje aspak konspiracioniste që ruleta ka në jetën e Doktorit. Prova që opozita nuk trembet dhe as arrestohet, dëshmia se nuk mund të arrestohet opozita. Armëpushimi që erdhi në kohën e duhur pa një debat real dhe të sinqertë, sepse as Doktorit dhe as Edvinit nuk i duhej kjo!