Prej disa vitesh dhe sidomos në periudhën pas pandemisë, bizneset shqiptare po përballen me vështirësi në rritje për sigurimin e fuqisë punëtore.
Emigracioni i lartë mes të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar, po krijon boshllëqe në tregun e punës dhe shumë biznese ndodhen përballë dilemave për mënyrën si duhet të përballen me këtë situatë.
Një sondazh i kryer nga Monitor në faqen e saj të internetit dhe në rrjetet sociale tregoi se, për shumicën e pjesëmarrësve, zgjidhja kryesore për mungesën e fuqisë punëtore është rritja e pagave.
Pyetjes “Cila mendoni se është zgjidhja kryesore për mungesën e fuqisë punëtore?” 84% e pjesëmarrësve në sondazh iu përgjigjën me alternativën “Rritja e pagave”. 14% e pjesëmarrësve në sondazh votuan se zgjidhja duhet kërkuar te automatizimi i proceseve, në rastet kur është e mundur. Ndërkohë, vetëm 3% e pjesëmarrësve mendojnë se zgjidhja për mungesën e fuqisë punëtore mund të jetë marrja e fuqisë punëtore nga jashtë.
Përshtatja e ekonomisë me një fazë të re, kur forca e punës ka filluar të mungojë, po rezulton një proces kompleks. Në dy vitet e fundit, shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare ka zbritur në nivelet më të ulëta historike, poshtë kufirit të 11%. Paralelisht, kjo është shoqëruar me një rritje dyshifrore të pagave.
Megjithëse publiku percepton rritjen e pagave si zgjedhjen kryesore, rritja me ritmet e dy viteve të fundit do të jetë e vështirë të shoqërohet me një rritje të ngjashme paralele të produktivitetit. Në një fazë të parë, kjo përkthehet në rritje të presioneve inflacioniste, ndërsa në momentin kur bizneset nuk janë në gjendje t’ua përcjellin blerësve rritjen e kostos së punës, një rritje e mëtejshme e pagave do të kërcënonte konkurrueshmërinë dhe ekzistencën e biznesit.
Në dy vitet e fundit, rritja e çmimeve mund të ketë ndihmuar deri diku bizneset të përballojnë rritjen e shpenzimeve për paga. Vetë Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet që vijnë nga ekonomia e brendshme dhe sidomos ato të lidhura me rritjen e kostos së punës përbëjnë tashmë shqetësimin kryesor për stabilitetin e çmimeve. Rritja e fortë e sektorit të turizmit ka shtuar trysninë mbi tregun e punës dhe në mënyrë të tërthortë edhe mbi inflacionin.
Bizneset në vitet e fundit po tentojnë të eksplorojnë edhe alternative të tjera, duke filluar nga marrja e punëtorëve të huaj.
Megjithatë, për shumë sipërmarrës as kjo zgjidhje nuk po funksionon ashtu siç shpresohej. Drejtues të bizneseve janë shprehur për Monitor se janë tërhequr nga marrja në punë e të huajve, nga frika e largimit të tyre, pasi në shumë raste, Shqipëria përdoret si vend trampolinë për t’u punësuar drejt shteteve të BE-së.
Nga ana tjetër, sipas tyre, edhe kostot e punësimit të punonjësve të huaj shpeshherë nuk justifikojnë rendimentin e tyre në punë, çka e bën joeficiente një zgjidhje të tillë.
Automatizimi dhe dixhitalizimi është një alternativë që konsiderohet në sektorë të caktuar të ekonomisë, aty ku është e mundur që puna njerëzore të zëvendësohet pjesërisht me teknologjinë.
Përveç sektorëve më të zhvilluar të shërbimeve, përpjekje për të rritur nivelin e automatizimit po shfaqen edhe në bujqësi, një ndër sektorët që po e vuan gjithnjë e më shumë mungesën e fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit të të rinjve dhe tendencës demografike të zhvendosjes drejt zonave urbane.
Mungesa e forcës së punës ka nxitur krijimin e bizneseve që ofrojnë shërbimin e vjeljes së produkteve bujqësore, sidomos të ullirit, por edhe të mollëve. Këto biznese kanë investuar në makineri robotike që e vjelin automatikisht prodhimin, duke zëvendësuar punën me dorë të kryer nga njeriu.
Gjithashtu, disa kompanitë shqiptare të kultivimit të fidanëve po përdorin në vitet e fundit zgjidhje robotike në procesin e prodhimit, duke rritur ndjeshëm eficiencën e këtij biznesi./E.Shehu