Ish-ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka dhënë një dëshmi të fortë para hetuesve të BKH-së për aferën e sterilizimit, duke rënduar pozitën e paraardhësit të saj në këtë institucion, Ilir Beqaj.
Në dëshminë që ka dhënë para hetuesve pak ditë më parë, Manastirliu ka folur për periudhën kur u emërua drejtoreshë e QSUT, dhe përplasjet me Beqajn, për të vënë në punë qëndrën e re të sterilizimit.
Në dëshminë e saj që është publikuar nga Pamfleti, Manastirliu thotë se vendosja në punë e kësaj qendre në QSUT, do të kishte një kosto prej 1 milionë eurosh në vit, 10 herë më pak se vlera e koncensionit të miratuar nga Ilir Beqaj.
Në dëshminë e saj, Manastirliu thotë se është kërcënuar me shkarkim nga puna nga ana e Ilir Beqajt, pikërisht për shkak të insistimit të saj për qëndrën e sterilizimit. Mes të tjerave Manastirliu thotë se e kishte vënë në dijeni edhe kryeministrin Edi Rama mbi kërcënimet, por ky i fundit e kishte këshilluar që të mos merrej me këtë temë, pasi kishin një ‘projekt tjetër’.
Pjesë nga deklarimi i Ogerta Manastirliut, para hetuesve të BKH më 19 shkurt 2024:
Më 20 shtator 2013, u emërova drejtoreshë e QSUT. Tre muaj pas marrjes së detyrës, nisur nga kërkesat emergjente për pajisje kirurgjikale, dhe me qëllim që të mos i blinim te privatët, kërkova nga vartësit, një projekt financiar dhe gjetjen e një grupi specialistësh, për të vënë në punë qendrën e re të sterilizimit, që ishte instaluar në QSUT, por nuk ishte vënë në punë.
Në fund të muajit janar 2014, projekti financiar dhe grupi specialistëve me stafin e punonjësve, ishte gati e me leverdi financiare 1 milion Euro në vit, ose 10 herë më pak se vlera e koncesionit.
Pasi bëmë testimin me disa sete kirurgjikalë e doli me sukses, më 27 shkurt 2014, me Shkresë Nr. 1106, i kërkova ministrit Ilir Beqja, miratimin për vënien në punë të sterilizimit, jo si kosto, sepse e përballonte QSUT, por për fondin e punonjësve dhe si detyrim hierarkik.
Meqë ministri Ilir Beqja nuk ktheu përgjigje, dhe në mesin e muajit mars i kërkova të shpejtohej vënia në punë e Qendrës së Sterilizimit, mbasi kisha presion nga shefat e kirurgjisë, nga urgjenca dhe pavionet që përdorin pajisje të sterilizuara, por ai më tha të mos merrem më këto lejfenizma.
Këmbëngula disa herë deri në qershor 2014, kur Ilir Beqja më kërcënoi me shkarkim nga detyra si drejtore e QSUT nëse do vazhdoja me atë kërkesë; gjë për të cilën vura në dijeni privatisht kryeministrin Edi Rama, por ai më tha: – Mos u merr më atë çështje, se kemi projekt tjetër.
Pas 7 muajsh, më 16 shkurt 2015, ministri Ilir Beqja shpalli njoftimin për dhënien me koncesion të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale për 10 vite, ndërsa më 5 tetor 2015 u publikua fituesi “Sani Servize Italia” e më 10 dhjetor 2015 u nënshkrua kontrata.
Ndërsa lidhur me akuzën për ndryshimin e kontratës më 15 janar 2020, kur ishte ministre e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë këtë deklaratë para hetuesve të BKH:
Manastirliu: Ndryshimi i kontratës ishte përcaktuar në kontratë. U zbatua nga Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë, Gelardina Prodani në bashkëveprim Agjencinë e Koncesioneve ATRAKO, sipas kërkesë të Ministres së Ekonomi-Financave, Anila Denaj, ndërsa unë dhe FSDKSH e kemi zbatuar.
Në një prej deklaratave të shumta që Ilir Beqaj ka bërë nga dalja e SPAK, ish-ministri tentoi që të implikonte dhe Ogerta Manastirliun në aferën e koncensionit të sterilizimit. Beqaj tha disa javë më parë se i kërkoi prokurorëve të SPAK hetimin për sterilizmin, jo vetëm gjatë kohës kur në pushtet ishte Partia Demokratike, por dhe më vonë, pasi ai u largua si ministër dhe u zëvëndësua nga Ogerta Manastirliu.
“Besoj se hetimet janë ende shumë të ngushta është e domosdoshme që ato të shtrihen në dy pjesë. Së pari nga marsi 2011 deri në shtator 2013 për të hetuar pse dy vjet e gjysmë u mbaj ai central dhe nuk u vu në punë, por edhe tashmë janë bërë 8 vjet nga zbatimi i kontratës për të hetuar kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe buxhetit nga zbatimi i kësaj kontrate”, u shpreh Beqaj pasi doli nga SPAK.
Por duket se tashmë kartat janë hapur, dhe dëshmia e Manastirliut është një provë e re për SPAK, që prej muajsh vijon hetimet për Ilir Beqajn. Ndaj këtij të fundit është ende në fuqi masa e detyrimit të paraqitjes një herë në javë para SPAK, si dhe ndalimi për të dalë jashtë vendit.