Fotot e viktimave të vrara pas shkurreve, me një armë në kokë, të dërguara për të pritur përgjijge nga një “boss droge” shqiptar; urdhërat e dhëna nga drejtuesit e bandave të Ndranghetës; shkëmbimi i mesazheve mes krerëve të bandës siciliane; droga, vrasjet dhe planet.
Të gjitha këto do të merren parasysh para togave të zeza. Gjykata e Lartë e Kasacionit në Itali ka vendosur që të përdorë si prova të ligjshme dhe të vlefshme të gjitha bisedat e zhvilluara në aplikacionin “Sky ECC”.
Pas seancës që zgjati disa orë togat e zeza të Gjykatës së Kasacionit hodhën poshtë pretendimet e avokatëve të kriminelëve kalabrezë, duke shënuar kështu një moment historik për prokurorët antimafia.
Kjo sepse në ata serverë ka biseda të koduara të 170 mijë kriminelëve të bindur se mund të flasin lirshëm. Nga miliona biseda që janë siguruar e është njësoj sikur hetuesit të kishin para tyre mijëra të penduar që flisnin lirisht, tregojnë punët, hesapet dhe dërgojnë foto.
Nuk ka shumë detaje se si francezët arritën që t’i deshifronin pajisjet kompjuterike, pasi vetë Franca e ka shpallur sekret shtetëror aksionin, një fakt që na bën të kuptojmë rëndësinë e çështjes. Në Romë, falë atyre përgjimeve u demaskua mafia shqiptare, kontaktet me ushtarakët maroken, pazaret me “narkot” ekuadorian, zyrtarët e korruptuar, etj. U zbuluan gjithashtu edhe tentativat për të vrarë dy magjistratë nga Roma me porosi të “Zotit” shqiptar të drogës, Elvis Demçe.
Ndaj ai dhe “kolegët” e tij po dridhen në të gjithë Italianë. Për më tepër që për nxjerrjen e bisedave nuk kërkohet autorizimi paraprak i gjyqtarit, siç ndodh me telefonat dhe aplikaconet normale”. Mund të përdoren bisedat. Loja mbaroi!
Ndërkohë që Italia ka dalë në një vendim, edhe në Shqipëri, çështja e bisedave të enkriptuara hapi diskutim.
“Një sindikatë me avokatë vendas dhe të huaj, janë bërë bashkë për të rrëzuar përmes vendimeve të gjykatave, bisedat e zbërthyera të aplikacionit “Sky ECC”, ku shumë eksponentë të krimit të organizuar dhe zyrtarë dalin të implikuar në veprimtari kriminale,”-kështu tha kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë një takimi me gazetarët, përmendi përpjekjet e një grupi avokatësh, vendas dhe të huaj për të nxjerë jashtë loje përmes vendimeve gjyqësore, si të paligjshme dhe të papërdorshme bisedat kriminale të zhvilluara në “Sky”.
Dumani i referohej palës mbrojtjëse të të arrestuave nga operacionit “Metamorfoza” në Shkodër. Por tani me vendimin e gjykatës italiane, kanë një “precedent” më shumë në anën e tyre. Derisa edhe në Shqipëri, Gjykatat të dalin në të njëjtin përfundim.