Në një deklaratë për mediat, nënkryetarja e PD-së, Orjola Pampuri, shprehet se qeveria i shërben vetëm një grushti oligarkësh apo një grushti të vogël njerëzish me interesa të ngushta, që janë të lidhur me të nëpërmjet kontratave korruptive apo PPP abuzuese, gjë që po e asfikson ekonominë tonë të vogël.
Pampuri thekson më tej se “shqiptarët meritojnë një qeverisje të pergjgjeshme, transparente, por mbi të gjitha që orientohet drejt zhvillimit e mirëqenies”.
“Partia Demokratike e Shqipërisë, shumë shpejt do të prezantojë programin e saj qeverisës për ti dhënë frymëmarrje familjeve, biznesit, të rinjve dhe dinjitet pensionistëve e shtresave të tjera sociale. Ky program do të mund të diskutohet dhe konsultohet me grupet e interesit si dhe komunitetet lokale në çdo bashki të vendit.” – përfundon deputetja e PD-së, Orjola Pampuri.
Më poshtë deklarata e plotë e nënrkyetares së PD-së, Pampuri:
Përgjatë dy dekadave te fundit popullsia e Shqipërisë është plakur me ritme të shpejta, gati dy herë më shumë se norma mesatare e plakjes së popullsisë në vendet e BE.
Edhe pse plakja e popullsisë mund të duket si një proçes normal demografik i shteteve në zhvillim apo ato të zhvilluara, efektet socio-ekonomik që krijon kjo situatë, kërkojnë reagim dhe politika për ta përshtatur impaktin në ekonominë e vendit por dhe për tregun e punës.
Shqipëria shënon po ashtu thuajse numrin më të lartë të papunësisë tek të rinjtë, mbi 32%, gjithashtu dhe numrin më të lartë të popullisisë +65vjeç përkundrejt popullsisë (rreth 14%), tipar ky dominues në vendet me nivel ekonomik të përparuar, ndryshe nga vendet në zhvillim si Shqipëria.
Mesatarisht Shqipëria humbet deri në 3% të PBB kosto oportune nga emigrimi çdo vit i profesionistëve. Qartazi për 11 vite me rradhë qeverisje të majtë, është përkeqësuar mjedisi i sipërmarrjes, mungesa e konkurencës, e meritokracisë, duke vijuar dhe me një përqasje ndaj shtresës së mesme jo stimuluese, si tatimi i ri ndaj mbi 200 profesioneve të lira, i cila përkeqëson zhvillimin dhe produktivitetin e tyre.
Politikat stimuluese mungojnë tërësisht, po ashtu financimi në inovacion, start-up, apo sektorët tradicional zhvillimor të vendit si Bujqësia dhe industria e lehtë përpunuese janë në nivele disa herë më të ulta se vendet e rajonit, çka i bën produktet shqiptare jo të konkurueshme as së brendshmi e as së jashtëmi.
Në këtë model qeverisje e për pasojë zhvillimi ekonomik ku qeveria është shndërruar në një qeveri për një grusht oligarkësh apo njerëzish me interesa të ngushta me qeveritarët nëpërmjet kontratave korruptive, PPP-të abuzuese, po e asfiksojnë ekonominë tonë të vogël, në një prodhim gjithnjë e më të shtrenjtë, gjë që ka krijuar një mjedis që po i shkurajon qytetarët që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje.
Shqiptarët meritojnë një qeverisje të pergjgjeshme, transparente por mbi të gjitha që orientohet drejt zhvillimit e mirëqënies.
Partia Demokratike e Shqipërisë, shumë shpejt do të prezantojë programin e saj qeverisës për ti dhënë frymëmarrje familjeve, biznesit, të rinjve dhe dinjitet pensionistëve e shtresave të tjera sociale. Ky program do të mund të diskutohet dhe konsultohet me grupet e interesit si dhe komunitetet lokale në çdo bashki të vendit.