“Lamtumirë” Shqipëri! Largohen edhe punonjësit e huaj

Nisma për marrjen e punonjësve nga Azia, pas largimeve masive të forcës së punës vendase në emigracion nuk po funksionon. Janë të shumtë drejtuesit e kompanive prodhuese dhe ofrimit të shërbimeve që pohojnë se janë tërhequr nga marrja në punë e të huajve, nga frika e largimit të tyre, pasi në shumë raste, Shqipëria përdoret si vend trampolinë për t’u punësuar drejt shteteve të BE-së.

“Masa për marrjen e punonjësve të huaj nuk është zgjidhje afatgjatë, pasi shumica e tyre e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të shkuar në vendet e tjera të Europës. Problematika të tjera janë kostoja e lartë, por edhe kultura e tyre e punës, e ndryshme nga vendi ynë”, pohoi Drini Zusi, koordinator i përgjithshëm i “Az Group”.

Por nuk është vetëm frika e braktisjes së vendit të punës që po sjell tërheqjen apo hezitimin e shumë kompanive shqiptare, që kanë nevojë të ngutshme për punonjës, të rekrutojnë aziatikët.

Kostoja e lartë e mbajtjes së tyre, duke filluar me pagesat neto mujore, akomodimi për fjetje dhe ushqim që minimalisht arrin deri 600 USD, nuk e justifikon rendimentin e punës që ofrojnë punëtorët e ardhur nga Bangladeshi apo Nepali.

Një nga kompanitë prodhuese të mobilieve vendase, muaj më parë, parashikonte të merrte 20 punonjës nga Bangladeshi. Dritan Cacaj, nga “Trin Mobileri”, tha se tashmë është tërhequr nga vendimi për punësimin e tyre, nga frika e largimit.

“Marrja në punë e shtetasve të huaj nga vendet e Indisë dhe më pas lënia e vendit të punës, për t’u larguar drejt një shteti të huaj që paguan më shumë është ndër problematikat kryesore të mosfunksionimit të kësaj mase. Në këtë situatë, jemi detyruar të vijojmë rritjen e pagave të punëtorëve vendas, pasi punësimi i tyre mbetet përparësi”, thotë ai.

Problematika e mprehtë për gjetjen e punonjësve të kualifikuar ndihet në shumë sektorë të ekonomisë dhe është shtrirë edhe te transporti i mallrave dhe udhëtarëve. Të gjesh shoferë kamioni apo transporti është një mision i pamundur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe Europë.

Në këto vështirësi është edhe kompania ndërkombëtare e transportit të mallrave “Balkan Trans Albania”, që parashikonte që vakuumin e burimeve njerëzore, kryesisht për shoferë kamioni, ta plotësonte me rekrutime të reja nga Egjipti.

Por edhe Rodolf Xhillari, Ceo i kompanisë, tha për “Monitor” se është tërhequr nga vendimi për punësimin e 10 egjiptianëve, pasi punëtorët e këtij shteti preferojnë më tepër të punësohen në shtetet e BE-së, ku paguhen më shumë, sesa në Shqipëri. Pasiguria për qëndrimin afatgjatë të të huajve në përputhje me kontratat e punës që duhen të jenë me afat dyvjeçar është arsyeja tjetër që kompania refuzoi të punësojë të huajt.

Në sektorin e transportit të mallrave, 5-6 vite më parë, kompanitë arrinim të rekrutonin forcë punëtore të kualifikuar, por sot gjetja e këtij kontingjenti mbetet e vështirë. Punonjës të kualifikuar ka, por janë në moshë të madhe. Tregu i punës aktualisht ofron drejtues kamionësh të kualifikuar mbi 65 vjeç.

Kjo kategori zë 70% të ofertës së tregut. Kompanitë e sektorit të transportit e kanë tepër të vështirë të vijojnë aktivitetin me këta punonjës të cilët, nuk mund t’i dërgosh të kryejnë itinerare të gjatë udhëtimi me kamion. Pra rendimenti i punës së tyre është 50% më pak se ai i punonjësve të moshës së re”, thotë ai.

Nga punësimi i 30 grave nga Nepali është tërhequr edhe kompania “Doni Fruits”, që ka aktivitet grumbullimin dhe eksportin e fruta-perimeve në Lushnjë.

Edhe kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia, më herët pohoi për “Monitor” se kompanitë vendase janë tërhequr nga vendimi për punësimet nga India dhe Filipinet.

Arsyet për mosmarrjen e tyre, sipas tij, ishin kostoja e lartë për paga neto 800 euro në muaj dhe 300 euro për akomodimin, si dhe problemi i tregut aziatik të punës për të ofruar punonjës të kualifikuar për përgatitjen e brumit dhe ëmbëlsirave./ Revista “Monitor”

Artikulli paraprakVITI 1993/ PARASHIKIMI BRILANT I LUAN MYFTIUT: “FONDACIONI “SOROS” ZHVILLON LUFTËN E KLASAVE”
Artikulli tjetër“Radoiçiç duhet të arrestohet për sulmin në Banjskë”- Senatorja amerikane takohet me Kurtin dhe Vuçiç: Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë për…