“Rreth 60 për qind e qytetarëve në Kosovë besojnë se marrëveshja e Ohrit do të ndikojë pozitivisht në jetën e tyre”

Anketimi i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, i publikuar të mërkurën, vë në pah se rreth 60 për qind e qytetarëve në Kosovë besojnë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë pozitivisht në jetën e tyre, raporton VOA.

“Nëpërmjet dy përgjigjeve ‘besoj plotësisht që do të ndikojë’ dhe ‘besoj që do të ndikojë’ mblidhet një total prej 60.8 për qind, ndërsa ky numër ishte 58 për qind në prill të vitit 2023, kështu që shohim një rritje të lehtë pozitive në pëceptimin e qytetarëve se si do të ndikohen nga kjo marrëveshje”, tha Alisa Hasani, menaxhere e projektit.

Ajo theksoi se rreth 75 për qind e të anketuarve besojnë se kjo marrëveshje do të kontribuojë për paqen afatgjatë në Kosovë.

Këto të dhëna janë pjesë e anketimit me emrin “Pulsi Publik” që zhvillohet me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar me një mijë e 307 qytetarë në të gjitha komunat e Kosovës.

Të dhënat e anketës tregojnë se qytetarët nga komuniteti serb në Kosovë kanë më pak pritshmëri nga kjo marrëveshje, meqë vetëm rreth 32 për qind tyre besojnë se ajo do të ketë ndonjë ndikim në jetën e tyre.

Artikulli paraprakBarça mund të humbasë Lewandowski-n, Ter Stegen dhe Raphinha-n/ Treshja pëlqehen në Arabi
Artikulli tjetërRrajcë, 433 nxënës prej një viti mësimin e zhvillojnë në lokale dasmash! Ministria nuk miraton projektin për ndërtimin e shkollës