Pa u mbyllur ende muaji i dytë i vitit të porsanisur, mbarë opinioni publik u trondit nga një krim makabër. Në Shënavlash të Durrësit, tre fëmijët vranë të atin dhe e varrosën në kasollen pranë banesës. Një histori tronditëse! 50-vjeçari Pëllumb Meta ishte viktima e radhës e krimeve në familjet shqiptare, që po marrin gjithnjë e më shumë përmasa të frikshme, dhe ku autorë janë pikërisht fëmijët.
Vrasje me armë zjarri, mbytje me duar, dhunë fizike deri në vdekje, e deri në prerje koke; ishin disa nga krimet më të bujshme në familjet shqiptare përgjatë kësaj dekade, ku protagonistë ishin fëmijët, të cilët më gjakftohtësi të frikshme iu morën jetën prindërve.
Vështirësitë ekonomike, probleme të shëndetit mendor, por edhe problematika të tjera brenda familjeve, janë disa nga shkaqet e rritjes së këtij fenomeni vrastar në shoqërinë shqiptare, dhe që kërkon nevojën e ethshme të ndërhyrjes institucionale. Janë tragjedi që ekspozojnë traumat dhe depresionin e madh brenda familjes në shoqërinë tonë.
Kjo është kronika e rasteve makabre:
21 prill 2016
Ardit Zenelhoxha, 30 vjeç, mbyti me duar nënën e tij Hedije Zenelhoxha, brenda në shtëpi në lagjen “Çlirimi” të Elbasanit. I riu sipas policisë, vuante prej kohësh nga depresioni dhe ishte në vështirësi ekonomike. Pak ditë para ngjarjes së rëndë ishte larguar nga puna në një firmë shpërndarjesh pije energjike, me arsyetimin se ishe i lodhur dhe nuk ndihej mirë.
29 qershor 2017
Burrë e grua, Ali e Jenie Nika u gjetën të vdekur në derën e shtëpisë në Durrës. Vrasës i të dyve ishte djali Leo Nika, 29 vjeç, i cili pas një debati qëlloi drejt tyre me çifte. Ngjarja në atë kohë dyshohej se ndodhi për shkak të problemeve psikologjike dhe me pijen që kishte i riu.
7 qershor 2018
Qemal Sela, 26 vjeç, qëlloi me plumba automatiku nënën dhe babanë e tij, Flamur Sela, 55 vjeç, dhe Zeqimete Sela, 50 vjeçe. I riu ishte kthyer një ditë më parë nga Anglia dhe kishte debatuar rëndë me të atin, Flamurin. Dyshimet e hetuesve u lidhën me shkakun se ai nuk kishte sjell para nga jashtë. Në grindje djali u kërkoi llogari prindërve për 2 prona që kishte blerë më herët.
6 gusht 2020
Në Buçimas, pranë qytetit të Pogradecit, 44-vjeçari Olsi Çekiçi, pas një konflikt verbal me të ëmën, Firdes Çekiçi, rrëmbeu thikën nga kuzhina dhe e vrau atë. Më pas i preu kokën dhe ia vari tek porta e shtëpisë me gjakftohtësi. E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të vajzës së mitur të autorit.
26 korrik 2021
Ylber Lezi, 47 vjeç, u vra me sende të forta në shtëpi nga gruaja dhe vajza e tij, Mine Lezi dhe Aida Lezi, 51 dhe 21 vjeçe, në Bulqizë. Lezi ishte përdorues i rregullt i alkoolit, ndërsa gruaja e tij me probleme të shëndetit mendor. Familja jetonin në kushte të mjerueshme ekonomike, ndërsa edhe vajza kishte nisur të shfaqte shenja depresioni.
25 gusht 2022
Mariglen Muhametaj, 30-vjeç, vrau me sende të forta babanë e tij, Qemalin, 73-vjeç, në Greshnicë të Mallakastrës. Për shkak të gjendjes mendore, 37-vjeçari nuk shfaqi shenja pendimi edhe gjatë marrjes në pyetje menjëherë pas arrestimit, ndërsa para hetuesve ka treguar me detaje të gjithë skenën e krimit.
1 shtator 2023
Mato Gllucaj, 23 vjeç, organizoi vrasjen e babait në Gjorm të Vlorës. Në sobën me gaz që e mbanin në oborrin e shtëpisë vendosi eksploziv. Sapo babai, Durmish Glluçaj, 56 vjeç, u afrua, djali e shpërtheu lëndën plasëse me mekanizëm elektrik. I riu e vrau të atin e verbër, pasi e dhunonte vazhdimisht dhe fillimisht tentoi të fsheh ngjarjen.
11 shkurt 2024
Ike Sokoli u gjet e vdekur në banesë nga nipi në fshatin Vilë-Bashtovë të Rrogozhinës. 75-vjeçarja humbi jetën nga dhuna fizike e të birit, Ndriçim Sokoli, 35 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, i cili ishte shoqëruar më herët në spitalin psikiatrik. Nënë e bir jetonin të vetëm në shtëpi./BW