Flutura Açka: Mjaft më me detaje makabre. TV duhet të kujdesen për shikuesit!

Kryetarja e Komisionit të Medias, Flutura Açka ka bërë një thirrje publike ndaj TV shqiptarë, në lidhje me programet e mbrëmjes. Açka në Facebook shkruan se programet duhet të ‘qëndrojnë sa më larg krimit’, pa shpërndarë shumë informacion për publikun, duke shmangur dhunën e makabritetin.

Ndër të tjera shton se në ekranet shqiptare duhet krijuar një mjedis më njerëzor dhe larg etheve të klikimeve.

“Thirrje publike moderatorëve shqiptarë të programeve të mbrëmjes. Ky shumëfishim i frikshëm i krimit familjar, është “krim” mbi shqiptarë. Këtë të hënë, në pikun e shikueshmërisë së shqiptarëve, në orën 21.00 të mbrëmjes, plot dhjetë programe televizive u morën me detajet (gati makabre) të vrasjes më të fundit të bujshme në familje.

Unë e kuptoj që tregu shqiptar i ekranit është i egër, i falem thellësisht lirisë së medias, por ka një detyrim, në fund të të gjithave, edhe njerëzor: t’u hedhim shqiptarëve nga ekranet tona më pak dhunë e makabritet.

Duke dorëzuar nga pak përditë nga ethet e klikimeve dhe shikuesve, ne mund të krijojmë një mjedis më njerëzor.

Ose, së paku, të flasim me të njëjtën ethe siç flasim për politikën dhe krimin, për cilësinë e rrugëve, nivelin é universiteteve, zonat é mbrojtura, Diasporën, muzetë, pyjet, emigrimin, administratën shtetërore, oligarkinë, monopolet, bujqësinë, etj.

Është një thirrje shumë miqësore é njerëzore si mikeshë, qytetare, deputete dhe, në fund, si kryetare e Komisionit Parlamentar që mbulon edhe Median Shqiptare”, shkruan Açka.

Artikulli paraprakVIDEO/ Nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku, denoncon shembjet në Rrugën e Arbrit: Kjo situatë katastrofale ka vetëm një emër: Keqpërdorim i fondeve publike. Dosja e Koncesionit, shumë shpejt në SPAK
Artikulli tjetërKLSH konstaton mangësi në ndihmën ligjore falas për grupet në nevojë