Në dallim nga pushteti, opozita ka në dorë fjalën, të vërtetën dhe moralin.
Një ‘opozitë’ që ka përdhosur moralin, mohon në mbrëmje ato që ka thënë në mëngjes dhe fjalën e përdor vetëm për hallet e saj, nuk mund të shndërrohet kurrë në alternativë për njerëzit.
Dëmi më i madh që i bëhet kauzës opozitare është induktimi i idesë se nuk ka vlerë morali dhe e vërteta për sa kohë që ne mund ta shtyjmë me pazare.
Njerëzit e kuptojnë, ndaj ata nuk janë optimist, nuk entuziazmohen dhe nuk i bashkohen pakënaqësisë për të bërë ndryshimin.
PD nën drejtimin e Bashës ka bërë me dhjetra protesta madhështore dhe situata ka ngelur e pandryshuar.
Jo se Basha i shiste, siç thonë të marrët e sotëm që dje i lëpinin këpucët, sepse përndryshe edhe ndaj tyre do bjerë sot e njëjta akuzë, por sepse protestat e partive politike në situatën tonë nuk mund dhe nuk kanë arritur asnjëherë të shndërrohen në ortek popullor, që të mbledhë në radhët e saj edhe pakënaqësinë popullore.
Të vijosh me të njëjtën rrugë që i është parë shumë herë rezultati, është sikur të hipësh në Titanik pasi ke parë më parë filmin se si përfundon.
Kjo ‘opozitë’ e sotme është një përsëritje e zbehtë e asaj të djeshme veçse tashmë ndarja është e madhe dhe nuk ka asnjë shpresë.
Edhe protagonistët e dinë që betejnë e kanë me Bashën, ndaj mbrëmë nuk kërkonin rrëzimin e qeverisë, por Vulën e PD-së, sepse Ramës nuk i kërkonin të ikte, por negocionin pazarin të shpëtojnë nga radhët e tyre të akuzuarit për korrupsion nga drejtësia./Namir Lapardhaja