2 ton drogë kapen në Itali dhe Greqi, Rama e mohon

Partia Demokratike deklaroi dje se, droga derdhet lumë në vendet fqinje me Shqipërinë, ndërsa kryeministri Edi Rama sërish e mohon. Kreu i Departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, gjatë një konference për median tha se, janë kapur 2 tonë drogë në 3 ditët e fundit në Itali e Greqi. “Në tre ditët e fundit, 2 tonë drogë ka kaluar nga kufijtë tanë për në Greqi dhe në Itali. 1 ton në Greqi, dhe 1 ton drogë në Itali, dhe këtu bëhet fjalë për sasinë e kapur nga policia. Kur raporti është; në 10 ngarkesa, policia fqinje arrin të ndalë vetëm njërën, përfytyroni sa drogë shqiptare ka kaluar këto ditë në Greqi dhe në Itali”, u shpreh Alibeaj.
Ndërkohë Edi Rama e mohon, thotë se nuk ka drogë, nuk kemi problem me drogën, edhe pse mbarë Europa është e shqetësuar, media italiane, greke, gjermane dhe BBC japin alarmin për hashashin shqiptar që po mbulon vendet e tyre.
“Droga dhe përfshirja e qeverisë në këtë biznes kriminal, është një realitet i frikshëm, që po inkriminon shoqërinë, po pushton rininë e shkollat, po shkatërron imazhin e vendit tonë, dhe është një prej mureve që po pengon integrimin europian të vendit.
Vetëm një njeri ende nuk e kupton këtë gjendje të rëndë. Ky është Edi Rama, i cili duke e mohuar drogën po vetëshpallet si kumbari i saj”, përfundoi Alibeaj.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë dhe Greqisë duke pranuar rritjen e këtij trafiku. Përmes një deklarate dërguar mediave, Ministria e Brendshme thotë se konsideron sukses faktin kur goditet trafiku dhe kapet drogë në bashkëpunim me partnerët e huaj. Sa i përket akuzave të demokratëve që ka rritje të shtuar të kultivimit të drogës, pasi në 3 ditë janë kapur 2 ton kanabis në dy shtetet fqinje, Ministria e Brendshme nuk ka asnjë përgjigje, duke pranuar në heshtje faktin se ka shtim të mbjelljes së kanabisit.

Reportazh i BBC për drogën shqiptare

Pas reportazheve të realizuara së fundi nga mediat italiane apo gjermane lidhur me kultivimin e drogës në Shqipëri dhe trafikun drejt Europës, edhe BBC ka në fokus të njëjtin shqetësim. Në një reportazh që do të transmetohet të enjten në kanalet e medias më të madhe publike të Britanisë së Madhe, Shqipëria cilësohet si prodhuesi më i madh i kanabisit në Europë. Reportazhi titullohet “Bumi i kanabisit shqiptar”.
Fshatra të tërë jetojnë me të ardhurat nga kultivimi i “arit të gjelbër”, thuhet në reportazh. Qeveria shqiptare po përpiqet të shkatërrojë këtë industri, duke shkatërruar plantacionet. Por tregtia e drogës u përhap që në fund të viteve ’90 nga grupet kriminale dhe u shtri në të gjithë vendin e vogël ballkanik.
Gazetari investigativ i News 24, Artan Hoxha publikoi dje pamje nga magazinat me kanabis pak para se gjiganti BBC të transmetojë një reportazh për kanabisin e Shqipërisë. Gazetari zbulon se pikërisht kjo magazinë do të jetë pjesë e këtij reportazhi, që e etiketon Shqipërinë si prodhuesin më të madh të kanabisit në Evropë. Sipas Hoxhës, jo vetëm BBC ka ngjallur interes për kanabisin. Ai thotë se së fundmi ka shoqëruar të paktën 8 grupe xhirimi të mediave të ndryshme botërore në Shqipëri.
“Grupin e BBC e kam shoqëruar në një nga zonat më problematike, para një muaji kanë ardhur këtu. Ato kërkonin një zonë ku nuk do të mbikëqyreshin nga policia, donin të kontaktonin me kultivuesit dhe trafikantët. Nuk është një gjë e lehtë. Grupi i BBC ka shkuar në një vend ku nuk shkon policia”, tha Hoxha.
Por në çfarë zone është regjistruar videoja, ku gazetari shfaqet brenda magazinës me kanabis në proces tharje? Hoxha thotë se nuk mund të tregojë ekzaktësisht vendin, pasi për të shkuar aty ka ndërruar 3 herë makinën. Trafikantët janë kujdesur që të lejonin atje grupin e xhirimit të BBC, por pa u dhënë mundësinë ta identifikojnë zonën ku ndodhet.
“Gazetarët donin të takonin punëtorët. Kemi kontaktuar me disa punëtorë që flisnin shumë mirë anglisht. Edhe mulliri që mbaj në dorë iu përkiste atyre. Boçja e tharë e kanabisit futet në pjesën e sipërme, mulliri rrotullohet në mënyrë mekanike dhe del fiks masa e kanabisit që duhet për një cigare”, sqaron ai.
Duke u ndalur tek pamjet e transmetuara, Hoxha zbulon se bëhet fjalë për kanabis që e ka kaluar procesin e tharjes. “Produkti është gati për treg, i vetmi proces i mbetur është paketimi. Kjo është boçja e tharë, gati për treg. Na thanë që është 25 kg. Në Britani një kg kushton 15 mijë paund, nëse do ta çonin atje fitimi do të ishte shumë i madh. Unë përmend aty që duhet të ketë disa ditë diell, pra është bërë para rreth një muaji, kur koha ka qenë e paqëndrueshme dhe binte shpesh shi. Prandaj edhe proçesi i tharjes këtë vit zgjati shumë, për shkak të reshjeve të shumta dhe lagështirës që ka pasur pikërisht në momentin e korrjes dhe tharjes.
Pjesa dërrmuese e drogës tashmë është magazinuar. Me të dhënat e deritanishme ne jemi furnitori nr.2 për vendet e Europës, pas Marokut. Ka filluar trafikimi i produktit të këtij viti që nga muaji tetor, prandaj mediat në vendet fqinje, Itali dhe Greqi raportojnë përditë për sasi të mëdha droge të kapur”, tha gazetari.

“Corriere della sera”: Gjysma e Romës furnizohet me drogë nga Shqipëria

“Corriere della sera” raporton aksionin më të fundit të Policisë italiane në Romë, ku sipas autoriteteve gjysma e kryeqytetit është e pushtuar nga droga që vjen nga Shqipëria. Droga vinte nga Shqipëria e sidomos kuintalë hashashi të destinuara për bandat që drejtojnë shpërndarjen në zonën qendrore dhe atë lindore të Romës. Kështu nis raportimin e saj “Corriere della sera” për aksionin më të fundit të Policisë italiane në Romë. Sipas autoriteteve droga shpërndahej sidomos në zona me shumë banorë, ku numri i klientëve mund të arrinte më shumë se një mijë. Fitimi ishte aq i madh se janë katër organizatat e zbuluara nga policia, të cilat ndanin fitimet mes tyre, hetimet në fakt kanë nisur që në vitin 2013, për t’u konkretizuar me aksionin e sotëm.
Një perandori e vërtetë krim mes kërcënimeve, rryshfeteve dhe ndëshkimeve për ata që nuk pranonin të bindeshin. Mëngjesin e së martës hetuesit arrestuan katër persona, të cilët mendohet të jenë krerët e bandave që vepronin në zonë. Por të hetuarit e operacionit “Vëllezërit” janë më shumë se 100, dhe trafiku bazohej pikërisht te hashashi.
Në kryeqytetin italian brenda pak kohësh janë arrestuar rreth 70 persona anëtarë të katër bnandave të ndryshme, ndërsa përveç drogës policia ka sekuestruar dhe pistoleta e armë të tjera. Një arsenal që sipas hetuesve shërbente për të sulmuar apo për t’u mbrojtur nga rivalët, si dhe për të ruajtur rrjetin e gjerë të klientëve.

Mbillet kanabis tek dera e Kryeministrisë

Një grup të rinjsh kanë mbjellë kanabis sattiva në disa vazo para Kryeministrisë. Ky veprim është ndërmarrë në shenjë proteste pikërisht para institucionit më të lartë shtetëror, duke sjellë në fokus edhe problemin me hashashin në vend, i cili është kthyer tashmë në fenomen. Paraditen e djeshme, të rinjtë e drejtuar nga sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, kanë mbjellë kanabis në disa vazo para Kryeministrisë. Organizatorja e kësaj proteste, Valbona Mhilli pohoi se kishin shkuar të mbillnin hashash para Kryeministrisë, pasi ishte i vetmi vend jo i zaptuar.
“Jemi një grup të rinjsh të shkolluar, por të papunë. Asnjë mundësi nuk ofron dhe asnjë kujdes nuk tregon qeveria dhe Kryeministri për ne. Droga është alternativa e qeverisë, por edhe toka ku mbillet droga është zaptuar nga kriminelët e lidhur me kryeministrin. Erdhëm sot për të mbjellë kanabis tek dera e kryeministrit se është e vetmja tokë e pazaptuar. Këtu edhe e kemi të sigurt që do rritet me kujdes se e ruan vetë Rama”, tha ajo.

133 kg drogë nga Shqipëria në Athinë

Policia greke ka sekuestruar 133 kg drogë dhe ka vënë në pranga një shqiptar. Bëhet e ditur se droga kishte ardhur nga Shqipëria dhe pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, është organizuar operacioni në aksin Athinë-Thivo, në vendin e quajtur Mandra, ku është ushtruar kontroll në automjetin e drejtuar nga një shqiptar 29 vjeç. Në mjet u gjetën dhe sekuestruan 80 pako me 90 kg e 49 gram marijuanë. Pas kësaj është ushtruar kontroll në banesën e tij në lagjen “Kato Patisia”, Athinë, ku u gjetën dhe sekuestruan 21 pako me 43 kg 4 gram marijuanë.

Trafik droge nga Shqipëria në Itali, kapen shqiptarët

Një linjë e trafikut të drogës nga Shqipëria në rrugët e Milanos është prerë nga Policia italiane. Banda me 14 shtetas shqiptarë shfrytëzonte vajza rumune, shqiptare, çeke dhe moldave për prostitucion dhe investonin të ardhurat për të blerë kokainë në Holandë, e cila më pas shitej në Itali.
Policia italiane ka shkatërruar një bandë kriminelësh me origjinë shqiptare që kontrollonin një pjesë të rrjetit të prostitucionit dhe shpërndarjes së drogës në Milano dhe një pjesë të Lombardisë, shkruajnë mediat italiane. 14 persona janë arrestuar, të gjithë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe shfrytëzim prostitucioni. Sipas Prokurorisë, banda detyronte vajza të reja nga Europa Lindore të shiteshin në rrugët e Milanos dhe pasi merrnin fitimet e tyre i riinvestonin për të blerë sasi të mëdha kokaine që shitej kryesisht në tregun milanez dhe lombard.
Urdhrat e ndalimit janë vendosur nga autoriteti gjyqësor që hetonte prej janarit të vitit të kaluar lidhjet mes Shqipërisë, Italisë e Holandës të vendosura prej kohësh. Operacioni “Toka jonë”, kishte çuar në mars të vitit 2015 në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë që kishin fshehur 5 kg drogë në makinë.

R.POLISI

Artikulli paraprakGrabitet banesa e deputetit të PS, sekret shuma e parave të vjedhura
Artikulli tjetërKoncesioni 86 milionë USD i hemodializës shitet për 30 milionë lekë!