Rrugë të lëna përgjysmë, fonde që shtohen pas garave që kanë indici për korrupsion. Drejtues ARRSH-je të përfshirë në afera dhe ndjekje penale dhe rrugët nuk mbarojnë. Si përfundim rrugë të fryra në kosto dhe përsëri, Shqipëria ka infrastrukturën më të dobët.
Më 17 shkurt 2024, një ditë pas shembjes së rrugës “Korçë-Ersekë”, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion do të deklaronte nisjen e hetimit dhe regjistrimin e procedimit penal ndaj kompanive “A & E ENGINEERING” me aksionere Entela Çano dhe kompanisë “A.N.K” me pronar Agim Kola.
Inxhinieri Romeo Nazarko kishte arritur të vinte në lëvizje institucionin më të lartë hetimor (SPAK) duke renditur shkeljet që kishte konstatuar në atë segment rrugor.
Akuzat ishin të qarta; Shpërdorim detyre, mashtrim me projektin e rrugës, mashtrim teknik, mashtrim e falsifikim me procesin e mbikëqyrjes së punimeve, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, një ditë pas regjistrimit te procedimit penal dhe nisjes së hetimit ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve (ARRSH), Evis Berberi, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, zbarkuan në 3 banesat e Drejtorit të Autoritetit Rrugor, duke sekuestruar dokumente, kompjuter, 2 telefona dhe 3 USB, ku besohet se ka prova dhe për afera me rrugët e tjera….
Por çfarë ndodhi në aksin e shembur i Ersekës dhe alarmi për rrugët që janë në proces?
Aksi Korçë-Ersekë, me gjatësi 35 kilometra, pritej të inaugurohej në qershor të vitit 2023. “Tashmë kantieri është në një fazë shumë të avancuar, pjesa e parë e Lotit të Dytë është përfunduar në 99 %”, deklaronte kohë më parë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Por ndërsa të gjitha afatet u shkelën, aksi jo vetëm që nuk ka përfunduar, por në një segment të tij, të sapo ndërtuar, ka pësuar shembje masive duke e bërë atë të pakalueshëm. Dëmtimi i madh i rrugës ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Qarrit.
Sipas burimeve të informacionit kosto e kësaj rruge, ka shkuar në 60 milionë euro. Ekspertët tregojnë se kjo rrugë, është e kategorisë C me një karrexhatë me të paktën një korsi lëvizjeje për sens, 35 kilometra e gjatë dhe vetëm 8,5 metra e gjerë.
Në qershor të vitit 2013 nisën punimet për ndërtimin e një pjesë të segmentit rrugorë, tenderi për lotin e parë me gjatësi 17,6 kilometra u fitua me një ofertë prej 17 milionë eurosh nga kompania “A.N.K”. Edhe përse kanë kaluar 11 vite shiriti përfundimtar për përfundimin e punimeve duket shumë i largët.
Vetting/ Krerët e ARRSH dhe hesapet me drejtësinë! Kush janë drejtorët e Rrugëve që përfunduan në Prokurori
“Drejtorët e Rrugëve, të gjithë nga zyra drejt burgut”
Duke nisur nga viti 2008 e deri më sot, çdo njëri që ka drejtuar ARRSH-në në vendin tonë, duket se i ka zënë “mallkimi”. Që të gjithë ish-drejtuesit e ARRSH –së, por edhe drejtuesit aktual janë në hetim nga prokuroria për abuzime me tenderat dhe fondet e akorduara për rrugët nga buxheti i shtetit. Por, ndërkohë që disa prej ish-drejtuesve kanë përfunduar në pranga, për Evis Berberin sapo kanë nisur hetimet në SPAK.
Në vitin 2008-2013 në krye të ARRSH-së ka qenë Andi Toma. Ndërsa qeveriste Partia Demokratike, opozita në atë kohë e denoncoi atë për shpërdorim të fondeve për rrugën e kombit. Por, me ndryshimin e pushtetit në vitin 2013, maxhoranca e asaj kohe PS-LSI, emëroi në vend të Andi Tomës, Dashamir Xhikën dhe zëvendës të tij… të akuzuarin Andi Toma.
Fati i dy personave që bënë rokade, në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Xhika dhe Toma, ishte vënia në pranga. Ata janë arrestuar me urdhër të prokurorisë për abuzime në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Ndërkaq, në 2018 në kryer të ARSH -së pas Dashamir Xhikës emërohet Sonila Qato, e cila qëndroj në drejtim të këtij institucioni për tetë muaj e më pas dha dorëheqjen. Por edhe ajo si paraardhësit e saj, nuk i shpëtoj akuzave, ndërkohë që është nën hetime nga SPAK. Ish-drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera. Të pandehur për të njëjtën akuzë bashkë me Qaton janë marrë edhe ish zyrtarë të tjerë të ARRSH-së me dyshimet se janë gjetur shkelje në procedurat e tenderit për lotin e shtatë të rrugës Kardhiq-Delvinë.
Më 20 shtator 2019 në kryer të ARRSH-së pas dorëheqjes së Sonila Qatos u vendos Vasilika Vjero, e cila edhe ajo dha dorëheqjen vetëm dy javë pas qëndrimit në këtë detyrë .
Me 3 Tetor 2019 në krye të ARRSH -së emërohet Ergys Vjerdho. Edhe Vjerdho nuk i ka shpëtuar ballafaqimit në SPAK, pas kallëzimit që i është bërë nga opozita. Ai akuzohet se në kohën që ai drejtonte ARRSH-në ka akorduar për ndërtuar një nga segmenteve rrugore Korçë – Ersekë, 20 milionë euro për 4 km rrugë! Sipas denoncimit, në këtë segment po ndërtohej me një kosto 5 herë më e lartë sesa segmentet e tjerë të së njëjtës rrugë. Me të njëjtën kosto, në të njëjtën rrugë, janë ndërtuar që nga viti 2012 u ndërtuan rreth 18 kilometra me rreth 15 milionë euro kilometri. Në kohën e Vjerdhos një kilometër shkoi në 20 milionë euro, duke hedhur dyshime për fryrje abuzive me investimet ne infrastrukturë.
Me 8 Qeshor 2021 Ergys Vjerdho la detyrën si drejtor i Autoritetit Rrugor dhe në vendin e tij u emërua Evis Berberi, që është emri më i fundit që i bashkëngjitet të hetuarve në këtë drejtori.
Zbulimi i Vetting/ ‘Manovrat’ e Evis Berberit, si i çoi milionat tek firma ku ishte aksioner! Nga blerja e kompanisë dhe emrat që ndryshoi për të marrë fonde publike
Por kush është drejtori i ARSH, Evis Berberi, që riprojekton për herë të disatë të njëjtin studim?
Evis Berberi rezulton pronar me 20 për qind të kapitalit të firmës “DAAM shpk” nga 14 Shtatori 2018 deri më 31 Janar 2019.
Vetë Berberi prej vitesh ka qenë shumë pranë ministres Balluku, si kur ishte drejtues i Prokurimeve në ALBCONTROL në vitet 2013-2019 e më pas edhe Këshilltar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës apo drejtor i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, deri më Qershor 2021 kur kaloi në krye të Autoritetit të Rrugëve. Në gjithë këto poste Berberi është “kujdesur” që shumë fonde të shkojnë drejt kompanisë së tij private, “DAAM shpk”.
Sa para deklaron, Evis Berberi, kreu i ARRSH-së në pasurinë e tij?
Më 5 Mars 2019, Evis Berberi ka deklaruar pranë ILDPKI-së pagën nga pozicioni si administrator i shoqërisë “DAAM shpk”. Pagën nga pozicioni i punës si drejtues teknik pranë shoqërisë “Bvaal Engineering shpk”.
Një vit më pas, më 6 Mars 2020, si dhe në vitet në vazhdim, më 31 Mars 2021 dhe 09 Prill 2021, Evis Berberi ka deklaruar në ILDKPI pagën si këshilltar në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Pagë si anëtar Bordi në Institutin e Ndërtimit. Pagë si kryetar i Bordit të Albpetrol. Pagë si anëtar bordi në Autoritetin Portual Durrës.
Po kështu, rezultojnë edhe të ardhura të përfituara nga bashkëshortja si rezultat i kontratës së dhënies së tokës me qira e lidhur me kompaninë BANKERS.
Por, pavarësisht është deklaruar shitja e firmës së tij tregtare, në asnjë nga formularët e mësipërm nuk ekziston asnjë e dhënë për deklarimin e shitjes së kompanisë “Daam shpk”.
Për më tepër, lidhja me drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi me Valter Begajn nuk del vetëm te transaksioni i shitje-blerjes së kompanisë “B – VAAL ENG – 10”, që më vonë iu ndryshua emri në “DAAM”. Nga shtatori 2018-të, kur Evis Berberi bleu kompaninë e Begajt, ai ka punuar në të njëjtën zyrë me të.
Nga të dhënat e QKB-së, veç kompanisë “B-VAAL ENG-10”, Valter Begaj rezulton themelues dhe ende pronar i kompanisë tjetër “B-VAAL ENGINEERING”. Këtë kompani ai e ka themeluar më 28 gusht të 2017-s, tre muaj para se të themelonte kompaninë që më vonë bleu Evis Berberi. Ashtu si “B-VAAL ENG-10”, që ndryshoi emrin në “DAAM”, edhe B-VAAL ENGINEERING” e ndryshon emrin duke u bërë “NET-Group”.
Objekti i të dyja kompanive mbetet i njëjtë, ai i studimit, projektimit dhe supervizimit të veprave inxhinierike. Veç objektit, dy kompanitë rezultojnë me të njëjtën adresë identike. Kompania “NET-Group” e Valter Begajt, tre muaj pasi Evis Berberi u zgjodh drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, pra në gusht të 2021 fiton një tender me vlerë rreth 175 mln lek me TVSh për mbikëqyrjen e punimeve në Lotin 7 të Unazës së Madhe.
Veç kësaj, nga të dhënat e publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, kompania rezulton fituese edhe për mbikëqyrjen e tre projekteve në Bashkinë e Durrësit me një vlerë totale rreth 10 mln lek.
Si e pagoi Berberi ish-firmën e tij?
Gjatë drejtimit të Agjencisë së Eficiencës së Energjisë, Evis Berberi, që varet nga ministrja Belinda Balluku pajisi si Auditues të energjisë në ndërtesa, auditues së energjisë në instalime industriale, dhe menaxher të energjisë, personin i cili i bleu kompaninë DAAM shpk.
Pra, pronari aktual i DAAM shpk ka përfituar nga Evis Berberi, pronar i mëparshëm i të njëjtës shoqëri tregtare, vlerën 322 milion lekë të vjetra paguar Qeveri shqiptarë.
Ndërsa firma e Valter Begaj “NET-Group” ka përfituar nga ARRSH 475 milion lekë. Firma net group dhe firmën e drejtorit të ARRSh “DAAM shpk e lidhë Valter Begaj tek njëra si aksioner dhe tek tjetra si administrator me drejtues… Evis Berberin.
Pikërisht kjo lidhje duket se tashmë ka bërë që në SPAK të ketë një dosje ku pritet të analizohen hap pas hapi faktet se si Evis Berberi ka lidhur kontrata publike me institucione shtetërore, kur mbante detyrën e drejtuesit në një institucion shtetëror?
Një pikë tjetër është punësimi si drejtues teknik në një firmë që vijon të lidhë kontrata e të përfitojë fonde nga ARRSH, autoritet i cili drejtohet po nga Evis Berberi.
Berberi “gjurmë” dhe te Unaza e Tiranës
Në 8 tetor 2021, kreu i ARRSH, Evis Berberi ka firmosur tenderin me vlerë 23 milionë euro për kompanitë ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së jashtme të Tiranës, Loti 7.
Pronarët në letra të dy kompanive fituese janë Arbër Abazi dhe Artan Sako. Arbër Abazi është nipi i ish deputetit të PS, Sadri Abazi. Artan Sako është vëllai i ish-kreut të Gardës, Gramoz Sako.
Për të mbikëqyrur punimet e ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 7, Evis Berberi ka përzgjedhur në datën 10 nëntor 2021 si fituese e tenderit grupin e kompanive “NET-GROUP” dhe “ARABEL – STUDIO”.
Vetting/ Kreu i ARRSH Evis Berberi favorizoi firmën e ish-ortakut tek Unaza e Madhe! Ekspertët ngrenë alarmin për abuzimet me Korridorin 8 dhe fondet e BE
Berberi “gjurmë” dhe te Unaza e Tiranës
Në 8 tetor 2021, kreu i ARRSH, Evis Berberi ka firmosur tenderin me vlerë 23 milionë euro për kompanitë ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së jashtme të Tiranës, Loti 7.
Pronarët në letra të dy kompanive fituese janë Arbër Abazi dhe Artan Sako. Arbër Abazi është nipi i ish deputetit të PS, Sadri Abazi. Artan Sako është vëllai i ish-kreut të Gardës, Gramoz Sako.
Për të mbikëqyrur punimet e ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 7, Evis Berberi ka përzgjedhur në datën 10 nëntor 2021 si fituese e tenderit grupin e kompanive “NET-GROUP” dhe “ARABEL – STUDIO”.
Çfarë konstatoi KLSH për Berberin?
Në muajt maj dhe korrik të viti 2023 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar dy raporte që ka zhvilluar brenda Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Nga analiza dhe kërkimet KLSH thotë se në ARRSH ka konstatuar zhdukje të dokumenteve të mbledhjeve të bordit drejtues, pagesa të dyshimta të anëtarëve të bordit, vendime pa rend dite, pa dokumentacion shpjegues dhe pa rezultat votimi etj.
Manovrat me tenderat apo ndryshimi i kontratave gjatë procesit të punës janë një tjetër problem që është ngritur nga KLSH.
Por, në auditim del se në Autoritetin e drejtuar nga Evis Berberi mbeten problem largimet nga puna pa kriter dhe të pajustifikuara nga ana administrative.
KLSH konstaton se “vlera totale prej 92,400 Euro të fituara nga punonjësit e larguar nga puna, deri në këtë shkallë të gjykimit, konsiderohet shpenzim pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet në buxhetin e shtetit e cila është në kundërshtim me Manualin e Operimit të Projektit” thuhet në raport.
Por këto janë vetëm një pjesë e shkeljeve në të cilat del emri i Berberit.
“Ndëshkimi” i Korridorit 8
Ajo që ka ndodhur me ndryshimet e herëpashershme të studimeve të projekteve, siç konstatonte KLSH, ka shtuar kostot edhe në ndryshimet të gjurmëve, fakt që ka dërguar në rritjen së çmimeve për disa segmente të Korridori 8. Ky është i vetmi projekt madhor që lidh detin Adriatik me Detin e Zi dhe që kalon mes vendeve të NATO-s, por që vazhdon të mbetet ende më shumë në letër për shkak të shumë problematikave që kanë hapur institucionet shqiptare, përfshi Autoritetin e Rrugor Shqiptar.
Në këtë situatë gjeopolitike të krijuar nga pushtimi rus ndaj Ukrainës, ky korridor do të ishte një zgjidhje e rëndësishme, pasi do të çimentonte rolin strategjik të Shqipërisë në sigurinë e Europës Juglindore, dhe do të plotësonte kontributin që japim me TAP në sigurinë energjetikë të Europës. Sipas ekspertit të ekonomisë, Eduart Gjokutaj, ka një arsye se përse këto projekte nuk arrijnë të finalizohen.
“ Në radhë të parë ata që janë përgjegjës direkt janë ministrie përkatëse Ministria e Infrastrukturës e cila nëpërmjet ARRSH bën gjithë termat e referencës dhe projektet dhe japin garancitë e nevojshme për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale. Në momentin që nuk arrihen të garantohen fondet në kohë sa është buxheti dhe sa do merren nga fondet e huaja dhe sa kredi nuk arrihet kuptohet se si do administrohen këtu kemi përgjegjësi edhe penale” u shpreh Gjokutaj.
Nisur që prej vitit 1994 ky aks investohet në segmente, në mënyrë anemike dhe më pas fiken dhe harrohen. Edhe pse kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës kohë pas kohe kanë dalë dhe e kanë përmendur këtë Korridor, por në vend të kilometrave të shtuara kanë mbetur vetëm shiritat.
BE dhe institucionet shqiptare
Pas interesimit të emisionit Vetting, pranë Zyrave të Bashkimit Evropian, zyrtarët europian konfirmuan se financimi për këtë projekt nuk ka ndaluar edhe pas kritikave për vonesat në proces.
Por pavarësisht kësaj mbështetje, Shqipëria vijon të krijojë hallkë pas hallke që shtyn pa fund përfundimin e këtij Korridori. Ajo që ka shtuar tashmë fondet është pikërisht ndryshimi i gjurmës së projektit fillestar.
Kështu autoritetet shqiptare kanë në projekt një tunel prej 3 kilometrash. Sipas ministres Balluku, kjo zgjidhje u arrit pas negociatave mes autoriteteve rrugore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe ministrive përgjegjëse të Infrastrukturës.
Kjo ka zhvendosur në një trase krejt të re segmentin e fundit në territorin shqiptar, nga ura e Bushtricës në Qukës për të dalë afërsisht pranë grykës së quajtur “Shkalla e Skënderbeut” në kufi me Maqedoninë e Veriut, në gjatësi 10 kilometra.
Për këtë ndryshim autoriteti Rrugor tenderoi “Studim dhe projektim i aksit rrugor Bushtricë – Pika doganore, Korridori VIII” me një shumë prej 450 mijë eurosh në dispozicion. Por inxhinieri Nazarko thekson se devijimi është i panevojshëm dhe me kosto të lartë.
“Kanë filluar punimet, por me ritme të ngadalta po punohet me segmente të caktuara të Korridorit të 8 dhe një arsye është rruga qukës Qafë -Plloçë që shteti shqiptarë e sfumon në formën e vetë duke financuar lekët e buxhetit të shtetit dhe lekët e kredive që kanë marr për një rrugë panoramike e cila nuk është se do ta ndihmojë shumë lidhjen e Durrësit, Tiranës me qytetin e Korçës”
Por, sipas ekspertëve, akset nuk janë mbaruar në kohë për shaka se Buxheti i Shtetit ekspozohet më shumë nga sa duhet.
“ Mungesa e planifikimit të duhur dhe harmonizimit të fondeve dhe pjesë që dalin përtej asaj që ka planifikim përtej buxhetit të projekteve në kohë që është humbje për ekonominë dhe qytetarët” u shpreh Gjokutaj. Problemi, sipas ekspertëve, lidhet edhe me paaftësinë për të dhënë siguri ndërkombëtarëve për financime në tërësi. “ Për sa kohë ti merr fondet e BE dhe i keqpërdor, i shpërdoron dhe Bashkimi Europian nuk ke gojë ti kërkosh” u shpreh Nazarko
Por a duhet të mbajë dikush përgjegjësi?
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj u shpreh për Vetting se, institucionet janë ato që duhet të planifikojnë akset në bazë të fitimeve dhe zhvillimeve.
“E kemi investuar më shumë se 4 triliardë lekë në 25 vite dhe ende nuk ka përfunduar pjesa e atyre që janë nevoja të infrastrukturës” u shpreh Gjokutaj.
Ndërkaq, inxhinieri Nazarko sqaron se shteti nuk ka pse investon miliona euro në rrugë të dorës së dytë ndërkohë që paraja qëndron pas Korridorit të 8.
“ Duhet ta shfrytëzojmë duke i dhënë prioritet me të gjitha kapacitetet që pnimet të avancojnë” u shpreh Nazarko.
Ajo që bien ë sy është fakti se, ndërkohë që në Maqedoni ky projekt ka ecur më shpejt, në Shqipëri është ende në studim projekti.
Sipas ekspertit Arben Meçe, nuk ekziston kurajo të thuhet se ky Kotridor do finalizohet duke shpallur vetëm segmentime apo zgjerime të traseve.
“Ne duhet të kemi kurajon dhe të themi nuk po bëjmë zgjerime por me forcat tona po bëjmë koridorin 8” U shpreh Meçe
Ndërkaq fitimi i munguar që do të shpërndahej tek qytetarët është përllogaritur deri në 1 miliardë euro.
“Një fitim të munguar që kalon mbi 1 miliardë euro” u shpreh Gjokutaj
Por, ekspertët nuk e fshehin se për këtë korridor nuk është vetëm çështje fondesh por vullneti. Ndikimi i shteteve fqinje u ka dhënë përparësi koridorit 10 ndërsa ana tjetër e ekspertëve sqarojnë se kjo rrugë me disa forma të ndryshme transporti ka mbëtur për faj të politikave të brendshme.
“Politika e dobët në vend ka bërë që ka fuqi për të ndërhyrë që ka të bëj me korrupsionin kemi rastet e AZHBR, rastet e fondeve të BE- së me rindërtimin të tërmetit” u shpreh Nazarko
Rrugët “në rrugë”
Afati duhet të jetë operacionalizimi i segmentit para vitit 2030, dhe jo më vonë se 2040. Por, mes dërgimit të parave te ortakët dhe zgjedhjes së përfundimit të këtij Korridori, bastin deri më sot e ka fituar e para, duke i lënë segmentet të palidhur, me disa studime të paguara disa herë dhe më shumë pak metra reale asfalt në terren dhe asnjë trase treni ngjitur.
Kjo rrugë sipas ekspertëve nuk është thjeshtë një rrugë makinash, por në rrugë nga ku ekonomia shqiptare mund të kishte sot një fytyrë tjetër.