Deklarata e kryeministrit grek Teodoros Pangallos e vitit 1926, për marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe Çamërinë

Nga Enver Kushi 

I

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-greke në këto 100 vite të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, është karakterizuar nga stinë në të shumtën e tyre të ftohta dhe rrallë, shumë rrallë nga stinë të ngrohta dhe me diell, që janë aq të bollshme si klimë në hapësirat tona gjeografike. Përtej deklaratave të kahershme, apo të sotme të bëra nga politikanë grekë për “miqësi me Shqipërinë dhe shqiptarët”, si dhe dëshirës së mirë të shqiptarëve dhe të opinionit të shëndoshë grek, që këto marrëdhënie me të vërtetë të ishin normale, ato asnjëherë nuk kanë qenë të tilla, ose më saktë, janë helmuar nga nacionalizmi ekstrem, që ka lulëzuar e vazhdon të lulëzojë në Greqinë fqinje edhe në politikën zyrtare të qeverive të ndryshme greke, si dhe silogjeve vorio-epirote.

Që nga rënia e Janinës në mars të vitit 1913 dhe më pas, për të arritur në momentin më tragjik të viteve 1944-1945, gjatë të cilës u shënuan vrasje, dëbim me dhunë i popullsisë çame nga trojet e veta e deri në ditët tona, për fat të keq nuk kemi nga politika greke as pranim të krimit dhe as katarsis, nëse do të përdornim një term, që lidhet me tragjedianët grekë të lashtësisë dhe gjëmën e Trojës. Shqiptarët nuk kanë patur të shkruar ndonjë doktrinë apo platformë antigreke, ose synime territoriale ndaj Greqisë, siç ka qënë doktrina e “Megalidhesë” e vitit 1844, kur në Greqi ishte kryeministër Jani Koleti. Shqiptarët dhe grekët, si popujt më të lashtë të gadishullit të trazuar ballkanik, po të perifrazonin shkrimtarin e madh Ismail Kadare, kanë shekuj që jetojnë në fqinjësi dhe do të kenë shekuj të tjerë fqinjësie përpara. Prandaj, mendoj se e ardhmja e kësaj fqinjësie dhe besimi reciprok, duhet të lenë pas ankthet e së shkuarës, stinët me ngrica dhe t’u rikthehen qëndrimeve realiste dhe një fryme tjetër, që nuk kanë munguar në të shkuarën jo shumë të largët në politikën greke.

Kam shkruar për kodet e mirëkuptimit mes popujve të Ballkanit. Ato qëndrojnë përtej politikave nacionaliste, përtej nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes. Këto kode mirëkuptimi duket sikur vijnë e shkojnë si retë dhe mjegullat e maleve të Ballkanit, ulen dhe ngrihen në luginat e lumenjve të këtij gadishulli, burimi dhe rrjedhat e të cilëve nuk njohin kufij. Kjo ka ndodhur edhe mes shqiptarëve dhe grekëve si popuj fqinj. Kjo frymë ka qënë edhe në Çamëri, në marrëdhëniet mes çamëve myslimanë dhe atyre të krishterë, apo me grekët dhe vllehët, që kanë banuar atje. Me të drejtë Tula Stefanidhu(Malakata) nga Margëlliçi ka shkruar: “Kisha dhe xhamia nuk na ndanin”. Lexoni poemën e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri “Dëshirë e vertetë e shqipëtarëve” dhe do të ndjeni mesazhet që ai përçon për popujt tanë fqinj. Lexoni edhe librin e historianit Hajredin Isufi “Çamëria studime historike-sociologjike, shek XIII-XX.”(Tiranë 2006), ku është i pari historian me origjinë nga Çamëria, që trajton me vërtetësi dhe dokumente, marrëdhëniet e mira mes çamëve myslimanë, atyre të krishterë e popullsisë greke dhe vllehe në Çamëri.

Të parët e mi, nënshtetas grekë me kombësi shqiptare, që kanë jetuar në trojet e tyre në hapësirat e Epirit, sa ishin gjallë nuk kanë rreshtur së foluri për miqësitë me të krishterët, për vajtje-ardhjet në festat fetare, dasma e ksodhe(vdekje).

II

Të gjitha përfaqësitë tona diplomatike në Athinë, si dhe ambasadorët shqiptarë atje, kanë dëshmuar dhe përçuar dëshirën e popullit dhe qeverive shqiptare për marrëdhënie të mira më fqinjin tonë të Jugut, Greqinë. Nuk është e rastit, që Mid’hat Frashëri, ambasadori ynë i parë në Greqi, me të arritur në Athinë, më 24 shkurt 1923 dhe pas takimit me ministrin e jashtëm të Republikës Greke, Aleksandër, shkruan: “…i thashë se idetë e luftës u ç’duknë dhe që është koha për të punuar për prosperitetin material të Ballkanit” (Mid’hat Frashëri, Vepra të Zgjedhura,v.7, Fq.283. Botim i Sh.B. “Onufri”, nën kujdesin e botuesit Bujar Hudhri. Tiranë 2022). Ja vlen që para se të analizojmë deklaratën e Kryeministrit të Greqisë, të citoj informacionin që i dërgon Mid’hat Frashëri nga Athina, më 17 tetor 1925, Hysen Vrionit, Ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, për takimin me zotin Pangallos: “Sot poqa zotin Pangallos… u përgjegj se dëshironte edhe  ay fort shumë që të jemi miq, ndaj ka dhënë urdhër në Ministri të Punëvet të Jashtme të kërkohet nga Shqipëria, agrementi për Gjeneral Kondulin, si ministër. Shtoi se Kondulin e ka mik personal dhe se është dashamir i shqipëtarëve”. (Mid’hat Frashëri, Vepra të Zgjedhura,v.8, Fq.383-384. Botim i Sh.B. “Onufri”, nën kujdesin e botuesit Bujar Hudhri. Tiranë 2023).

Ndërsa më 21 nëntor 1925, ai në raportin e dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme, e informon për gjashtë takimet brenda tri javëve me Kondulin, ku “kemi ngrënë drekë, kemi marrë çaj, bëmë edhe një vizitë ekskursion në Pire, në shoqëri të z. Pangallos…Z. Konduli i shikon siloget vorio-epirote si qendra intrigash dhe vjedhjesh të rrezikshme për Greqinë, si dhe për Shqipërinë. Më kallzoi vetë, se ka kuvenduar në Ministrinë Helenike mbi kotësinë e propagandës vorio-epirote. “Shqiptari s’bëhet grek, thotë, as greku shqiptar. Pra të heqim dorë nga një politikë me gënjeshtra”.(Mid’hat Frashëri, Vepra të Zgjedhura,v.8, Fq.451-452).

Më 12 dhjetor 1925 Mit’hat Frashëri e informon Hysen Vrionin për takimin me zotin Roufos, Ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë: “Dje e premte ditë e vizitavet, vajta poqa zotin Roufos, Ministër i Punëve të Jashtme. Më tha, pa e pyetur unë gjësendi se për marrëdhëniet shqiptaro greke, qënkan marrë vendime në Këshillën ministreale, duke caktuar një politikë miqësore për Shqipërinë dhe duke dhënë urdhër në departamentet e duhur, që të ndiqet paskëtaj një mënyrë veprimi fare i drejtë dhe i ndryshme prej atij që është ndjekur gjer më sot… Tani Qeveria Greke më s’ka ndonjë pretendim as mbi kufinjtë e Shqipërisë, as një tjetër farësh. Kujdesi i të gjithë ballkanikëve duhet të jetë respekti i kufijëvet të caktuara prej trktatëvet. Për çamët, z. Roufos më tha se është vendosur që të mos iknjë më asnjë çam i ri nga Greqia edhe urdhëri u dha në Epir, në Ministri të Bujqësisë edhe gjetkë, që të heqin edhe refugjatë, që janë vendosur në Çamëri”. (Mit’hat Frashëri, Vepra të Zgjedhura,v.8, Fq.458).

III

Në këtë kuadër, ja vlen t’i rikthehemi deklaratave të Kryeministrit grek, Teodoros Pangallos, më 14 shkurt të vitit 1926, jo vetëm thjesht si kuriozitet, por edhe për të pohuar se ka patur edhe politikanë grekë që kanë dashur sinqerisht marrëdhënie normale me Shqipërinë dhe njohje të të drejtave të minoritetit shqiptar çam në Greqi. Koha jonë, e ardhmja e Ballkanit dhe veçmas marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe zgjidhja e çështjes çame, kanë nevojë për zëra realistë dhe deklarata e qëndrime, që çuditërisht tingëllojnë aktuale edhe në ditët tona.

Në fillimvitin 2007, kur merresha me platformën për ekspozitën “Çamëria në rrjedhat e shekujve” dhe ndërkohë lexoja shtypin e viteve 1913- 1945, isha shumë entusiast, kur për herë të parë lexova deklaratën e Teodoros Pangallos, si dhe të ministrit të Jashtëm Rufos. Këto deklarata janë botuar në faqen e parë të “Gazeta e Korçës”, viti VIII i botimit, Nr. 263, e shtunë, 27 shkurt 1926. Nën titullin “Deklarata të Diktatorit Grek mbi marrëdhënjet Shqiptaro-Greke”, kemi shënimin me korsiv “Çamërvet ju njihen tërë të drejtat si minoritet”:

– Në Shqipëri të Jugës nukë ka Grekë përveç pak Grekofonë. – Shpërndarja e klubeve Vorioepirotë. – Marrëdhënjet Ekonomike e më poshtë (nga korispodenti ynë, posaçmë), botohet deklarata e Pangallosit, ndërsa ajo e ministrit të Jashtëm Rufos, me shënimin me korsiv: “Greqia caktoj një politikë të kthjelltë dhe definitive kundrejt Shqipërisë: – Kufit e sotmë midis të dy Shteteve i quan, pa nonjë rezervë, definitive, – Miqësia Shqipëtare veprë kombëtare për Greqinë”. (Nga korespondenti ynë i posaçëm). Në fund është emri i gazetarit që ka intervistuar Pangallosin: Vangjel Nasho Qirko.

Para se të ndalemi në përmbajtjen e deklaratave, shtrohet pyetja: Në ç’rrethana historike janë bërë këto deklarata dhe a ndikuan ato jo vetëm në përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, por veçmas në përmirësimin e gjendjes së minoritetit shqiptar çam  në Greqi dhe ndalimin e shpërnguljes  së çamëve për në Turqi?

Situata në Çamëri në periudhën, kur në krye të qeverisë greke erdhi Pangallos, ishte nga më dramatiket. Mendoj se janë dy momente që duhen nënvizuar:

Së pari, Ligji i shpronësimit i vitit 1911 hyri në fuqi para vitit 1923 dhe kjo nuk ishte e rastit. “Ky ligj nuk ishte gjë tjetër veçse një grabitje zyrtare dhe ishte i mjaftë për t’i lenë shqiptarët pa bukë dhe t’i shtërngonte të largoheshin nga Çamëria”, konkludon me të drejtë Hajredin Isufi (Shih “Çamëria, studime historike – sociologjike shek XIII – XX, Tiranë 2006, f. 116- 117).

Së dyti, që nga 30 janari i vitit 1923, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Lozanës mes Greqisë dhe Turqisë dhe deri në fund të vitit 1925, popullsia çame kishte pësuar mbi kurrizin e saj atë që Ali Dino, ish deputet i Prevezës në Athinë, në një letër që i drejtonte gjeneralit De Lara, kryetar i Komisionit Mikst për këmbimin e popullsisë greko-turke, do ta nënvizonte: “…shqetësimi i bashkatdhetarëve të mi po kalon në ankth për arsye të disa masave të marra ndaj tyre nga qeveria greke, masa shumë të rënda në kundërshtim me Konventën e Lozanës…”. (Dokumente për Çamërinë” 1912

– 1939, Tiranë 1999, f. 158).

Po për këtë periudhë, historiani grek Jorgos Margaritis, shkruan: “…Ndërmjet viteve 1923- 1924 , në zonë mbërritën disa mijëra emigrantë të shkëmbyeshëm” nga Azia e Vogël, domethënë të dërguar atje nga shërbimet qeveritare greke, me qëllim intensifikimin e presionit ndaj çamëve për t’i detyruar të iknin… . Kjo bashkëjetesë e ngushtë, detyruese me emigrantët ishte veçanërisht e dhimbshme për çamët…”. (Jorgo Margaritis “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, Tiranë 2009, f. 119).

Bilanci është me të vërtetë i dhimbshëm. “Në periudhën 1913-1925, gjatë procesit të këmbimit të detyrueshëm, u përzunë me dhunë 60. 000 shqiptarë (40. 000 nga viset e Maqedonisë dhe 20. 000 nga krahina e Epirit”, citon Mehdi Frashërin, përfaqësuesin e Shqipërisë në sesionin e 50–të të Këshillit të Shoqërisë së Kombeve. në librin e tij “Tragjedia Çame” Prof. Dr. Beqir Meta. (Beqir Meta, “Tragjedia Çame”, Tiranë 2007, f. 42).

Shumë banorë të Çamërisë braktisën shtëpitë e tyre për të shpëtuar kokën. “Kështu Gardhiqi, nga 400 shtëpi, që kishte më 1913, në vitin 1925 mbetën 80, Dragomia nga 160 në 18, Karbunari nga 300 në 120, Parga nga 300 në 40, ndërsa në Petrovicë, Shëndëlli etj, nuk mbeti asnjë”. (Hasan Minga, “Çamëria, vështrim historik”, Tiranë 2006, f. 34).

Në këtë situatë dramatike, vjen deklarata e kryeministrit grek mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe minoritetin shqiptar çam, e shkurtit të vitit 1926.

Po kush është Teodoros Pangallos? Në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, jepen këto të dhëna për të: “Personalitet politik dhe ushtarak i shtetit grek. Lindi në Salaminë (Greqi), në një familje arvanitase. Kreu shkollën e oficerëve dhe vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake në Paris(1914).

Me 1918 u gradua gjeneral. Ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë greke, Ministër i Mbrojtjes (1922) dhe President i Greqisë (1926-1930). Ndoqi politikën e fqinjësisë së mirë ndaj Shqipërisë.

Gjatë qeverisjes së tij u shpreh kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Çamëria dhe e konsideroi trajtimin e tyre në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar si faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve normale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ka pohuar me krenari në raste të ndryshme  origjinën e tij shqiptare dhe ka vlerësuar meritat e arvanitasve në historinë e Greqisë”. (“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 2009, f. 1924- 1925).

Cilat janë idetë e deklaratës së Pangallosit të shkurtit 1926?

Së pari, përmirësimi rrënjësor i marrëdhënieve me Shqipërinë fqinje, duke hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj saj. Ai e sheh Shqiërinë si një vend mik dhe duhen lënë së kaluarës mosmarrëveshjet. “Sa për Shqipërinë, deklaron ai, me të cilën veçanërisht na bashkojnë lidhje origjine, gjaku, luftrash të përbashkëta, marrëdhëniet tona gjenden në pozitë shumë të kënaqshme dhe për dita po zhvillohen më mirë… . Kujdesi jim ka qenë, që kurse mora në dorë fuqinë, të bëj sa më tepër të ngushta lidhjet që na bashkojnë dhe për këtë qëllim nukë kurseva as gjë. Është e vërtetë nga ana tjetër, dhe kudo ngjan, që midis shteteve kufitare të mos sodisfaktohen plotësisht pretendimet e të dy palëve, kështu që një pjesë e popullit të shtetit tjetër të mbetet brenda kufijve të tjetrit dhe viceversa, duke u konsideruar si minoritet. Por kjo nukë duhet të formojë ndarje dhe nuk duhet të bëhet shkak për grindje midis dy popujve vëllezër, por përkundrazi të bëhet ura e bashkimit midis tyre”.

Së dyti, për herë të parë shteti grek njohu ekzistencën e minoritetit shqiptar çam në Epir, si dhe garantoi të drejtat themelore të tij.

Pangallos deklaron: “Kemi në Epir, disa mijë çamër, të cilët i njohmë tani si minoritet shqiptar në shtetin tonë. Në qoftë se në kohën e shkuar u bënë disa të papëlqyera mi kuris të tyre nga an’ e organëve të shtetit, kjo nukë formon direktiv politik të Qeverisë greke karshi atyre. Përkundrazi, Qeveria inspirohet nga dispozita më të mira karshi atyre dhe ka vendosur të ndëshkojë pa mëshirë çdo veprim të keq mi kuris të minoritetit nga an’ e disa kokëndezurve të papërgjegjshëm dhe do të zbatojë plotësisht të gjitha obligimet që ka marë përsipër në favor të minoriteteve në Maqedhoni dhe Epir, obligata që rjedhin prej traktateve ndërkombëtare”.

Së treti, Pangallos bëri një dallim dhe diferencim të qartë mes minoritetit grek në Shqipëri dhe ortodoksëve shqiptarë. Ai nuk i quan këta të fundit, grekë apo minoritet grek në Shqipëri. “Kur thom pakicë greke në Shqipëri,deklaron Pangallos, kujtoj dhe kam ndërmend vetëm Grekofonët të Shqipërisë Jugës dhe aspak orthodoksë shqiptarë, të cilët si shqiptarë nga raca, gjuha e kombësia janë zot shtëpie. Jam kundra asaj theorie të gabuar të disave këtu që çdo Orthodoks e quajnë Grek”.

Së katërti, ai deklaroi shpërndarjen e klubeve vorio-epirote “të cilat ishin bërë baza e këtij mentaliteti. Këto klube nukë kishin më arësye eksistimi. Do t’a aplikoj masën e shpërndarjes dhe për organizata të tjera të tilla po të gjykohen si pengim në zbatimin e politikës së përjashtme të caktuar prej Qeverisë”.

Në fund të kësaj deklarate, kryeministri Pangallo, edhe një herë hapur dhe qartë, thekson rëndësinë që i kushton qeveria që ai drejtonte, marrëdhënieve të sinqerta me Shqipërinë fqinje: “Duam të japim prova të gjalla kundrejt motrës së vogël, Shqipërisë, që ushqejmë ndjenjat më të sinqerta, ndjenja dashurie dhe miqësie dhe po bëjmë një politikë të hapur dhe jo të mbuluar; shpresojmë se qëndrimi ynë do të çmohet prej gjithë shqiptarëvet… Kështu të bashkuar të dy popujt vëllezër në dashuri e në solidaritet do të ecin në të pritmen për në misionin e tyre…”

Deklarata e mësipërme e Pangallosit është bërë më 14 shkurt 1926. Po në këtë datë është dhënë edhe deklarata e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Lukas Kanakaris Rufos, i cili mes të tjerash thekson: “Çështjes së Çamërisë ju dha fund definitive, amnisti për të gjithë çamët të dënuar ose të pandehur dhe të kthyerit e t’internuarve në shtëpitë e tyre; gjuha shqipe do të vihet në disa shkolla të Greqisë; klubet vorioepirote në tërë Greqinë u shpërndanë dhe arkivat e tyre ju dorëzuan prefektëve…. Pa asnjë rezervë dhe prapamendim i quajmë kufijtë e sotmë midis Greqisë e Shqipërisë si kufi definitive. Greqia e njeh dhe e respekton tërësinë tokësore dhe independencën të Shqipërisë pa rezervë…”.

IV

Historiani Hajredin Isufi shkruan: “Por kjo erë e ngrohtë në marrëdhëniet greko-shqiptare, nuk zgjati shumë. Rrëzimi i Pangallosit, në verën e viti 1926, e prishi klimën e re të tyre”. (Hajredin Isufi, “Çamëria studime historike-sociologjike, shek. XIII- XX, Tiranë 2006, f. 119). Edhe Prof. Sonila Boçi në librin “Minoritete Kombëtare në Shqipëri midis Identitetit dhe Integrimit”(Tiranë. 2012), shkruan: “Situata pati një përmirësim të përkohshëm nga fundi i shkurtit 1926, pas ardhjes në fuqi, si Kryeministër, të gjeneralit me origjinë shqiptare Teodor Pangallos. Ai kishte vizion më realist se Shqipëria nuk ishte rreziku i Ballkanit (siç e kishin paraqitur qeveritë paraardhëse greke), dhe marrëdhëniet shtetërore shqiptaro-greke hynë në fazën e normalizimit… Qeveria e Pangallosit ishte e shkurtër. Në gusht 1926, Pangallosi u rrëzua nga pushteti, ashtu siç kishte ardhur, me grusht shteti të organizuar nga vetë oficerët e tij republikanë. Pas rrëzimit të tij rifilloi largimi me forcë i popullsisë shqiptare nga Çamëria”.(fq.69)

Deklarata e Pangallos duhet vlerësuar si e para dhe e fundit e një politikani grek për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona fqinje, si dhe dëshmoi një qëndrim realist ndaj minoritetit shqiptar çam në Greqi. Ajo është bërë publike në shtypin shqiptar e grek, duke shënuar një qëndrim të mençur të një politikani me vizion të qartë, që edhe sot tingëllon aktuale.

Greqia është vendi i diellit, detit, qiejve mitikë, si edhe i peisazheve mahnitëse. Greqia është vendi që ka trashëguar dhe vazhdon të rrezatojë një qytetërim nga më të vjetrit dhe befasuesit në botë. Në formimin tim kulturor, që në vitet e universitetit ka ndikuar Homeri me kryeveprat “Iliada dhe Odisea”. Mbaj mend Prof. Myzafer Xhaxhiun që në leksionet e tij, me një pasion të veçantë lexonte dhe komentonte vargjet e Homerit të madh dhe ne të rinjve të asaj kohe na çonte në thellësi të mijëvjeçarëve të qytetërimeve dhe kulturës helene. Në vitet studentore jam rritur me veprat e tragjedianëve grekë, si Eskili, Sofokiu, Euripidi, ndërsa më vonë me poezitë e Sollomos, Ricosit, Kavafit, Elitis, Seferis etj. etj. Apo me prozën e shkëlqyer të Kazanzaqit etj.

Nuk flas për popullin grek, që ashtu si shqiptarët kërkon paqe, dashuri dhe harmoni, por fjalën e kam për politikanët e sotëm, apo shtetarët delirantë, deklaratat e të cilëve tingëllojnë ankronike, provinciale dhe aspak europiane dhe larg shumë larg deklaratave të parardhësit të tyre të mençur, Teodoros Pangallos, një shekull më parë.

Artikulli paraprak“Lexojmë me sytë e tu”! Nxënësit në Lezhë incizojnë lexime librash për të verbrit
Artikulli tjetërKatibim