A do të goditet Edi Rama nga SPAK?

Nga Erl Kodra

Kur Departamenti i Shtetit njoftoi në maj të vitit 2021 se Sali Berisha shpallet person non-grata për Shtetet e Bashkuara, pothuaj shumica e opinionit publik e ka kuptuar se çfarë do të ndodhte në skenën politike shqiptare.

Sidomos ata që e kanë njohur Sali Berishën nga afër, kanë kuptuar më së miri se ai nuk do të largohet, dhe se, do të bëjë çdo gjë për të mbrojtur veten, pavarësisht pasojave dhe kostove të larta për Partinë Demokratike dhe për vendin.

Duke mos patur qëllim për të bërë profilin psikologjik të Sali Berishës, por për të analizuar faktet e ftohta dhe rrjedhën e ngjarjeve, fakti është se pasojat e qëndrimeve të Sali Berishës do t’i vuajmë të paktën deri në vitin 2030.

Pas shpalljes non-grata, për Partinë Demokratike kishte vetëm një mundësi; që Departamenti i Shtetit përmes Gabriel Escobar dhe Ambasadores Yuri Kim të vepronin me shpejtësi për të mbrojtur Partinë Demokratike nga buldozeri i Sali Berishës që i ishte turrur strukturave legale të PD-së.

Për fat të keq ngjarjet e vjeshtës, dimrit dhe pranverës 2021-2022 ishin shkatrrimtare për Partinë Demokratike, ku të gjithë pamë me sytë tanë se si Sali Berisha shkërmoqi opozitën shqiptare pa mëshirë apo keqardhjen më të vogël. Nga ana tjetër, Ambasadorja Yuri Kim dhe Gabriel Escobar lëshonin ndonjë dekleratë me gjysëm zëri, ndërsa Edi Rama fërkonte duart gjithë qejf teksa shihte rrënimin e opozitës.

Lidershipi i PD-së zyrtare ishte përçarë keqas, ndërsa nuk u kursye askush dhe asgjë në betejën më të neveritshme që ka parë politika shqiptare që nga viti 1990 e deri më sot. Hendeku i thellë që hapte buldozeri i Sali Berishës mbushej shpejt me llumin e neveritshëm të sharjeve dhe fyerjeve mes demokratëve. Pa mëdyshje, kjo ka qenë dhe është koha më e ndyrë, mjedisi më toksik që ka kaluar një organizatë politike. Për fat të keq, kësaj gjendje të mjerueshme nuk i duket fundi.

Në gjithë këtë histori – për vet mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet – ka diçka që nuk të lë qetë; pyetje të cilat e mundojnë çdo mendje racionale;

⦁ A e dinte Departamenti i Shtetit se kush është Sali Berisha, dhe çfarë ishte në gjendje të bënte pasi të shpallej non-grata?

⦁ `A e dinin ata (DSH) se këto ngjarje do të shfrytëzoheshin nga Edi Rama për të konsoliduar pushtetin e tij, ndërkohë që i intereson edhe faktorizimi i Sali Berishës në krye të opozitës?

⦁ Pse Departamenti i Shtetit nuk e “çoi punën deri në fund” me Sali Berishën? Pse nuk e mbrojtën Partinë Demokratike zyrtare ashtu siç ata dinë dhe mund ta bënin?

⦁ Më kryesorja; a ka një plan Departamenti i Shtetit se si do të ringrihet opozita shqiptare?

⦁ Dhe e fundit; a do të goditet Kryeministri Edi Rama nga SPAK – Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion – arma dhe krijesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Fjalët e Antony Blinken për Edi Ramën – njeriun më të korruptuar – por edhe të urryer nga shumica e shqiptarëve, ngjanin si një ëndërr e keqe prej së cilës nuk zgjohesh dot. Vërtetë do të na ngecin nën pushtetin e një hajduti maskara si Edi Rama? Vërtetë?

Tashmë kjo nuk është çështje besimi; as tek Amerika, as tek demokracia, por tek faktet: A do të goditet Edi Rama nga SPAK.

Të shohim.

Artikulli paraprakÇfarë po ndodh me tregun e apartamenteve të qirasë ditore pas taksimit? Pas ligjit për formalizimin, a ia vlen të investosh?
Artikulli tjetërBasha dhe PD në sulm frontal kundër korrupsionit të Rilindjes: Dy kallzime penale në SPAK ndaj Ramës