Humbje e ëmbël për Milanin, kuqezinjtë vazhdojnë rrugëtimin në Europa League, për Rennes zemra nuk mjafton

Europa League zbriti në fushë këtë pasdite, duke dhuruar emocione të mëdha. Milan është kualifikuar për në fazën tjetër të kompeticionit. Pas suksesit të pastër 3-0 ndaj Rennes në Milano, në Francë mjaftoi humbja 3-2 për të prerë biletën. Vendasit zhbllokuan shifrat në minutën e 11-të, me anë të francezit Benjamin Bourigeaud, duke ndezur festën në shkallët e stadiumit. Gjithsesi, kuqezinjtë reaguan shpejt dhe vendosën ekuilibrat me Jovic, pas një asisti të Theo Hernandez.

Rennes e filloi mirë pjesën e dytë, teksa pretendoi penallti, pas një rrëzimi në zonë. I vetëm përballë portierit në të 48-tën, Leao gaboi, duke shpërdoruar një rast të artë. Trajneri i skuadrës nga Milano, Pioli i kishte dhënë freskinë e duhur skuadrës, duke bërë një rotacion të kuptueshëm në formacion. Simone Kjaer shkaktoi penallti në minutën e 53-të, 11-metërsh që u ekzekutua me mjeshtëri nga Bourigeaud.

Me rezultatin 2-1 në favor të Rennes, sfida dhuroi spektakël, me skuadrat që bënë një lojë mjaft të hapur. Nuk vonoi shumë goli i barazimit, finalizim perfekt i një kundërsulmi nga Leao. Të besuarit e Julien Stephan rikthyen epërsinë të 67-tën me penallti, sërish me Bourigeaud. Pavarësisht entuziazmit të shtuar, Rennes nuk ia doli dot të kompletojë misionin e (pa)mundur, duke mbyllur kështu këtu rrugëtimin në këtë kompeticion. Vazhdon tutje Milan, një nga skuadrat pretendente të kompeticionit.

Në ndeshjet e tjera, Benfica barazoi pa gola ndaj Toulouse, por triumfi 1-2 i portugezëve në aktin e parë gëzon Di Marian me shokë.

Në Conference League, zhgënjen Betis. Spanjollët humbën 1-0 në ndeshjen e parë ndaj Dinamos së Zagrebit, ndërsa sonte barazimi 1-1 kualifikoi kroatët.

Artikulli paraprakDhimbjet dhe ngrirja e qafës, zbuloni disa mënyra natyrale për të lehtësuar shqetësimet tuaja
Artikulli tjetërBritania vendos sanksione të reja ndaj Rusisë