‘Hijet’ që na ndjekin nga e kaluara

Nga Namir Lapardhaja
Përmbledhja me tregime dhe novela “Hija e maleve” është një ndër veprat artistike të Ernest Koliqit, ku shpaloset marrëdhënia dhe raporti mes asaj që është e përhershme me të përkohshmen, mes tradicionales dhe modernes, mes kanunit dhe ligjit. Do të mbajmë të drejtën zakonore apo do t’i përshtatemi ligjeve të reja? Kur flasim për kod dhe zakon, kemi të bëjmë me pasuri shpirtërore. Është kjo pasuri që e ka mbajtur gjallë shoqërinë për një kohë të gjatë. Në mungesë të ligjeve të shkruara, kanuni ka mbetur. Mjeshtëria artistike e Koliqit e çon njeriun tek tradita, tek folklori, dhe e fut atë në përplasje. Është lufta universale mes së sotmes, kulturës, me të përhershmen. Koliqi na tregon se njeriu duhet ta përdorë kanunin për njeriun, ai nuk e rrëzon atë.
Në qendër të kësaj vepre është jeta shkodrane dhe e rrethinave. Si njohës mjaft i mirë i saj, Koliqi na ka sjell psikologjinë dhe mentalitetin e zonës, produkt i një thesari të pasur shpirtëror. Aftësia e tij tregimtare është se të gjithë botën mitologjike, besimin dhe bestytnitë, na i paraqet në mënyrë moderne, me një gjuhë të pasur me shtresëzime kuptimore dhe larmishmëri stilistike. Rrëfimet i ngjajnë një palimsesti dhe në thellësinë e tyre zbulohet mitologjia, me Orët dhe Zanat që përcaktojnë fatin, ashtu siç personazhet e tij janë të lidhur me besimin tek Zoti. Kjo përplasje jepet në mënyrë të natyrshme, duke mos qenë kurrfarë pengese, as atëherë kur bëhet fjalë për përfaqësues të fesë.
Kanuni dhe gjakmarrja, dy elemente të së drejtës zakonore, përballen me personazhin e shkolluar dhe të kulturuar, i cili është kundër traditave të prapambetura, që lufton për emancipimin e të rinjve të zonës, që sugjeron si shpëtim nga gjithçka arsimimin dhe kulturën, besimin tek ligji dhe institucionet: “A ka send ma të mrekullueshëm në kët botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë n’errsin e padijes?” – pyet Doda i novelës “Gjaku”.
Portretizimi i Dodës jepet në ndryshim të vazhdueshëm, mes dilemave dhe përpjekjeve, mes ëndërritjeve për të sjell kulturë dhe qytetërim dhe përballjen me një botë të egër, që i mban peng të gjithë, njerëzit më të afërt dhe priftin, Don Shtjefnin, tek i cili përplaset për të gjetur ngushëllim, kur i thotë: “…ai mentalitet duhet thye”, e ai i përgjigjet natyrshëm, me një qetësi legjitimuese: “Tash qinda vjetsh na meshtarija punojmë ndër male, por s’a kenë punë qi m’e thye.” Në fund nuk thyhet mentaliteti, por Doda. Ai hakmerret për vrasjen e Zekës, të vëllait, në një kohë kur nuk e priste askush. Edhe pse pas vrasjes mund të largohej, zgjedh të përballet me ligjin. “Un s’e kam mendue kurr se e qes kët pushkë: nji forcë qi s’dij m’e spjegue m’i mori ment e ma rrëmbeu vullnetin.” Janë fjalët e tij kur i dorëzohet togerit të xhandarmërisë, i cili e sheh i habitur, sepse nuk kishte pasur rast të mëparshëm që marrësi i gjakut të vetëdorëzohet. Nëpërmjet personazhit të Dodës, Koliqi na ka dhënë intelektualin e vetmuar mes dilemave të mëdha, të mbrujtur me kulturë dhe arsim, por të rrethuar nga një botë e vrazhdë.
Përballë “Gjakut” na jepet novela “Miku”. Tek e para kemi kanunin që mposht arsimimin dhe ligjin, tek e dyta kemi një të drejtë zakonore që i jep forcë individit të përqafohet me hasmin, të ulet dhe të kuvendojë me të, ta marrë në besë për sa kohë që ai është mik në shtëpinë e tij.  Uc Lleshi vihet përpara traditës zakonore dhe ligjit. Në shtëpinë e tij ia beh hasmi dhe një gazetar, që autoritetet kërkojnë të arrestohet, sepse ka shkruar kundër qeverisë. Mjeshtërisht personazhi ndodhet përballë një dileme të madhe. Hasmin e kërkon në rrugë dhe e gjen në shtëpi, në dhomën e miqve, së bashku me gazetarin, të cilin duhet ta arrestojë. Kanuni i ka lidhur duart ndaj të dyve. Mbizotëron e drejta zakonore, që shenjtëron mikun: ulet, ha e pi, sepse i kanë ardhur miq në shtëpi, gjë që bën të jenë në besën e tij. Në fund ndahet dhe përqafohet me hasmin. Nëpërmjet kësaj novele, Koliqi na tregon se një njeri që gjen forcë për të përqafuar hasmin dhe armikun, imagjino se çfarë mund të bëjë me mikun!
Në novelën “Kanga e re” dhe “Andërr e nji mbasditeje vere” kemi rrëfim kushtuar këngës së dashurisë shkodrane, që bëhet motiv dhe simbol i bashkimit të dashurisë së dy të rinjve, ashtu siç kemi motivin e ëndrrës dhe të zhgjëndrës, në tisin mes reales dhe ireales që kalon personazhi kur përballet me të shkuarën e tij, ndërsa tek novela “Kopshti” jeta fëmijërore dhe dashuria platonike jepen nëpërmjet kthimit pas në kohë. Shuk Dila është nisur tek Arra e Madhe dhe aty, nëpërmjet retrospektivës, lexuesi njeh një botë të pasur dhe të larmishme fëmijërore, që i vjen nga subkoshienca personazhit fëmijë. Novela mbyllet me një pyetje retorike, kur personazhi është përballur pikërisht me atë që kërkon nga fëmijëria e tij: “A din me më kallzue gja për nji vajzë të vogël qi i thonë Dushë edh errinte me shtëpi këndej pari diku?…Ka pasë kenë shhëndet-ligë e shum e thithun në fytyrë; s’dij pse, por zemra më thotë se do të ketë dekë…Nusja, me za t’ambël e t’ultë e me nji nenqeshje të paçansueshme qi ia ndritte skajet e buzve, kishte përgjegjë: Shuk, a s’po më njeh a?” Tregimi “Ka tre lisa” në qendër të tij vendos dashurinë e pamundur të Mrikës dhe Gacit, familjet e të cilëve janë në hasmëri me njëra-tjetrën, kurse te novela “Diloca” mbizotëron dashuria përballë zakonit të prapambetur të martesës në djep.
Personazhet e Koliqit ndërtohen me një mjeshtëri të veçantë. Ata jepen nëpërmjet dilemave të mëdha, psikologjie të thellë dhe rrëfimi të paanshëm. Në rrëfimin e tij ndihet një tis i formimit të tij intelektual, gjë që shërben për të sjell një botë të pasur dhe të magjishme, ndërkohë që rrëfimtari është i baraslarguar nga personazhet dhe veprimet e tyre.
Artikulli paraprakKonsultimet publike për ujësjellësin e Himarës/ BIRN: Qytetarët të padëgjuar dhe të përjashtuar
Artikulli tjetër“Bashkimi i opozitës”, si ato supermarketet që ndërrojnë etiketat e mallrave të skaduara