Takimi i organizuar në Paris për Ukrainën synonte të sillte ujdi, por ai do të mbetet në kujtesë si gurthemel i mungesës së unitetit. E kjo sepse Emmanuel Macron nxitoi të dilte i pari në krye edhe një herë.
Pyetjes së gazetares, nëse është e saktë ajo që kishte thënë kryeministri sllovak miqësor ndaj Rusisë, Robert Fico, se në takimin e Parisit ishte folur për dërgimin e trupave të paqes, Macron iu përgjigj me po. Kemi folur hapur dhe shumë drejtpërdrejt për gjithçka. Nuk ka konsens për atë që të dërgohen trupa tokësore në Ukrainë.
“Por ne kemi një dinamikë, tek e cila asgjë nuk mund të përjashtohet. Ne po bëjmë gjithçka, që Rusia të mos e fitojë këtë luftë”, sipas presidentit francez.
Kur Macron e tha këtë, shumë politikanë ishin larguar nga Parisi. Reagimet megjithatë nuk vonuan të nesërmen. Polonia, Italia, Britania e Madhe, Sllovakia bënë të ditur, se nuk planifikojnë të dërgojnë trupa tokësore. Kancelari Scholz në kuadër të një takimi në Freiburg siguroi, se “edhe në të ardhmen vlen, që nuk do të ketë trupa tokësore, nuk do të ketë ushtarë në tokën ukrainase, që dërgohen atje nga shtetet e NATO-s apo BE.”
Strategji e dykuptimësisë
Tani po bëhen interpretime, se pse Macron pa nevojë ka shkuar kaq larg. Ajo që dihet është se kjo hedhje ideje përshtatet me filozofinë e kërcënimit, “të strategjisë së dykuptimësisë” kundrejt Rusisë. Moska nuk duhet të flejë në siguri. Nuk ka lodhje në BE përsa i përket Ukrainës, u tha nga Pallati Elysée në Paris.
Në të njëjtën kohë Macron e sheh veten si lider në BE, si dikush që ka sjellë në vetëdijen e BE qëllimin e sovranitetit të Europës, dhe që e nxit Europën të bëhet me e pavarur. Ai tha se “Është e ardhmja jonë. Europa është në lojë. Pra duhet të vendosin europianët. Ne duhet të jemi në gjendje për veten pa ndihmë nga jashtë. Jo nga zemërimi ose pesimizimi, por thjesht sepse varet nga ne.”
Thumb kundër Gjermanisë?
Por ky propozim mund të mendohet edhe si thumb kundër Gjermanisë. Sepse Gjermania dhe Franca fajësojnë njëra-tjetrën, se nuk bëjnë sa duhet për mbështetjen e Ukrainës. Berlini kritikon që ndihma e Francës për Ukrainën është shumë e vogël.
Parisi nga ana e tij thotë, se përkundër Gjermanisë, Franca dërgon raketa me rreze të gjatë veprimi, që nevojiten me urgjencë në fushëbetejë. Nuk fshihej kritika ndaj Scholz, kur të hënën në mbrëmje, Macron tha se ata që thonë sot “kurrë, asnjëherë”, janë ata që në të shkuarën kanë thënë “asnjëherë tanke, asnjëherë avionë”.
Kritika Macronit i erdhën edhe nga opozita në vend. Zëri më radikal i të majtëve në Francë, Jean-Luc Mélenchon shkroi në platformën X, se “është i papërgjegjshëm ky shkallëzim verbal i një fuqie nukleare kundër një fuqie tjetër nukleare “. Edhe kryetarja e partisë së ekstremit të djathtë, Rassemblement National, Marine Le Pen e kritikoi presidentin. Macron luan “shefin e luftës”, tha Le Pen.
Po ashtu edhe Moska reagoi ashpër. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se thjesht që diskutohet mundësia e një dërgimi të kontigjenteve në Ukrainë nga vende të NATO-s është një “element shumë i rëndësishëm i ri.” Kjo do të kishte pashmangshëm si pasojë konfrontimin.”
Vendimi për prodhimin e municionit
Debati pas deklaratës së Macron bëri që të mos i kushtohej vëmendja e duhur vendimeve në Konferencën e Parisit, ku 15 vende e mbështetën propozimin çek për të blerë municion për Ukrainën në BE. Holanda do të verë në dispozicion 100 milionë euro për këtë. Temë e ndjeshme mbetet ajo e dërgimit të raketave me rreze të gjatë veprimi. Kancelari Scholz që u largua menjëherë pas përfundimit të konferencës e refuzoi dërgimin e raketave “Taurus”.
Franca përkundër Gjermanisë dërgon raketa e saj me rreze të gjatë veprimi, SCALP. Tani do të krijohet një koalicion i shteteve që kanë vullnetin të organizojnë furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të mesme e të gjatë veprimi. Shtetet pjesëmarrëse në konferencë ranë në ujdi për 5 qëllime të përbashkëta: Mbrojtjen e Moldavisë, forcimin e mbrojtjes kibernetike kundër Rusisë, forcimin e Ukrainës në kufirin bjellorus, prodhimi i armëve dhe municionit dhe ndihmat për heqjen e minave./DW