Protesta e banorëve që preken nga aksi Thumanë-Kashar, deputetja Andia Ulliri: Mungesa e aksesit izolon 2 qytete dhe 12 fshatra të zonës

Banorët dhe bizneset që preken nga aksi Thumanë-Kashar kanë protestuar sërish ditën e sotme, duke kërkuar zgjidhje për problemin që u krijon kjo rrugë duke mos u mundësuar dalje deri në Kashar dhe anasjelltas.

Në mbështetje të tyre ka qenë dhe deputetja e PD, Andia Ulliri si dhe drejtues të degës së PD, Krujë.

Deputetja Ulliri thotë se ky veprim i qeverisë është i paprecedentë, pasi sipas saj izolohen dy qytetete si Kruja dhe Fushë Kruja dhe 12 fshatra përreth. Gjithashtu, ajo shprehet se mungesa e aksesit do ketë impakt negativ në turizmin e zonës dhe në ekonominë e bizneseve.

“Pas kërkesës të dërguar nga kolegët e Partisë Demokratike, është kthyer përgjigjja ku shpjegohet se nuk do të ketë një dalje nga aksi i rrugës Thumanë-Kashar drejt rrugës nacionale Tiranë-Fushë Krujë- Thumanë. Për këtë banorët janë mbledhur për një protestë. Është e paprecedentë dhe e papranueshme që pas 4 protestave është kjo sjellje e qeverisë, duke filluar që me shpronësimet, me heqjen e nënkalimeve dhe mbikalimeve po ashtu edhe të rrugëdlajeve që do t’i mohojë aksesin dy qyteteve siç është KRuja dhe Fushë Kruja dhe 12 fshatrave. Ne sot këtu kërkojmë që të kemi përfaqësues të të gjitha autoriteteve, që nga ARRSH-ja, nga Ministria e Infrastrukturës, po ashtu edhe të koncesionarit i cili ka marrë përsipër të bëjë ndërtimin e rrugës, të marrim një përgjigje pse ne sot na është mohuar aksesi. Unë këtu jam sot si banore e Bashkisë Krujë. Po ashtu i bashkohem kësaj kauze për të kërkuar të drejtën. E drejta për akses është kushtetuese. Në të gjithë rrugët të cilat kanë qenë rrugë nacionale, autostrada ka një përshkrim në ligj i cili tregon të drejtën për aksesin për çdo banorë dhe fshat. Edhe në këtë moment, në këtë rrugë të kësaj rëndësie e cila nuk garanton akses për 85 mijë banorë do të thotë që këtu ka një problematikë më të madhe se kaq. Patjetër kjo do të shoqërohet me shumë impakte negative qoftë kjo në biznes, në qarkullimin, por edhe në mbarëvajtjen dhe rutinën e jetës së qytetarëve” – tha deputetja e PD, Andia Ulliri.

Artikulli paraprakRama përdor vizitën e Blinken si letër higjenike për pisllëqet e tij/ Gaba: McGonigal pranoi stisjen ndaj Bashës
Artikulli tjetërPD, Pampuri: Elisa në botën e doganave paska përdorur sot Sekretarin Blinken për të justifikuar përfshirjen e Ramës në aferën McGonigal kundër Lulzim Bashës