Klop tek Bajerni?

Bajerni i Mynihut nuk po gjen dot qetësinë dhe suksese të duhura nën drejtimin e Karlo Ançelotit. Vendi i dytë me tetë fitore, 3 barazime dhe një humbje në kampionat, si dhe vendi i dytë në grupin D të Champions-it kanë bërë që të rriten pakënaqësitë për trajnerin në radhët e drejtuesve bavarezë.
Të mendosh shkarkimin apo largimin e parakohshëm të italianit, duket pak absurde, por me këtë absurditet nuk është dakord gazeta angleze “Mirror”. Reporterët anglezë të kësaj gazete kanë zbuluar se trajneri italian i ka ditët e numëruara në Mynih. Ekipi bavarez nuk po përshtatet siç duhet me stilin dhe taktikën e strategut italian. Zërat për stërvitje të dobët dhe rrotacionet masive e tronditin së tepërmi stolin e Karletos.
Kujtojmë se 57-vjeçari italian nënshkroi një kontratë për tre vite dhe në dekadën e fundit asnjëherë nuk e ka përmbushur deri në fund akordin e tij. Ai ose është larguar duke dhënë dorëheqjen, ose është shkarkuar si në rastin e Çelsit, PSG-së dhe Realit të Madridit.
Sipas “Mirror”, Ançeloti do largohet në fund të sezonit dhe do të zëvendësohet nga mjeshtri gjerman i Liverpulit, Jurgen Klop. Por, analistët gjermanë të “Sportbild”, bazuar edhe te qëndrimi i Rumeniges, e cilësojnë lajmin e “Mirror” si spekulim të pastër. “Karlo më kërkoi falje të mërkurën pas ndeshjes me Rostovi. I thashë se kemi besim të plotë tek ai”, tha Rumenige.
Humbja ndaj Rostovit në Champions League që erdhi menjëherë pas disfatës ndaj Dortmundit në Bundesligë, i kushtoi vendin e parë në Grupin D skuadrës bavareze me të besuarit e Ançelotit, që nuk kanë më asnjë shans për të parakaluar Atleticon e Madridit në renditje. Në këtë kontekst, shorti parashikohet shumë i vështirë për Bayernin që në fazën e 1/8-ve të Champions-it.
Barazimi ndaj Hoffenheimit në shtëpi ishte një sinjal ose më saktë një tregues se Bayerni i këtij sezoni ka probleme. Ky është një nga momentet më delikate për kampionët e Gjermanisë në këto vitet e fundit dhe pesha më e madhe e përgjegjësisë i takon trajnerit Karlo Ançeloti. Italiani nuk ka arritur t’i përcjellë ende filozofinë e tij fituese skuadrës dhe fjala krizë tashmë mund të përmendet pa frikë.
Rotacioni në transfertën ruse ndaj Rostovit nuk funksionoi dhe fajtori më i madh për atë disfatë është padiskutim trajneri Ançeloti. Për herë të parë nën drejtimin e italianit, Bayerni pësoi 3 gola në një ndeshje, një tregues ky se diçka nuk shkon. Problemet për bavarezët në këto momente janë të shumta, sepse ka edhe pakënaqësi mes futbollistëve. Gazeta prestigjioze gjermane “Bild” ka zbuluar se Jerome Boateng, ka shfryrë ndaj shokëve të skuadrës në përfundim të ndeshjes ndaj Rostovit, duke i kritikuar për paraqitjen, por menjëherë në drejtim të mbrojtësit të kombëtares gjermane ka ardhur kundërpërgjigjja e shefit ekzekutiv, Karl Heinz Rummenigge. Ky i fundit i ka kërkuar Boateng-ut të kthehet me këmbë në tokë dhe të ulë tonet. Bayerni në krizë, kjo mbetet për t’u parë, por për Karlo Ançelotin po vijnë kohë të vështira, sepse gishti i akuzës është ngritur tashmë mbi trajnerin italian.

Artikulli paraprakPesë arsyet përse Komisioni Europian nuk hap negociatat
Artikulli tjetërBasha-Ramës: Nuk do ketë paqe për ty