“Shpërblimi” i Tiranës zyrtare për stabilitetin në rajon është kompromentuar nga korrupsioni masiv

Nga Preç Zogaj

Ishte e pritshme që vizita në Tiranë e Sekretarit të Shtetit, Blinken, të evidentonte rolin kyç të Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Kështu kanë bërë gjithnjë zyrtarët e lartë amerikanë. E njëjta gjë në vendet e tjera mike dhe partnere me ta.

Aq më i madh është fokusimi i tyre tek politikat në shërbim të paqes në një kohë shumë të trazuar si kjo që jetojmë. Ku lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës u ka hedhur demokracive dhe botës mbarë dorashkën e një përballjeje ekzistenciale që shkon përtej gjoja pretendimit për një botë multipolare, që në fakt ekziston prej dekadash si e tillë me Rusinë dhe Kinën në polin e autokracive dhe diktaturave moniste.

Edhe më afër nesh si vend, ky fokusim merr rëndësi të shtuar në kontekstin e incidenteve dhe stratagemave serbo-ruse për të provokuar një luftë rivendikuese kundër Kosovës, me pikënisje Veriun e saj.

Shqipëria ka realisht këtu një rol shumë të rëndësishëm, qoftë si anëtare e NATO-s, qoftë si vendi amë i një kombi të shpërndarë në tre shtete fqinjë.

Tirana është e do të mbetet natyrshëm zembreku i këtij kostelacioni. Politika e saj e fqinjësisë së mirë, sidomos tani kur çështja shqiptare ka marrë udhë si kurrë ndonjëherë më parë, është vitrina e vetë politikës amerikane dhe europiane në rajon.
Të gjitha këto e shpjegojnë dhe e përligjin qartë “shpërblimin” amerikan dhe europian të Tiranës si faktor stabiliteti në rajon. Pavarësisht cila parti dhe cili kryeministër ka timonin e qeverisjes.

Por me kalimin e viteve, në dritën e pandëshkueshmërisë së ngritur në sistem nga një kastë politike e korruptuar, medalja e faktorit të paqes që zbukuron dukjen e pushtetarëve të Shqipërisë ka nxjerrë në dritë paevitueshëm anën tjetër të saj: spekulimin me konjukturën e jashtme për të qeverisur si në një regjim autoktratik. Me dallimin se pushteti nuk mbetet në një dorë të vetme si në Rusi a Bjellorusi, por kalon stafetë nga një lider te tjetri dhe shitet sikur është rrotacion i pushtetit. Dhe me veçorinë tjetër kundërthënese se ndërsa marrin meritat e faktorit të paqes në rajon, zyrtarët e korruptuar janë vulnerabël e të kapshëm nga amiqtë e demokracisë dhe NATO-s. Pra, më keq se të ishin nacionalistë të egër, fanatikë, shovinistë.
Është koha për t’u ndalur, analizuar më nga afër e reflektuar sa i drejtë dhe i merituar është dekorimi i pushtetarëve të Tiranës me dekoratën e faktorit të paqes në rajon.

Dy janë sipas mendimit tim çështjet kryesore të këtij ftillimi:

E para: politika e tyre paqësore është një zgjedhje apo një e dhënë e natyrës sonë si popull shumë i vjetër këtu, e traditës sonë, e konstitucionit tonë, e fatit tonë, e fuqisë sonë, e mënyrës sonë të të jetuarit, pra e një shumësie gjërash të tretura në një të vetme që i kanë dhënë formë dhe përmbajtje nacionalizimit tonë jo ekspasionist më e pakta, që nuk ka prodhuar ndonjëherë elaborate dhe plane për zhdukje të fqinjëve, siç kanë prodhuar serbët, qarqet greke e ndonjë tjetër.

Në vijim, lidhur me sa po themi, edhe pyetja: a mbështetet njohja e këtyre meritave në kontribute të matshme që frenojnë vlime dhe shfrime të nacionalizmit fanatik-agresiv, apo është një “medalje” gratis që ka mbetur si rudiment i konformizmit të rehatshëm dhelpërak të pushtetarëve tanë me çfarë u kërkohet nga partnerët në politikën rajonale, duke e konvertuar këtë jermenizëm në bunuse për vete në politikën e brendshme, në symbyllje dhe tolerancë ndaj paudhësive të tyre nga partnerët?
Përgjigja: Në një përqindje të caktuar është edhe mirëkuptim për bindje apo për konformizëm me çfarë u kërkohet nga Uashingtoni dhe Brukseli. Është edhe zgjedhje. Ngatërresa mund të sjellë kushdo.

Por duhet ta dimë se askush në piramidën e pushtetit në Tiranë nuk ka nën mëngë një minë me sahat që rezervohet ta hedhë në emër të politikës paqësore. Disa orvatje, kryesisht nga politikanë në opozitë, për të yshtur për keq homologët e tyre shqiptarë në Prishtinë a Shkup kanë dështuar. Në përgjithësi, elitat politike shqiptare në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi mbajnë lidhje të drjetpërdrejta me kryeqytete e Perëndimit dhe janë në një gjatësi vale me partnerët amerikanë dhe europianë.

E dyta: si janë përdorur dhe si përdoren në politikën e brendshme “medaljet” perëndimore për politikën rajonale? Me modesti, me përulje, me ndjenjë të shtuar përgjegjësie? E vërteta është se janë keqpërdorur në ekstrem. Me mendësinë e fëmijëve të këqinj që vetshpërblehen që nuk hedhin gurin për t’i bërë qejfin dikujt. Provën e kësaj që po themi e kemi sa një mal mu në mes të historisë së demokracisë sonë të re: Quhet korrupsion madhor dhe endemik në sistem. Quhet pandëshkueshmëri në sferat e larta. Quhet “ligji jam unë”. Quhet antidemokraci me gjithë pasojat e krijuara që janë në sytë e të gjithëve dhe nuk është rasti ti rendisim këtu.

Ka qenë dhe mbetet një lam shumë i mirë dhe një risi me peshë që presidenti Biden e vendosi demokracinë dhe antikorrupsionin si përparësi të politikës së jashtme të SHBA-ve. Kjo ka dhënë e po jep rrezultate edhe në Shqipëri. Sidomos me hetimet që ka ndërmarrë SPAK. Stabiliteti pa demokraci është i rremë, është dhunë. Shqiptarët presin gjithnjë shumë nga SHBA. Në vizitën e tij disa orëshe në Tiranë, Sekretari Blinken përmbushi qëllimet e vizitës së tij, duke bërë disa takime dhe duke dhënë mesazhet që dha. Pritshmëritë që ai t’u jepte më shumë vend disa prej çeshtjeve kyçe të demokracisë në Shqipëri, si për shembull ato që lidhen me opozitën apo me reformën zgjedhore që zvarritet nëpër kalkulime e pengesa përfide që synojnë dështimin e saj, me siguri do të plotësohen nga vizitat në vijim të zyrtarëve të tjerë të Departamentit që ai drejton. Çëshjet e demokracisë dhe të të qënit faktor stabiliteti në rajon minimalisht duhet të balancohen. Tani është e qartë se politikanët në Tiranë e shpërdorojnë për interesat e tyre dhe në dëm të demokracisë shbalancimin në këtë pikë. Në vazhdën e një tradite të trishtë, ata kanë zakonin e keq t’i nxjerrin lavdërimet dhe superlativat e mysafirëve nga konteksti dhe kortezia. Nuk është se skuqen nga teprimi. Fryhen, u rritet mendja dhe komportohen sikur drejtojnë shtete me nëqind milionë banorë dhe me pesëqind mijë kilometra katrorë. E kupton kushdo se çfarë i bën një vendi të vogël kjo përmbushje gati gati mesianike.

Dhe ndodh pastaj ajo që, nisur nga deklaratat e tmerrshme të ish presidentit Trump për NATO-n dhe Rusinë putiniste, Uashingtoni dhe gjithë Perëndimi alarmohen. Jo për atë që mund të ndodhë nëse Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, por për efektet shumë negative që kanë sot këto deklarata në relativizimin e garancive të ndihmës nga NATO dhe të narrativës ruse për agresionin kundër Ukrainës. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë e sfidon këtë alarm mu në sy të Sekretarit Blinken dhe siguron perëndimin mbarë se nuk ka vend për alarm, se NATO u forcua kur Trump ishte president. Askush nuk e paska ditur. Të gjithë, veç Ramës, e paskan harruar. Që nga Biden, te Shulc dhe Stoltenberg…/ Liberale

Artikulli paraprakShënim/ Amnistia penale, pse është kaq arrogante PS-ja?
Artikulli tjetër“Ju tregoj misterin e vdekjes në burg të intelektualët më të spikatur nacionalist”- Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik: U jepte mësime anglishte bashkëvuajtësve dhe…