“Corriere della Sera”: Droga e Shqipërisë ka pushtuar Romën

“Droga mbërrinte nga Shqipëria. Kuintalë të tëra kryesisht me hashash të destinuar për bandat që menaxhojnë shpërndarjen e drogës në zonën e qendrës dhe në lindje të kryeqytetit”.
Kështu e fillon shkrimin e përditshmja italiane “Corriere della Sera” në edicionin e saj të Romës.
Media shkruan se gjysma e kryeqytetit italian është “e pushtuar” nga hashashi shqiptar.
Lajmi i referohet arrestimit të fundit të policisë italiane në Romë, i cili zbardhi një rrjet të gjerë të furnizimit me kanabis shqiptar dhe që përfshinte mbi 1 mijë klientë.
4 personat e arrestuar janë 4 shtetas italianë, Emanuel Barone, 34 vjeç dhe Cristiano Bussaglia, 36 vjeç të konsideruar si krerët e bandave trafikante, si dhe Samir Urso e Alessio Nataletti.
Sipas policisë, bëhej fjalë për 4 banda të ndryshme, por që me raste bashkëpunonin me njëra-tjetrën për ndarjen e zonave të kontrollit të shitjes së narkotikëve.
Droga trafikohej kryesisht në zonat më të populluara të Romës si Petralata, Montesacro, Santa Maria Soccorso, Casal de’Pazzzi, Casal Bruciato etj., ku dhe numri i trafikantëve të vegjël është mjaft i lartë.
Bandat ishin të armatosura me pushkë e pistoleta për të mbrojtur zonat e kontrolluara prej tyre.
Hetimet kanë zbuluar se marrëveshja për furnizim me kanabis nga Shqipëria ka filluar që në vitin 2013.

Artikulli paraprakINSTAT: Eksportet në rënie me 3.5%
Artikulli tjetërTërhiqen 300 milionë euro nga bankat në 10 muaj